OSBE-ja pastron tabelat ku janë mbuluar gjuhët boshnjake dhe turke

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë Misioni në Kosovë, nëpërmjet iniciativës së zyrës në Prizren dje filloi pastrimin e tabelave të trafikut ku ishin të njollosura informacionet në gjuhët boshnjake dhe turke, transmeton Gazeta e Re.

Tabela ku shkruante ‘Mirë se erdhët në Prizren’ dhe tabelat e tjera të komunikacionit ishin të dëmtuara nga disa persona identiteti i të cilëve nuk dihet ende.

Ata e kishin njollosur me sprej me ngjyrë të zezë pjesët ku shkruanin vendet dhe informacionet në gjuhën boshnjake dhe turke.

Në lidhje me incidentin kishin reaguar edhe autoritetet e minoriteteve.

Pas raportimeve të shumta Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, zyra në Prizren ndërmori hapat e nevojshme dhe zbatoi projektin për pastrimin e këtyre tabelave.

Zëvendësdrejtori i OSBE-së, dega në Prizren, Umit Ayanci lidhje me rastin shprehi shqetësimet duke dënuar sulmet e bëra, raporton DHA.

“Ne si organizatë ndërmorëm hapat e nevojshme dhe pastruam këto tabela, rastet janë vërtet për keqardhje, dua te theksoj se gjuhët boshnjake dhe ajo turke janë ndër gjuhët zyrtare në Komunën e Prizrenit”, shtoi Ayanci.

Artikulli paraprakPresidenti Thaçi ndan “Urdhrin e Lirisë” për qytetarët e Kukësit
Artikulli vijuesQenët endacak terrorizojnë lagjet e Prizrenit gjatë natës