OSDH: Mbi 100.000 të vdekur që nga fillimi i revoltës në Siri

Më tepër se 100.000 sirianë, kryesisht civilë, kanë vdekur në Siri që nga fillimi i revoltës kundër regjimit të Presidentit Beshar Esed, bëri të ditur sot Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër (OSDH).

“Numri i civilëve të vrarë është 36.661, ai i kryengritësve 18.072 dhe ai i ushtarëve 25.407”, theksoi OSDH-ja.

Mes civilëve të vrarë rezultojnë 3.330 gra dhe 5.144 fëmijë nën moshën 16 vjeç.

Në mesin e kryengritësve të vrarë figurojnë 13.539 civilë të armatosur, 2.518 luftëtarë të huaj dhe 2.015 dezertorë.

Trupat e regjimit mbështeten nga paramilitarët “shabiha”, që kanë humbur 17.311 anëtarë dhe nga militantët shiitë të Hizbollahut libanez, që kanë humbur 169 persona.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut theksoi gjithashtu se 2.571 të vdekur nuk janë identifikuar dhe se gjendja e mbi 10.000 të burgosurve mbetet ende e panjohur.

Bëhet e ditur se numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë, kjo për shkak se palët në konflikt i fshehin të dhënat mbi humbjet. Veçanërisht mendohet se numri i civilëve të vrarë mund të jetë afër 200 000.

Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar Katarin që të rishikojë qëndrimin e tij në lidhje me Sirinë.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Ali Ekber Salihi i bëri thirrje Emirit të ri të Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al-Thani që mos t’i ofrojë më mbështetje opozitës siriane./trt

Artikulli paraprakPrifti pedofil trondit Vatikanin, akuzon 4 priftërinj të tjerë
Artikulli vijuesSnowden ka fshehur kopje të dokumenteve të vjedhura