Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar për televizionin japonez NHK se gjatë vizitës së tij në Hiroshima nuk do të kërkojë falje për bombën bërthamore.
Në pyetjen se nëse planifikon që të kërkojë falje për bombën bërthamore të cilën SHBA e hodhi në fund të Luftës së Dytë Botërore, Obama ka thënë: Jo, për shkak se mendoj se është e rëndësishme që të kuptohet se liderët gjatë luftës marrin çdo lloj vendimesh”, transmeton Koha.net.
“Detyra e historianit është të shtrojë pyetje dhe t’i hulumtojë ato, por unë, si njeri që ushtroi këtë funksion tash shtatë vjet e gjysmë, e di se çdo shtetar merr vendime shumë të vështira, sidomos gjatë kohës së luftës”, ka thënë Obama.
Barack Obama do të jetë kryetari i parë amerikan që do ta vizitojë Hiroshimën në të cilën më 6 gusht 1945 është hedhur bomba e parë bërthamore me ç’rast u vranë rreth 140.000 veta.
Tri ditë më vonë, SHBA-ja ka hedhur bombën bërthamore edhe në qytetin japonez Nagasaki, me ç’rast vranë 74.000 veta.