Parlamenti grek ka hedhur një hap të rëndësishëm në drejtim të njohjes së shtetit palestinez duke miratuar një vendim që e këshillon qeverinë të njohë zyrtarisht Palestinën si shtet.
Në seancën e sotme me rend të veçantë dite të parlamentit grek është miratuar me vota unanime rezoluta e propozuar nga Kryetari i Parlamentit grek, Nikos Vuçis për njohjen e Palestinës si shtet.
Ky vendim i Parlamentit grek ka cilësinë këshilluese ndaj qeverisë greke për të njohur zyrtarisht Palestinën.
Vendimi është marrë ndërkohë që Kryetari i Shtetit Palestinez, Mahmud Abas vazhdon kontaktet zyrtare në Athinë.
Në takimet që pati me Presidentin Pavolopulos dhe Kryeministrin Cipras, Mahmud Abas tha se problemit palestinez i duhet gjetur një zgjidhje me dy shtete në rendin ligjor ndërkombëtar.
-“Për të zgjidhur problemin palestinez ne i zgjasim Izraelit dorën e bashkëpunimit”, tha kreu i shtetit palestinez në Athinë, duke shtuar se Greqia mund të luajë rol të rëndësishëm në marrëdhëniet Izrael-Palestinë.
Kurse Kryeministri Aleksis Cipras theksoi se vizita e Abasit në Athinë do ti japë shtysë zgjidhjes së problemit palestinez.
-“Këtej e tutje në shkresat zyrtare Greqia në fend të shprehjes “Autoriteti Palestinez” do të përdorë fjalën “Palestina”, deklaroi Cipras.
Votimin në Parlament e kanë ndjekur duke qenë të pranishëm edhe Kryeministri grek, Alexis Tsipras bashkë me Presidentin e Palestinës, Mahmud Abbas.
Kohët e fundit shumë parlamente kombëtare brenda Bashkimit Evropian kanë marrë vendime këshilluese për njohjen e Palestinës. Ndërsa 8 vende në BE e kanë njohur Palestinën. Vendi i fundit që e ka njohur ka qenë Suedia. Ndërsa vendet e tjera e kanë njohur Palestinën që në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik