Fjalimi i një dite më parë i presidentit Gjorge Ivanov me të cilin për krizën politike, me përjashtim të VMRO-së së Nikolla Gruevskit, akuzoi të gjitha partitë tjera politike, sektorin civil, por edhe ndërkombëtarët, ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që po ashtu ishte në shënjestër të Ivanovit, vlerëson se kreu i shtetit me veprimet e pamatura dhe selektive po thellon edhe më shumë krizën në vend, transmeton rel.
“Mendoj se Gjorgje Ivanovi një gjë duhet ta ketë parasysh, nëse nuk mundet ta ndihmojë këtë vend, së paku të mos e dëmtojë. Këtë e them për shkak të vendimeve të tij për faljen e zyrtarëve dhe pastaj tërheqja e tyre, ishin vendime politike skandaloze pasi e rrënoj sistemin e drejtësisë në Maqedoni”, ka deklaruar Rafis Haliti, anëtar i kryesisë së BDI-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
“Gjorgje Ivanovi vazhdon me skandalet dhe sipas meje punën më të mirë në jetën e tij që do të duhej ta bënte, është që të jep dorëheqje dhe t’i hap rrugën zgjedhjes së një presidenti që do të përfaqësonte të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka deklaruar Haliti.
Lidhja Social Demokrate e opozitës ndërkohë ka reaguar përmes një komunikate duke e vlerësuar të rrezikshëm për vendin fjalimin e presidentit Ivanov. Sipas LSDM-së, Ivanovi dëshmon se “jo vetëm që është i paaftë, por edhe paparashikueshëm dhe person i rrezikshëm” deri sa e ushtron funskionin e presidentit të shtetit.
“Në një situatë të krizës së thellë politike, kur rrugët janë të mbushura me njerëz që kërkojnë drejtësi dhe liri, Ivanov kërcënohet me përdorimin e Armatës dhe grushtet kundër qytetarëve të vet. Derisa Ivanovi flet për organizata terroriste dhe qendra të huaja, ai me vetëdije të plotë anashkalon rrezikun real për vendin nga struktura kriminale në pushtet. Në vend që të veproj ashtu siç i ka hije një presidenti të shtetit, Ivanov është vënë në shërbim të familjes kriminale e cila më shumë se 10 vite po sundon me Maqedoninë. Pas këtij fjalimi të Ivanovit, të gjithë ata që kanë votuar kundër impiçmentit në Kuvend do të mbajnë mbi supet e tyre turpin që ai po i shkakton Maqedonisë”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së. Opozita vlerëson se vendimin më të mirë që mund të merrte Ivanovi do të ishte ai i dorëheqjes së tij nga posti i Presidentit të shtetit.
Fjalimi i Presidentit vlerësohet si një nga paraqitjet e tija më të dëmshme në kohën kur vendi ndodhet në krizë të thellë politike. Mirjana Najçevska, eksperte juridike dhe njohëse e çështjeve politike, thotë se Ivanov ka betonuar qëndrimet e opinionit publik se ai është në shërbim të partive në pushtet.
“…Me mbrojtjen haptas të pozicioneve të partisë në pushtet, Ivanovi vetëm sa rritë ndasitë në shoqëri që mund të marrin përmasa të paparashikueshme. Ai me vendimet për faljen e zyrtarëve të inkriminuar ka dëshmuar se është vendosur në anën e krimit dhe jo të drejtësisë” ka deklaruar Najçevska
Fjalimi i Presidentit Ivanov me të cilin ai akuzon opozitën, BDI-në në pushtet, sektorin civil por edhe faktorin ndërkombëtar për bllokimin e procesit integrues pasoi dështimin në Kuvend të nismës së opozitës për votën e mosbesimit apo përgjegjësinë e tij pas vendimit për faljen e zyrtarëve që po hetohen për vepra të rënda nga prokuroria speciale.