“Misioni i Ri është për zhvillimin e Kosovës, dhe hapjen e vendeve të reja të punës…200 mijë vende të reja të punës”, thuhej në videon e fushatës elektorale të PDK-së, ndërsa LDK pati premtuar gjithsej 150 mijë vende punësimi.
Por, sa u realizuan këto premtime?
Banka Botërore tregon shifrat që nga zgjedhjet e vitit 2014, ku edhe i erdhi shansi Hashim Thaçit, të realizojë premtimin e tij për 200 mijë vendet e reja të punës, apo Isa Mustafës për një shifër më modeste – 150.000 vende të reja të punës, papunësia është rritur për 5 pikë përqindjeje, duke shkuar gjithsej në 35 për qind.
“Të dhënat për fuqinë punëtore tregojnë se norma e papunësisë është rritur në vitin 2014 me 5 pikë përqindjeje deri në 35 për qind. Papunësia e Kosovës e cila është më e keqe në mesin e të rinjve dhe femrave, vazhdon të jetë më e larta në Evropën Juglindore”, thuhej në raportin e rregullt ekonomik për vitin 2015 të Bankës Botërore.
Gjithashtu raporti tregonte se shkalla e papunësisë tek të rinjtë që dy vite me radhë është i paluhatshëm me 61 për qind, dhe se bruto prodhimi i brendshëm për kokë banori sivjet parashihet se do të jetë 3.548 euro, ose 11,1 për qind më i ulët se në vitin 2014.
Shifrat nuk kanë si të jenë më të mira, kur merret parasysh se me vite të tëra shumë gjëra nuk po shkojnë mirë. Vjet, vendi mezi arriti një normë pozitive të zhvillimit- rreth 1 për qind, pastaj tensionet politike dhe paraliza që ishte përfshirë institucionet pas përfundimit të zgjedhjeve frikësuan investitorët. Ndërkaq, dëshira për sa më shumë vota bënë që liderët- qeveritarët të harrojnë investimet publike, ashtu që paranë nga buxheti ta shpenzojnë për paga dhe për ndarje sociale.
Kështu, tash vend ka ardhur në situatën që më shumë para të buxhetit të shpenzohen për këto qëllime, se sa për projekte zhvillimore, apo për përmirësimin e ambientit për biznes.
Prandaj edhe nuk ka vende të punës, apo punësim më të madh. Por, ka ikje nga Kosova.
“Kam dyshim edhe në të dhënat që jep statistika zyrtare e Kosovës. Kjo, për faktin se ajo krejtësisht mbështetet në anketën vjetore që e bënë, e jo në ndonjë hulumtim më të thellë të gjendjes në vend. Të përkujtojmë se sipas regjistrimit të vitit 2011 rreth 45 për qind e të regjistruarve ishin deklaruar si të papunë. Në vit më vonë anketa e Agjencisë së Statistikave tregoj se shkalla e papunësisë është 31 për qind. Ky është absurd. I këtillë vazhdon të mbetet edhe më tutje raportimi për gjendjen në tregun e punës”, thotë Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale – STRAS.
Nga ana tjetër janë 281 mijë kontribues në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, që do të thotë se këta persona së paku njëherë kanë “deponuar” para në llogarinë e kursimeve për pleqëri. Ndërkaq, në fund të vitit 2014 kanë qenë 285 mijë kontribuues, apo gati dy për qind më shumë.
Besnik Pula, asistent në kolegjin amerikan “Virginia Tech”, thotë se qeveria është në rastin më të keq të dështimit total politik, dhe se Kosova ka nevojë për një plan emergjent për zhvillim të projekteve.
“Kjo qeveri erdhi me premtime të mëdha për ekonominë, por u bënë nëntë muaj dhe të vetmen gjë që kjo qeveri bëri për ekonomi është rritja e taksave. Thonë se janë në përgatitje të planeve e projekteve. Pas nëntë muajve qeverisje, kjo është në rastin më të mirë joserioze, në rastin më të keq është dështim total politik. Si pasojë, Kosova po çon më shumë refugjatë në Perëndim se sa Siria dhe Afganistani. Kosova ka nevojë për një plan të gjithanshëm dhe emergjent zhvillimor me projekte konkrete zhvillimore dhe investuese për bujqësinë, sektorin minerar, dhe të sektorëve të rinj premtues. Qasja me avashllëk ndaj problemeve ekonomike po i kushton shumë familjeve kosovare dhe sidomos atyre 100.000 të rinjve që i kemi rrugëve të papunë dhe pa mundësi shkollimi”, tha ai për Gazetën Fjala.
Ai gjithashtu tha se vlerësimi i Bankës Botërore për ekonominë e Kosovës ishte mjaft optimiste dhe se vetmja gjë e cila po e mban gjallë atë janë remitencat.
“Mendoj se vlerësimi i Bankës Botërore është tepër optimist. Sipas llogarive paraprake, rritja ekonomike në vitin 2014 mezi kapi 1%-shin, kurse në tremujorin e parë të vitit 2015 ishte vetëm 0,2%. Kjo rezulton nga fakti se motorët e rritjes ekonomike në Kosovë të viteve të fundit: investimet kapitale dhe shpenzimet administrative, po shpenzohen. E vetmja gjë që po e mban gjallë ekonominë kosovare është konsumi falë rritjes së remitancave”, shtoi ai.
Pamja për zhvillimet në tregun punës bëhet edhe më e mjegulluar kur kemi parasysh shkallën e lartë të informalitetit në vend. Matjet e fundit tregojnë se ai është 26-34 për qind të BPV-së. Sipas kësaj, mund të supozohet se në Kosovë ka edhe të punësuar në “të zezë”, të cilët nuk i “sheh” as ligji, e as statistika. /Gazeta Fjala/.