Operacionet anti-drogë në Shqipëri që kanë nisur prej disa javësh janë të shtrira në disa rrethe të vendit, si në jug ashtu edhe në veri. Në orët e fundit këto operacione janë zhvilluar në rrethet Shkodër, Pukë, Malësi e Madhe, etj, ku janë asgjësuar 2.180 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme operacionet anti-kanabis janë shtrirë në zonat e Tepelenës, ku janë angazhuar rreth 100 forca policore. Gjatë këtij operacioni janë asgjësuar rreth 16.305 bimë narkotike.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga puna e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe, në vijim të operacioneve anti-kanabis, për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella, në disa zona të këtyre rretheve janë gjetur parcela të mbjella me lëndë narkotike.
Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ku një pjesë e tyre u mor në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu policia ka nisur hetimet për identifikim dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Prokuroria së rrethit gjyqësor Shkodër do të vazhdojë hetimet për veprën penale ”Kultivim i bimëve narkotike”.