Nxënësit kërkojnë të hiqet testimi ekstern

Nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë thonë se shpresojnë që këtë fundvit nuk do t’i nënshtrohen testimit ekstern (i jashtëm), i cili, sipas tyre, përpos presionit, kjo mënyrë e kontrollimit të dijes nuk ka kontribuuar në asnjë mënyrë për ngritjen e cilësisë së arsimit në Maqedoni.

“Vlerësimi i dijes së nxënësve përmes tridhjetë pyetjeve që duhet të zgjidhen vetëm përmes rrethimit të një përgjigjeje nga tri të mundshme, nuk mundet aspak të evoluojnë diturinë reale të nxënësve. Të mos përmendim atë kaosin që shkaktohet javën e fundit të vitit, kur ne duhet t’i nënshtrohemi testimit ekstern, zhvillohet një luftë e ashpër cili profesor do t’i rrijë afër nxënësit të caktuar për ta ndihmuar”, thotë Symeje Ramadani, nxënëse e vitit të tretë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Shkup.

Ndërkaq, Ylber Gashi nga Shkolla e Mesme e Orientuar e Kimisë thotë se dikasteri i arsimit duhet të kontrollojë punën e mësimdhënësve përmes kontrolleve të Inspektoratit të arsimit dhe sukseseve që sjellin nxënësit me përfshirjen në garat e ndryshme dhe jo duke krijuar presion te nxënësit që brenda një ore të evoluohet dija që ata kanë marrë brenda vitit duke anashkaluar faktorët shumë të rëndësishëm siç është prania dhe aktiviteti në orë dhe puna praktike.

“Ministria e Arsimit nëse nuk ka besim në cilësinë e mësimdhënies, pse duhet të na viktimizojnë neve si nxënës duke iu nënshtruar testimeve të jashtme që krijojnë shumë presion te ne, si nxënës?! Nuk është faji ynë si nxënës, që mungon cilësia në sistemin arsimor, që duket se ka vrima të shumta që na bën të pasuksesshëm në tregun e punës. Testimi i jashtëm tregoi se asgjë nuk u ndryshua sa i përket ngritjes së cilësisë së arsimit”, thotë nxënësi Ylber Gashi.

Gjatë kësaj javë në foltoren e Parlamentit, në kuadër të seancës konstituive, është zhvilluar një debat i ashpër ndërmjet dy partive kryesore maqedonase VMRO DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë rreth efekteve të testimit ekstern.

Socialdemokratët janë zotuar se me formimin e Qeverisë së re të vendit që në mbledhjen e parë të saj do ta heqin testimin ekstern, por bllokimi i Parlamentit është duke e zvarritur këtë proces.

“Qershori i sivjetmë nuk do të jetë më muaji më stresues i vitit përnxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Qeveria e re, që në mbledhjen e saj të parë, do të shfuqizojë mbajtjen e testimit ekstern, i cili përpos presionit ndaj nxënësve dhe dënimeve ndaj mësimdhënësve, nuk solli asgjë të mirë në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit”, ka theksuar Petar Atanasovski, deputet i LSDM-së

Por, nga VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kanë theksuar se testimi eksten ka ngritur cilësinë e arsimit, madje i ka detyruar të jenë më të përgjegjshëm gjatë notimit të gjithë mësimdhënësit, duke mos i fryrë notat për nxënësit e preferuar.

Ndërkaq, Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit, thotë se përmes testimit ekstern strukturat udhëheqëse bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj punonjësve të arsimit.

“Testimi ekstern u keqpërdor si një nga elementet për të shantazhuar ose për të mbajtur nën kontroll të punësuarit në arsim, që t`i keqpërdorin dhe shfrytëzojnë si makineri votuese në konton e pushtetit dhe absolutisht nuk ka qenë qëllimi i vendosjes së testimit të jashtëm si normë për të përmirësuar cilësinë e arsimit”, vlerëson Rushiti.

Për realizimin e testimit ekstern në shkollat fillore dhe ato të mesme, partitë opozitare thonë se nga arka e shtetit të Maqedonisë nga viti 2011 deri në vitin 2016 pra për pesë vjet, janë shpenzuar mbi 150 milionë denarë, përkatësisht 2.5 milionë euro, ndërkohë që në më shumë shkolla të vendit mungojnë kushtet elementare për mësim.(REL)

Artikulli paraprakMbi 80 për qind të punësuar në të zezë
Artikulli vijuesSa varen studentët nga prindërit për financimin e studimeve?