O Allah, më ndihmo të të përmend Ty, të falënderoj Ty, dhe të bëj adhurim të saktë!
Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, dëshmoj se nuk meriton të adhurohet më të drejtë askush pos Allahut i Cili nuk ka ortak, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.
Shpresoj tek Allahu që të na jap begati në gjërat që i flasim dhe i dëgjojmë, si dhe fjalët që i flasim dhe i dëgjojmë t’i bëjë argument për ne e jo kundër nesh në ditën e takimit me Allahun.
Vëllezër, me këtë rast kur përfunduam faljen e këtij namazi, do të flas për një dua të Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) të cilën ia kishte mësuar shokut të tij Muadh ibën Xhebelit (radij Allahu anhu), kur i tha: “O Muadh, pasha Allahun unë të dua, pasha Allahun unë të dua. Prandaj të porosis që kur të arrish në fund të namazit, asnjëherë mos e le pa e bërë këtë dua: ‘O Allah, më ndihmo që të përmend Ty, që të falënderoj Ty dhe të të bëj ibadet të saktë”.
Kjo dua është e qëlluar në këtë rast – në përfundim të namazeve- ; sepse ty o musliman të ka begatuar Allahu dhe të ka nderuar pasi që ta ka lehtësuar që të vish për ta falur këtë namaz, të ka ngritur nga fakti që të ka bërë ndër ata që falin namazin; kjo është begatia e Allahut ndaj teje, sepse toka është përplot me njerëz që nuk e falin namazin, ndërsa ata që falen janë të paktë. Prandaj Allahu të ka nderuar në mesin e atyre njerëzve kur ta ka lehtësuar faljen e namazit dhe të ka bërë ndër ata që falen, ngase sa shumë janë ata njerëz që e nëgjojnë ezanin por nuk i përgjigjen, ata janë siq thotë Allahu: “Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal” (El Kijame: 31).
Prandaj kjo është begati e Allahut ndaj teje, siq thotë Allahu: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë” (En Nur: 21). Kur e ndjenë këtë mirësi të dhuruar nga Allahu, atëherë drejtohu kah Ai dhe kërko ndihmë; sepse ndihma dhe suksesi janë në dorën e Allahut, prandaj sa herë që arrin në fund të namazit thuaje këtë dua: “O Allah, më ndihmo që të përmend Ty, që të falënderoj Ty, dhe të të bëj ibadet të saktë”.
Kërkimi i ndihmës është mjet, ndërsa ibadeti është qëllimi; Allahu thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (El Fatiha: 5). Pra nuk mund t’ia arrish qëllimit pa përdorur mjetin; pra qëllimi është ibadeti; ndërsa mjeti është ndihma.
Për këtë arsye Allahu i ka përmendë këto dy gjëra së bashku në një ajet: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, ndërsa në një ajet tjetër në Kuran Allahu thotë: “Lutju Atij dhe mbështetu tek Ai!” (Hud: 123). Ndërsa në hadith është cituar se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Përpiqu për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmë nga Allahu”.
Për këtë edhe është ligjësuar praktika e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) që kur ta dëgjojmë fjalën e muezinit “Hajje ales salah” të themi “La havle ve la kuvvete il-la bil lah” (s’ka mundësi e as fuqi pa ndihmën e Allahut), sepse me këto fjalë kërkohet ndihmë, po ashtu është ligjësuar që sa herë të dalim nga shtëpia të themi: “Bismilah, tevekkeltu alAllah, ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah” që dmth “Në emër të Allahut, mbështetem tek Allahu, sepse s’ka mundësi e as fuqi pa ndihmën e Allahut”, dhe që të tri këto fjalë janë dua me të cilat i kërkohet ndihmë Allahut.
Pastaj vështroji këto tri gjëra që janë veçuar në këtë dua: “Më ndihmo që të të përmend Ty, që të falënderoj Ty, dhe të të bëjë ibadet të saktë”; që të trija janë çështje madhështore, dhe asnjëherë nuk do të mund t’i veprosh përveç se me ndihmën e Allahut.
Sa të shumta janë gjërat që e shkujdesin njeriun nga përkujtimi i Allahut!! Ndërsa Allahu thotë: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje” (El Ahzab: 41-42).
Njeriu gjendet në befasi kur e sheh veten se i ka kaluar një ditë, dy apo tri duke e përmendur Allahun fare pak. Prandaj për këtë arsye njeriu ka nevojë për ndihmën e Allahut , duhet që Allahun ta lus me sinqeritet: “O Allah më ndihmo që të të përmend Ty”.
“Më ndihmo të të falënderoj Ty”, që ta falënderosh Allahun për mirësitë e Tij ndaj teje, sepse ato mirësi janë aq të shumta saqë nuk mund të numërohen, ku Allahu thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato” (En Nahl: 18). Mirësitë dhe begatitë e Allahut janë të shumta por falënderimi për to është i pakët, siq thotë Allahut: “Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues” (Sebe: 13). Pra që të jesh i ngritur në jetën tënde dhe të jesh falënderues, atëherë lute Allahun që të të ndihmojë: “O Allah, më ndihmo që të përmend Ty, që të falënderoj Ty”.
“Dhe të të bëjë ibadet të saktë”; vështro këtu! Nuk është thënë “Dhe të të bëjë adhurim”, por është thënë: “Ibadet të saktë”; sepse ibadeti nuk pranohet pa qenë i saktë, dhe një ibadet nuk mund të jetë i saktë pa i plotësuar dy kushte:
1-sinqeritetin ndaj Allahut
2-Pasimin e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem)
Për këtë, Fudajl ibën Ijadi duke e spjeguar ajetin i cili thotë: “…për t’ju provuar se kushprej jush do të veprojë më mirë” (El Mulk: 2), ai thotë: fjala “se kush do të veproj më mirë”dmth se kush është më i sinqerti dhe më vepërsakti. Ndërsa kur e kanë pyetur: “Si është më i sinqerti dhe më vepërsakti”? Ai është përgjigjur: “Në rast se vepra është e sinqertë por nuk është e saktë, atëherë ajo nuk është e pranuar, ndërsa nëse është e saktë por nuk është e sinqertë prapë nuk është e pranuar, derisa të jerë e sinqertë dhe e saktë”.
Ndërsa vepër e sinqertë është ajo që bëhet për Allahun, ndërsa vepër e saktë është ajo që bëhet sipas sunetit të Pejgamberit (salallahua lejhi ve selem). Pra të dy këto parime janë cekur së bashku në këtë dua “Dhe të të bëjë ibadet saktë”.
Ndërsa në fund vë mendjen o musliman: kur në fund të namazit e thua këtë dua: “O Allah, më ndihmo që të përmend Ty, që të falënderoj Ty, dhe të të bëj ibadet të saktë”, atëherë këtë dua pasoje duke vepruar shkaqet, përdori shkaqet që të jesh përkujtues, falënderues, dhe i saktë në ibadetet tua ndaj Allahut. Prandaj nëse i ke bashkuar dy gjëra: kërkimin e ndihmës dhe veprimin e shkaqeve; atëherë i ke fituar të mirat e të dy botëve dhe ke realizuar porosinë e Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ve selem), i cili thotë: “Përpiqu për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmë nga Allahu dhe mos u bë i paaftë”.
Në fund lus Allahu të na ndihmojë ta përmendim Atë, ta falënderojmë dhe ibadet të saktë t’i bëjmë!
Allahu e di më së miri, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Tij!
Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr
Përktheu: Jeton Bozhlani