Papa Françesku mbajti një meshë në një stadium thuajse të zbrazur në Gjeorgji.
Kjo për shkak se Kisha Ortodokse u kërkoi ndjekësve të saj që të mos shkojnë në meshë.
Sipas BBC, besimtarëve ortodoksë iu kërkua që të mos merrnin pjesë në meshën katolike.
Por zyrtarët e Kishës Ortodokse thanë se vendimi ishte marrë pas një marrëveshje të përbashkët.
Kjo ishte një nga turmat më të pakëta në ndonjë meshë të Papa Françeskut në ambiente të hapura.
Por përse e vizitoi Papa këtë vend?
Gjeorgjia ka vetëm 1 përqind të popullsisë katolike, por Papa thotë se kërkon të tejkalojë dallimet doktrinale me Kishën Ortodokse.
Kur Papa Gjon Pali II e vizitoi këtë vend në vitin 1999, ai nuk u trajtua si lider fetar, por si kreu i shtetit të Vatikanit.
Gjeorgjia, një vend i vogël me 4.3 milionë banorë, ndan kulturën ortodokse me superfuqinë rajonale, Rusinë, por të dy vendet u përfshinë në një luftë të ashpër në vitin 2008.
Përpjekjet e Vatikanit për të përmirësuar lidhjet me Kishën Ruse nuk kanë rezultuar akoma në një vizitë papale atje.