“I kam vrarë pak pas mesdite. Më pas i kam marrë trupat dhe i kam hedhur në makinë; njërin në bagazh dhe tjetrin në sediljen e pasme. Kam marrë makinën dhe e kam çuar në një vend që mos të binte në sy në oborrin e shtëpisë sime me gjithë trupat brenda. Nuk dija se çfarë të bëja me ta dhe kam thirrur në telefon kushëririn e gruas time. I dogja se doja që të mos lija gjurmë”. Ky ishte rrëfimi i Odise Verbofshit, 33-vjeçarit durrsak, i cili dy vite më parë kreu një prej krimeve më të frikshme të dëgjuara më parë.
Përveç guximit që kishte marrë t’i vriste në shtëpi dhe në mes të ditës, Verbofshi i mori me vete trupat e pajetë dhe më pas i dogji brenda në makinë. Policia njoftoi se ishte problem pazaresh mes tre personave dhe disa të tjerëve që kishin njohje të vjetër bashkë.
Policia e Durrësit me zbulimin e Verbofshit dhe të aktit të tij makabër të vrasjes dhe më pas të djegies së dy viktimave të tij, do të arrinte kulmin teksa merrte edhe dëshminë e tij. Autori i asaj masakre në fundin e shkurtit të vitit 2014 do të kthehej në shtëpinë e tij, që rezultoi edhe vendi i krimit dhe do t`u tregonte oficerëve të policisë gjithçka kishte kryer me detaje.
Madje ai iu shpjegoi edhe faktin se sherri mes tyre kishte nisur për drogën, cilësinë dhe vlerën e saj. Por Policia e Durrësit, Prokuroria e Durrësit dhe e Krimeve të Rënda, teksa merreshin me aktin monstruoz të 31-vjeçarit, kuptuan se shkaku është shumë herë më i thellë se sa thjesht një prishje pazaresh. Atëherë nisën hetimet për grup dhe, ndërsa gjurmonin miqtë e të vendosurit në pranga, u deshën më shumë se dy vite që të arrihet të zbërthehet gjithë mekanizmi se si ka vepruar grupi dhe përse ndodhi ajo masakër për të cilën Verbofsha i dënua me burgim të përjetshëm.
Hetimi
Në bazë të një hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim dhe me informacionin referues të Policisë së Shtetit, u arrit të zbulohen dhe të arrestohen disa persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Gjatë dy ditëve të fundit janë arrestuar, në vijim të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, shtetasit nga Delvina dhe Saranda: Arben Kanina, 46 vjeç, Petro (Abedin) Kuçi, 46 vjeç, Mirel Ademi, 31 vjeç dhe Artur Shukulli, 42 vjeç. Këta persona dyshohet se, bashkë me disa të tjerë, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg. lëndë narkotike “canabis sativa”, si edhe në Greqi rreth 670 kg. lëndë narkotike, në vitin 2014.
Në këto ngjarje janë përfshirë një numër i lartë personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë. Implikimi “Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se: Në datë 04.10.2013 janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, në vijim të një hetimi të nisur pak kohë para arrestimit të tyre, shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në mjetin në përdorim të tyre u gjet një sasi prej rreth 85 kg. lëndë narkotike, të cilën synonin ta trafikonin në drejtim të Italisë.
Këta persona ishin në vëzhgim, në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda të nisur ndaj tyre dhe disa personave të tjerë. Pjesë e këtij grupi dyshohet se ka qenë edhe shtetasi Odise Verbofshi, banues në Durrës. Ky person konsiderohej si një prej trafikantëve që organizonte banorë nga Fushë-Kruja për mbledhjen e sasive të canabis-it, të cilën më pas synonte ta trafikonte jashtë Shqipërisë. Në një nga episodet e shkëmbimit të lëndës narkotike në banesën e tij në Durrës, Odise Verbofshi vret dhe djeg më pas në makinë dy persona, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit për këtë rast, Verbofshi dhe dy viktimat ishin konfliktuar për cilësinë e lëndës narkotike të siguruar në Fushë-Krujë dhe pagesës që duhej të bënte Verbofshi. Për këtë episod, Odise Verbofshi është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, që ai rezulton të jetë pjesë thelbësore e grupit që është aktualisht në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda. Gjatë hetimit të këtij grupi nga Tirana, në fillim të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda konstaton se ata bashkëpunonin me disa persona të tjerë, kryesisht nga Delvina dhe Lazarati.
Hetimi është zhvilluar para ndërhyrjes së forcave të Policisë në fshatin e Lazaratit. Pjesëtarët e grupit nga Tirana kishin porositur një sasi lënde narkotike, të cilën dyshohet se do ta trafikonin për në Greqi. Ky plan u zbulua gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe grupi i personave u mbajt nën mbikëqyrje. Nga vëzhgimi, disa persona po tentonin të trafikonin nëpërmjet kufirit malor me Greqinë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike me anën e mushkave. Por ky plan nuk u rezultoi i suksesshëm, për faktin se grupi i personave me kafshë po ndiqej nga policët që i kishin nën vëzhgim”.
Dy vite më parë
Mesnatën e datës 27.04.2014, policia ndërhyri, por mundi të arrestonte në flagrancë vetëm shtetasin Artur Balilo, i cili gjendej në një mjet me 3 persona të tjerë, të cilët po koordinonin trafikimin e lëndës narkotike me kafshë. Gjatë arrestimit të Balilos u gjet edhe një armë automatike, ndërkohë që personat e tjerë u larguan me shpejtësi në errësirë. Po ashtu, nuk u bë e mundur kapja e lëndës narkotike në atë moment, pasi terreni ishte i thyer dhe errësirë, gjë që vështirësonte planin operacional policor. Kjo lëndë narkotike u zbulua dy ditë më pas, më datë 29.04.2014, në një automjet në fshatin Varfaj, në vijim të operacionit policor, të koordinuar nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, ditët e fundit, Prokuroria për Krime të Rënda konkludoi mbi personat e dyshuar për këtë rast trafikimi dhe kërkoi nga Gjykata për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Pas vendimit të gjykatës, gjatë dy ditëve të fundit u bë i mundur arrestimi i personave të përfshirë, të cilët dyshohen për veprën penale të ”Trafikimit të lëndëve narkotike”. /shekulli/