Parimi i Bdi-së i padukshëm në marrëveshjen e majit

Parimi “fituesi me fituesin” për formimin e qeverisë nuk është i shënuar në mënyrë taksative në Marrëveshjen e Majit të vitit 2007.

Alsat ka siguruar një kopje nga drafti i marrëveshjes me pesë pika që u arrit 10 vite më parë mes VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe BDI-së në opozitë në atë kohë. Në pikën e pestë të këtij dokumenti të pa firmosur flitet për formimin e qeverisë, por askund nuk përmendet parimi i shumë përfolur së fundmi nga partia e Gruevskit dhe Ahmetit për krijimin e qeverisë nga subjektet fituese të zgjedhjeve në bllokun maqedonas dhe atë shqiptar.

Lidhur me respektimin e parimit “fituesi me fituesin” nga BDI vijnë qëndrimet kontradiktore. Përderisa nënkryetari i partisë Nevzad Bejta ka deklaruar se nuk është e nevojshme të përmbushet ky parim që nuk është shndërruar në ligj, zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani, tha se për vendin është shumë e rëndësishme që të respektohet ky parim ndërsa akuzoi mediat se po ushtrojnë presion që i njëjti të mos përmbushet nga subjektet fituese.

Në të kaluarën Maqedonia ka ekzistuar si e mirëqenë vetëm duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare. Një prej atyre është marrëveshja e quajtur Marrëveshja e Majit të vitit 2007 ku thuhet fituesi te komuniteti shqiptar përzgjedh partnerin fitues te komuniteti maqedonas. Respektimi i këtij parimi është shumë i rëndësishëm për ruajtur rëndësinë që ka komuniteti shqiptarë dhe për të ruajtur logjikën që kanë zgjedhjet tek vet shqiptarët – tha zëdhënës i BDI-së Bujar Osmani.

Për nevojën e respektimit të këtij parimi tani flet edhe VMRO-DPMNE-ja e cila ka nevojë për votat e BDI-së në Kuvend për formimin e qeverisë së re. Por në vitin 2007 ish kryeministri Nikolla Gruevski, kishte deklaruar se bëhet fjalë për një proces verbal që nuk ka peshë të një dokumenti.

As nuk kemi firmosur dokument dhe as nuk kemi pasur qëllim që të firmosim një dokument dhe as që do të firmosin dokument. Me siguri, atë që e mbanë në dorë zonja Shekerinska është ndonjë proces verbal nga bisedimet që nuk është i nënshkruar dhe nuk mund të ketë peshë të dokumentit që do të kishte ndonjë nen. Nene nuk mund të ketë një copë letër ku dikush ka bërë procesverbal për vete apo dikë tjetër – kishte deklaruar ish kryeministëri Nikolla Gruevski, në 2007.

Për shkak të krizë politike që shkaktoi vendimi i BDI-së për të bojkotuar Kuvendin, në fund të vitit 2006 VMRO-ja dhe BDI-ja formuan grupe pune për normalizimin e situatës. Pas rreth 6 muajve negociata u arrit marrëveshja e Majit që e çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2008.

Në dy pikat e para të dokumentit të siguruar nga Alsat, palët dakordohen për një listë prej 46 ligjesh që duhej të miratoheshin sipas parimit të Badenterit si dhe për nevojën e rikoponimit të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike në Kuvend.

Në pikën e tretë dhe të katërt flitet për miratimin e një ligji për zyrtarizmin e gjuhës shqipe dhe zgjidhjen e statusit të UCK-së që edhe sot e kësaj dite ka mbetur ende pa zgjidhje. Siç shihet në draftin e siguruar nga Alsat në të nuk bën pjesë parimi i shumë përfolur se qeverinë e Maqedonisë duhet ta formojnë partitë fituese në dy blloqet entike.

Artikulli paraprakSpiunazhi Izraelit: Lufta e parë e presidencës së Donald Trump do jetë mes Kosovës e Serbisë
Artikulli vijuesBrukseli kërkon formimin e shpejtë të qeverisë