“Office Online” do të zëvendësojë së shpejti Word dhe Exel Web App

0
128

Microsoft po përgatitet për ndryshimin e emrit të Office Web Apps në “Office Online”. Ky ndryshim pritet të shoqërohet njëkohësisht edhe me përmirësimin e versioneve online të Word, Exel, PowerPoint dhe OneNote, të cilat pritet të jenë më të lehta për t’i gjetur dhe për t’i aksesuar. Sipas burimeve në dijeni të planeve më të fundit të Microsoft rezulton se Office Online do të lançohet në javët në vazhdim dhe faqja office.com e Microsoft-it do të ridizajnohet për t’ju përshtatur këtyre ndryshimeve.

Microsoft do të fillojë të përdorë emrat “Exel Online” dhe “Word Online” në vend të “Exel Web App” dhe “Word Web App”. Aplikacionet Office në ueb aktualisht janë të vendosura në SkyDrive (OneDrive) dhe nuk janë shumë të dukshme për konsumatorët. Është e kuptueshme që Office Online do të vazhdojë të jetë e disponueshme nëpërmjet SkyDrive, por office.com do të shërbejë si një mënyrë më e lehtë për të aksesuar aplikacionet e ndryshme në ueb.

Microsoft po përpiqet të realizojë ndryshimet ndaj aplikacioneve ekzistuese Office në ueb në mënyrë që t’i lançojë ato së bashku me emrin e ri. Është njoftuar gjithashtu se në Outlook.com do të shfaqet një menu e re navigimi që do të nxjerrë më në sipërfaqe versionet online të Word, Exel, PowerPoint dhe OneNote. Edhe ky ndryshim është pjesë e planit të kompanisë për të bërë aplikacionet Office në ueb më të dukshme për konsumatorët. (PCWorld Albanian)/kohaislame