Si asnjëherë më parë, delegacionet nga Kosova dhe Serbia, në bisedimet teknike në Bruksel, kanë kumtuar qëndrime e deklarata krejtësisht të kundërta rreth rezultateve dhe marrëveshjeve të arritura.
Deklarata kundërthënëse kanë prezantuar edhe ministra brenda Qeverisë së Kosovës.
Fillimisht, ishte ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, ai i cili kishte konfirmuar formimin e një ekipi menaxhues për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më pas, i njëjti ishte demantuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila tha se ekipi që Mariq dhe delegacioni i Beogradit kanë prezantuar, nuk ka mandat për të hartuar statutin e Asociacionit. Madje, sipas saj, anëtarët e këtij ekipi as që janë lejuar të futen në hapësirat ku delegacionet e Kosovës dhe Serbisë i zhvillojnë bisedimet në Bruksel. Sipas Tahirit, ky ekip ishte manipuluar nga Serbia dhe se ai nuk mund të fillojë punën në këtë fazë.
“Puna e këtij grupi mund të fillojë vetëm atëherë kur ai të autorizohet nga Qeveria e Kosovës. Nuk është vetëm ky grup menaxhues që do të punojë në të ardhmen për statutin, por është edhe përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, si dhe misioni i OSBE-së dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë”.
“Porosia ime për këtë grup është që është mirë që ta dinë se është një mekanizëm i krijuar nga shteti i Kosovës dhe duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës. Nëse do të lejohen të manipulohen përsëri nga Serbia, dhe ata e lejojnë këtë manipulim, ka mundësi që i shkarkojmë”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, ministri Lubomir Mariq, nuk është prononcuar në lidhje me këtë ekip menaxhues dhe deklaratat e tij se puna për hartimin e statutit ka filluar.
Kurse zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekipi menaxhues ekziston që nga viti 2013. Por, dy anëtarë të këtij grupi, Lubomir Mariq, tani ministër dhe Dragan Jabllanoviq, kryetar i komunës së Leposaviqit, janë zëvendësuar ndërkohë me dy anëtarë të rinj, për shkak se kishte konflikt interesi.
Ky ekip, ka thënë Gecaj, është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe do të funksionojë vetëm në koordinim me Qeverinë dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë.
“Ky ekip është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të gjitha veprimet duhet t’i bëjë në koordinim me institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, sipas marrëveshjes, është e paraparë që ekipi në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, me misionin e OSBE-së dhe me Bashkimin Evropian do të punojnë në hartimin e statutit të Asociacionit”, ka thënë Gecaj.
Nisur nga këto zhvillime rreth Asociacionit, analisti Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd thotë se me gjithë deklaratat kontradiktore për media, po krijohen kushtet që të hartohet statuti i Asociacionit. Por, i gjithë procesi, sipas tij, duhet të kalojë përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe ligjeve të Kosovës.
“Tani janë krijuar kushtet që të fillohet puna e përbashkët për hartimin e statutit i cili do t’i dorëzohej Qeverisë së Kosovës gjatë tetorit, në mënyrë që pastaj në tetor apo nëntor të sjell vendimin për themelimin e Asociacionit. Mendoj se ky nuk është një përparim historik siç po prezantohet, por është një përparim i rëndësishëm”, ka thënë Janjiq.
Analisti Janjiq thotë se i kupton deklaratat e nxituara dhe shpesh kundërthënëse të zyrtarëve të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat sipas tij, bëhen më shumë për konsum të brendshëm politik.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe parashihet me Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 19 prill të vitit 2013.
Por, themelimi i këtij Asociacioni, sipas zyrtarëve në Prishtinë do të mundësohet vetëm pasi që Beogradi t’i shuajë strukturat paralele të pushtetit në veri dhe pasi që të pajtohet për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës dhe marrëveshje të ngjashme që janë nënshkruar në Bruksel, por të cilat nuk janë zbatuar ende. (REL)