Opozita kërkon edhe dorëheqjen e Beqajt

Për deputetët e opozitës nuk mjafton vetëm shkarkimi i drejtorit menaxhues të KEK-ut, por ata kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj për tarifat e energjisë elektrike që kanë ardhur të fryra në muajin janar.

Këto qëndrime të deputetëve janë dhënë në debati parlamentar lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013.

Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija në emër të Grupit Parlamentar, ka thënë se faturat për shpenzimin për muajin janar 2013 shkaktuan valën e pakënaqësive të qytetarëve.

Sipas saj, qytetarët pakënaqësitë i shprehën përmes ankesave drejtpërdrejt në KEK, por edhe përmes protestave, numri i të cilave po arrihet drejt eskalimit.

Deputetja Sahatqija ka thënë se nuk po kërkohet dorëheqja e drejtorit, Arben Gjukaj, por sipas saj problemi është në Qeverinë e Kosovës.

“Duhet të merren masa ndaj atyre që kanë kryer gabime. Në anën tjetër duhet të kuptohet se ne nuk kërkojmë heqjen e kokave apo dorëheqjen e Arben Gjukajt si udhëheqës i KEK-ut, por problemi është në Qeverinë e Kosovës”, ka theksuar Sahatqija.

Madje ajo ka kërkuar që si propozuese e debatit të formohet Komisioni Parlamentar Ad-hoc i mbështetur me Kushtetutën e Kosovës, dhe sipas rregullorës së Kuvendit dhe i cili do të analizonte zhvillimet dhe procedurat rreth zhvillimeve të lartpërmendura, të përgatis raportin dhe të gjitha të gjeturat t`ia dorëzojë Kuvendit për diskutim brenda afatit tre javor nga data e formimit të tij.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se Komisioni Ndërministror, ka kërkuar nga Bordi i KEK-ut shkarkimin e drejtorit ekzekutiv të KEK-ut.

Për më tepër ai i ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve për arrogancë e treguar nga udhëheqësi i KEK-ut në raport me qytetarët e vendit.

“Ky rregullator ka konstatuar se ka shkelje dhe mbi përcaktimin që ka bërë rregullatori dje pasdite ne kemi marr masat e duhur dhe kemi kërkuar nga bordi se na nuk kemi kompetencë prapë me shkarkuar drejtor. Por Komisioni Ndërministror ka kompetencë ligjore të kërkon nga Bordi i KEK-ut, i cili është përfaqësues i aksionarit të shkarkon drejtorin ekzekutiv për shkak të mosmenaxhimit të situatave dhe nganjëherë nga qasja jo shumë korrekte dhe unë dua të kërkoj falje qytetarëve nga qasja e cila ka ndodhur nga KEK-u se ka qenë një arrogancë që vërtet e ka denigruar raportin e qytetarit në raport me institucionin e vet”, ka theksuar ministri Beqaj.

Por deputeti i LDK-së, Ali Sadriu ka vlerësuar disa hapa që ka ndërmarr ministri Beqaj. Por ai në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit.

Një fjalë për këtë ka mbajtur edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se zhvillimi i mëtejmë i tregut energjetik duhet të jetë pa monopol.

Ai ka thënë se shqetësimet që janë ngritur nga protestuesit janë fakte të mjaftueshme për të analizuar modelin menaxhues të KEK-ut.

Për më tepër ai ka ngritur edhe disa pyetje pse politikat aktuale energjetike në Kosovë janë shmangur nga politikat e tregut të lirë.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri faturat e janarit, janë më të larta sesa që është dashtë të jenë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se ajo që është thënë që konsumatorët nuk do të shkyçen po ndodh e kundërta.

Ajo duke kritikuar ministrin Beqaj për mos kompetencë, e ka pyetur atë se a ka pas kompetencë për të nënshkruar kontratën e Distribucionit të KEK, që sipas saj është falur.

Edhe Haxhiu i ka kërkuar ministrin Beqaj dorëheqjen e tij.

Shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se ky avaz i KEK-ut po vazhdon që tri vite.

Për më tepër ajo ka thënë se gabimi është te menaxhmenti, duke kërkuar jo vetëm shkarkimin e Gjukajt, por edhe të bordit të KEK-ut.

Debati është duke vazhduar ende, ndërsa pritet që në fund të debatit të nxjerrën edhe disa rekomandime.kohaislame

Artikulli paraprakShembet ura, bllokohet rruga Gjakovë-Prishtinë
Artikulli vijuesHelmohen nxënësit e Gjimnazit në Skenderaj