Pacientja kërkon 20 mijë euro për shërim, Ministria i jep 2,200

Një paciente që vuan nga një sëmundje e zemrës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë 20,000 euro për kurimin e saj jashtë vendit, por i është ofruar 10 herë më pak.
Ky është rasti i Sofie Fazliut, nga komuna e Mitrovicës, në bazë të fletëlëshimit të QKUK-së, për referim të pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike, është përcaktuar si rast emergjent me sëmundjen kardiologjike “wpw sindrom”.

Ajo ka kërkuar në Ministrinë e Shëndetësisë mjete financiare për shërim, por nuk iu është ofruar shuma e kërkuar.

Vajza e Sofie Falziut, Valbona, ka raportuar në KALLXO.com, se nëna e saj, në vitin 2009 është bërë operacion nga kjo sëmundje por nuk ka pas sukses. Sipas saj, operacioni është bërë në Turqi.
Më pas ajo ka treguar se ka bërë kërkesë të dytë për trajtim në vitin 2014, ku iu janë ofruar 5 mijë euro për një spital privat në Kosovë.

Por, me arsyetimin se kanë dashur trajtim më adekuat në një qendër e cila ju siguron sukses, Fazliu nuk ka pranuar shumën e dytë prej 5 mijë eurove.

Vajza e Sofies, tha se e kanë siguruar një profaturë për shërim në Gjermani. Ajo thotë se spitali gjerman iu ka ofruar çmimin prej 20 mijë eurove dhe ju ka siguruar shërim.

Por, në korrik të këtij, viti Ministria e Shëndetësisë i ka lëshuar 2,200 euro për shërim.

Fazliu është detyruar më 16 korrik, të bëjë ankesë duke kërkuar shumën e plotë për të cilën nuk kanë marrë ende përgjigje.

Meqenëse ankesa i ka kaluar 30 ditë, Fazliu është ankuar sërish më 4 shtator.

Divizioni i Komunikimit me Publikun i Ministrisë së Shëndetësisë pohoi për KALLXO.com se pacientja ka aplikuar në zyrën e Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJSHP).

Në përgjigje thuhet se fillimisht Ministria e Shëndetësisë për rastin e pacientes, iu ka përgjigjur kërkesës së saj për trajtim, duke e dërguar atë në Republikën e Turqisë, në kuadër të 100 qytetarëve kosovarë që nga ky shtet trajtohen falas brenda një viti.

“Por, fatkeqësisht atje nuk i është ofruar shërbimi meqenëse është konsideruar si rast me komplikime më të rënda se sa është menduar fillimisht. Kështu që MSh-ja, në kërkesën e saj të dytë ka ekzekutuar pagesën prej 5 mijë eurosh në një spital privat këtu në Kosovë, (2014), por për arsye personale të S.F. nuk është kryer intervenimi, dhe të hollat e alokuara në këtë spital janë shfrytëzuar për trajtim mjekësor të një pacienti tjetër”, thuhet në përgjigje të Divizionit për Komunikim me Publikun.

Më tutje, thuhet se në vitin 2015 Fazliu, ka aplikuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe iu janë ofruar 2 mijë e 200 euro duke u bazuar në çmimin e tregut rajonal për këtë shërbim.

“Në vitin 2015, prapë S. F. ka aplikuar në MSh, konkretisht, në Zyrën e Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësorë Publik (TMJSHP), për të njëjtin trajtim, ku nga Bordi i TMJSHP-së i janë ofruar mjetet në shumën 2,200 euro, duke u bazuar në çmimin e tregut rajonal për këtë shërbim”, thuhet në përgjigje.

Sipas përgjigjeve, pasi që Fazliu nuk e ka pranuar shumën, ka bërë ankesë dhe në Komisionin e TMJSHP-së, dhe ata i janë përgjigjur rreth këtij vendimi të Bordit të TMJSHP-së.

“Çmimi i ofruar është real duke e pas parasysh se trajtimet e tilla në rajon kryhen po me atë çmim, dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të mbështete me një shumë prej 20 mijë eurosh (sipas profaturës së ofruar nga aplikuesi), kur i njëjti shërbim ofrohet në rajon me një çmim 10 herë më të vogël”, thuhet në përgjigje.

Artikulli paraprakRreth 5.500 refugjat në ditë futen në Maqedoni nga Greqia
Artikulli vijues"Skamja qoj në vetëvrasjen e 48 veteranëve"