Ish numri dy i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka komentuar ato që kreu aktual i ekzekutivit, Isa Mustafa po i renditë si suksese të vitit 2015, nën drejtimin e Qeverisë nga ai.
“E lexova një postim të Qeverisë në të cilin numëroheshin ‘sukseset’ gjatë këtyre dy viteve. Është për t’u habitur sinqerisht se si mundet qeveria që të flasë për sukseset dhe implementimin e premtimeve nga fushata zgjedhore.
Unë kam marrë vendim që kësaj radhe të jam ekskluzivisht në anën e qytetarit duke parë se deri më tani, ju, partnerët e koalicionit keni abuzuar me mirësinë, ndjenjat dhe qëllimin tim konstruktiv që pata në të kaluarën për hirë të shtetndërtimit të Kosovës”, shkruan Pacolli, në profilin e tij në Facebook.
Pacolli i është kthyer sërish fjalëve të urta popullore për të përshkruar atë që po ndjen në raport me koalicionin që po qeverisë me vendin.
“Një fjalë popullore thotë; po më mashtrove njëherë, nuk është dobësi e imja pse unë besova, por të më mashtrosh për herën e dytë është përgjegjësi e imja sepse e kam ditur se më mashtroni. Pra, duke u nisur nga kjo, për herën e dytë asnjëherë nuk do të lejoj që të mashtrohem”, ka thënë Pacolli. “Unë çdo gjë kam bërë për hirë të shtetndërtimit dhe për respekt ndaj institucioneve. Qeveria e dy partnerëve, për fat të keq nuk ka pasur asnjë sukses në këtë periudhë, përveç në ruajtjen e sigurisë dhe në arsim”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij, Qeveria ekonomikisht ka dështuar.
“Qytetarët sot janë më të varfër. Ka më tepër papunësi dhe shumë më pak perspektivë dhe shpresë. Keni administratë të stërngarkuar ku efiqenca e punës nuk arrin më tepër se 5 %. Kjo do të thotë se 95 për qind e kohës tjetër shfrytëzohet jo për punë por për qejfet e secilit. Keni rritur shpenzimet e administratës në mënyrë marramendëse, duke dyfishuar dhe trefishuar numrin e njerëzve të cilët nuk e dinë se për çka janë aty. Ju nuk keni bërë asgjë në investimet kapitale përveç në investime për komoditetin e qeveritarëve. I keni shkatërruar zonat e lira ekonomike të cilat u krijuan me shumë mund, duke e lënë Maqedoninë të përfitojë nga kjo. Nuk ka rritje ekonomike si efekt i politikave qeveritare. Nuk ka perspektivë që buxheti i Kosovës të mbushet me të hyra jashtë doganave(kur fillon lëvizja e lirë e mallrave nuk mund të inkasohen para nga doganat)”, ka thënë Pacolli, teksa ka vazhduar numërimin, përcjell koha.net. “Nuk keni krijuar fond kombëtar të emergjencave (Çka do që ndodhë, kjo qeveri ka dështuar për të vepruar). AKP-ja ende mbetet agjension i korruptuar dhe është duke vazhduar ta dëmtojë shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës. Pse nuk tregoni se nuk do të ketë “Kosovë të Re”(termocentral) me investime të huaja. Ju garantoj qytetarëve se nuk ka investitor që do të vjen në Kosovë për të investuar miliarda me këtë qeveri në krye të vendit”, ka thënë Pacolli.
Tutje, Pacolli ka thënë se do të ketë “Kosovë të Re” vetëm nëse shpenzimet për atë do të paguhen nga buxheti i Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës në këtë rast do të kenë alternativa për të instaluar një stabiliment efiqient nga tregu i lirë e jo nga një furnizues një burimor me të cilin pjesëtarët e kësaj qeverie prapë do të tentojnë të kamuflojnë. Do të insistoj deri në fund që ti mbajë qytetarët e Kosovës të informuar për këtë pikë shumë delikate”, ka thënë Pacolli.
Duke iu drejtuar Qeverisë, Pacolli ka thënë se “‘Trepçën’ e keni fundosur, ju dy partitë në pushtet. Keni premtuar para dy vitesh ligj për Trepçën dhe keni dështuar. Tani po vazhdoni ta shkatërroni atë, për shkak të mosdijes dhe mos vullnetit tuaj. Tani qytetarët e Kosovës po e paguajnë këtë”.
“Brezovica po shkon drejt dështimit të radhës duke shkelë parimet ndërkombëtare, të të bërit biznes. (Kur dështon i pari duhet të vijë në konsideratë i dyti me radhë që ka qenë në garë). Keni dështuar totalisht në promovimin e Kosovës si shtet i pavarur, pa njohje dhe me rënie drastike të imazhit të Kosovës. Ju nuk po e shihni se Kosova është duke u përmbytur në mbeturina. Keni shkatërruar ambientin, lumenjtë, malet, fushat, arat”, ka thënë Pacolli.
E teksa ka folur në cilësinë e ndërmarrësit dhe duke marrë shembull kompanitë e tij, Pacolli ka thënë se “si qeveri, kompanitë që investojnë në Kosovë nuk i keni mbështetur askund. Nuk e kemi parë ekzistencën e shtetit përveç në rastet kur keni inkasuar tatime. Përkrah krejt objekteve që ju rrinë bosh, kompanitë e mija është dashur të marrin tokë dhe hapësira me qira për të ngritur prodhimtari. Shkoni dhe shikoni fabrikën e kërpudhave në Mitrovicë dhe atë të konfeksionit në Gjakovë dhe do ta shihni se me çfarë vështirësi dhe çfarë obstrukrione janë ngritur ato”, ka thënë Pacolli.
I është kthyer sërish Qeverisë.
“Ju flisni për premtimet e realizuara por ku janë 150 mijë vendet e reja të punës? Ku është fondi i punësimit? Ku janë paratë e privatizimit? A u kthyen ato në Kosovë? Ku janë paratë e fondit pensional? A u kthyen ato në Kosovë?”, ka pyetur Pacolli. “Si konkluzion e them se si gjatë kampanjës ashtu, dhe tani ju po e mashtroni qytetarin e Kosovës”.