Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë mohuar se akademik Rexhep Qosja apo Murat Jashari janë kandidatë të opozitës për president.
Përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike kanë thënë se çështjen e kandidaturës për president opozita ende nuk e ka diskutuar. Sipas tyre, tani primare për ta është çështja e dorëheqjes së Qeverisë, shkruan ‘Epoka e re’.
“Subjektet opozitare deri tash nuk kanë diskutuar asnjëherë çështjen e një kandidature për president që do të vinte nga opozita. Në momentin kur çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vijë në agjendën e Kuvendit, ne do ta diskutojmë dhe do të vendosim”, ka thënë për Epokën e re, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.
Edhe zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, e ka thënë të njëjtën gjë kur është pyetur nga Epoka e re për këtë çështje.
“Opozita deri më sot nuk ka folur për një kandidat të saj për president. Të gjitha njoftimet për kandidatin e opozitës, se do të jetë ky apo do të jetë ai, janë spekulime”, ka thënë Nitaj.