Shtyhet afati i intervistave për azil i tetë puçistëve që ikën në Greqi

Me kërkesë të avokatëve është shtyrë për një muaj intervistimi i tetë ushtarëve puçistë lidhur me kërkesën për azil të cilët morën pjesë në tentativën e grusht shtetit nga organizata terroriste FETO të cilët u arratisën në Greqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Njëri nga avokatët e ushtarëve, Illia Marinaki, tha se intervistat do të zhvillohen më 19-25 gusht.

Ai tha se ushtarët kanë kërkuar afat për përgatitjen e mbrojtjes. “Kërkuam këtë afat shtesë që të shohim se si do të ndryshojë gjendja dhe nëse dënimi me vdekje do të rikthehet apo jo. Gëzohemi që na u dha ky afat. Do të kemi kohë që të sigurojmë më shumë prova. Po ashtu, kemi fituar kohë të shohim se si do të trajtohen ushtarët në Turqi dhe në çfarë gjendje janë familjet e tyre”, tha Marinaki.

Marinaki pohon se jeta e ushtarëve mund të jetë në rrezik në qoftë se ekstradohen në Turqi. “Më thanë se janë të shqetësuar shumë. U shprehën se sikur edhe të mos miratohej dënimi me vdekje, frikohen të mos përjetojnë tortura deri në atë masë saqë do ta luteshin të vdisnin”, tha ai.

Avokati bëri të ditur se puçistët kanë zhvilluar biseda telefonike me familjet e tyre dhe kanë mësuar se llogaritë e tyre bankare janë ngrirë dhe kartat e kredisë janë bllokuar.

Duke vënë në pah se kushtet për jetesë në vendin ku po mbahen puçistët janë mjaft të mira, Marinaki potencoi se kjo gjendje është e mjaftueshme për sigurinë e tyre.

Avokati tjetër mbrojtës, Vasilis Teryidis tha se kjo shtyrje e afatit është e rëndësishme. “Gjendja në Turqi aktualisht është shumë e ndryshueshme. Do të kemi kohë të shohim se çfarë do të ndodhë atje”, tha ai.

Ndërkaq, ushtarët me të cilët sot ishte caktuar intervistë në mëngjes u dërguan në Zyrën Qendrore të Azilit në lagjen Katehaki të Athinës.

Artikulli paraprak“Jemi të trishtuar nga mënyra e trajtimit të çështjes së Gylenit nga SHBA-ja”
Artikulli vijuesArrestohet personi i cili dhunoi vajzën 12 vjeçare në Karposh