Paralajmërohet ngritja e çmimit të naftës në Kosovë

Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë pritet të kenë ngritje si pasojë e një trendi të çmimeve në gjitha tregjet botërore.

Edhe pse tani qytetarët e Kosovës shërbehen me çmimet më të lira në rajon (duke përjashtuar Maqedoninë), brenda një kohe pritet që këto çmime të jenë më të larta.

I kontaktuar nga Indeksonline, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë janë kësisoj: Dizell 1.10 cent kurse Benzina, 1.11 cent.

“Qytetarët janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë që e ka akcizën më të lirë, në regjion. Sot çmimet në Kosovë janë: Dizell 1.10, Benzina 1.11”, ka thënë Berjani.

 

Ai ka deklaruar se pritet të ketë ngritje të këtyre çmimeve.

“Sa i përket çmimeve të derivateve në tregjet botërore, është një rritje e lehtë dhe dihet se çmimet i dikton Berza dhe organizata prodhuese ‘OPEC’, ku prodhimi është më i vogël dhe kemi rritje të lehtë edhe te ne në Kosovë, por çmimi për me pakicë akoma nuk ka rritje apo lëvizje. Në bazë të këtij trendi, pritet që të ketë rritje të çmimit të derivateve në të ardhmen”, ka shtuar Berjani.

Qytetarët, javë më parë kishin mirëpritur uljen e çmimit të naftës, mirëpo ata dëshirojnë që cilësia e saj të jetë më e lartë pasi që në disa pika karburanti, derivatet lënë shumë për të dëshiruar./Indeksonline/

 

 

Artikulli paraprakAAK: Jemi të gatshëm për zgjedhje që nga nesër
Artikulli vijuesRama: As dorëheqje e as zgjedhje