ORGANIZATA E SHËNDETËSISË KËRKON EVAKUIM URGJENT TË TË SËMURËVE NGA ALEPO

Organizata botërore e shëndetësisë dërgoi apel deri te bashkësia ndërkombëtare për evakuim urgjent të qindra personave të sëmurë dhe të plagosur nga qyteti sirian Alepo.

Ashtu siç lajmëroi “Zëri i Amerikës”, sipas vlerësimeve të OBSH-së, në sulmet ajrore dhe luftërat në Alepo vetëm në dy javët e fundit janë vrarë dhe plagosur mijëra persona, prej të cilëve një e treta janë fëmijë.

“Gjendja është me të vërtetë e papërfytyrueshme. Sipas fjalëve të përfaqësuesve shëndetësorë, kanë humbur jetën 338 persona, prej të cilëve 106 fëmijë. Në të njëjtën kohë, janë plagosur 846 persona, prej të cilëve një e treta ose 261 janë fëmijë”, deklaroi drejtori për operacione humanitare të OBSH-së, Rik Brenan.

Në të njëjtën kohë, organizata “Mjekë pa kufij” sot kumtoi se pjesa lindore e Alepos, e cila është nën kontroll të kryengritësve, me ofensivën e forcave qeveritare siriane dhe përparimin e tyre drejt qytetit, është shndërruar  në “thertore të madhe”.

Forcat qeveritare siriane të ndihmuar nga sulmet ajrore ruse, dje filluan ofensivë të re kundër kryengritësve në Alepo dhe filluan të përparojnë drejt pjesës lindore të qytetit.

Kombet e Bashkuara nga ana e tyre paralajmëruan se Alepos i kanoset “katastrofë humanitare” dhe bëri thirrje  në ndërprerje urgjente të armiqësive.

Qendra siriane për monitorimin e të drejtave të njeriut, me seli në Londër, kumtoi se është e dukshme që ushtria siriane është vendosur me çdo çmim ta kthejë kontrollin ndaj Alepos.

Për shkak të luftërave të ashpra në Alepo, në pjesët e qytetit nën kontroll të kryengritësve janë bllokuar rreth 300.000 persona, të cilët përballen me mungesë të ushqimit, ilaçeve dhe energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të Qendrës, në sulmet ajrore ruse  në tërë territorin e Sirisë për një vit kanë humbur jetën mbi 9.000 persona, mes të cilëve edhe një numër i madh i civilëve.

Artikulli paraprakBombardimet mbi spitalin në Alepo, Franca i konsideron krim lufte
Artikulli vijuesPolicia izraelite vret një palestinez në Bregun Perëndimor