OKB – DITA E MADHE PËR STATUSIN E PALESTINËS

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të votojë kërkesën palestineze për anëtarësim me statusin “shtet joanëtar vëzhgues”.

Përpara votimit në OKB, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu, realizoi në Nju-Jork një takim me Presidentin palestinez, Mahmud Abas.

Dalëngadalë po qartësohen edhe ngjyra e votave të vendeve pjesëmarrëse në votim. Së fundmi ishte Greqia ajo që deklaroi se do të votojë në favor të Palestinës.

Ndërkohë që Britania e Madhe dhe Gjermania do të abstenojnë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të votojnë kundër Palestinës, e cila aktualisht ka statusin e “autoritetit vëzhgues në OKB” dhe po përgatitet që me anë të votimit të sotëm të bëhet “shtet joanëtar vëzhgues”.

Duke marrë parasysh se deri më tani Palestina është njohur nga 132 shtete, shumica e opinionistëve presin që votimi të rezultojë në favor të Autoritetit Kombëtar Palestinez.

Nga ana tjetër, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbizotëron një divergjencë mendimesh për çështjen e statusit të Palestinës.

Deri më tani anëtarja më e rëndësishme e BE-së, që është shprehur publikisht pro statusit “shtet joanëtar vëzhgues në OKB” për Palestinën, është Franca.

Administrata e Fransua Olandit, vendi i të cilit është njëri nga dy shtetet evropiane anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se do t’i thotë “po” statusit të ri palestinez.

Një tjetër vend propalestinez me peshë në BE, që mbështetjen e tij për Palestinën e rikonfirmoi sërish gjatë vizitës së Kryeministrit turk, Rexhep Tajip Erdoan, rezulton gjithashtu Spanja.

Përkrahjen e tyre për statusin e Palestinës si “shtet joanëtar vëzhgues në OKB” e kanë bërë publike edhe Portugalia, Finlanda, Irlanda, Austria, Danimarka, Norvegjia dhe Zvicra.

Kurse Berlini zyrtar, i cili më parë kishte votuar kundër anëtarësimit të Palestinës në UNESCO, deklaroi se sot do të abstenojë.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë, Uilliam Heg, theksoi se janë “të hapur për idenë e votimit në favor të rezolutës, në qoftë se shohim se palestinezët do të përmbushin disa pika duke përfshirë kthimin e tyre të menjëhershëm në tryezën e bisedimeve mbi krijimin e një shteti palestinez”, një “po me kusht” kjo që tingëllon më shumë si abstenim.

Votë asnjanëse sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të përdorin edhe disa vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian./trt/kohaislame 

Artikulli paraprakVendimi i Hagës: Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj te pafajshëm
Artikulli vijuesZvicra, vendi më i mirë për të jetuar