Deputët e opozitës maqedonase nuk hezituan ta quajnë vendimin e presidentit Ivanovit për falje të motivuar politikisht në shërbim të partisë në pushtet VMRO-DMPNE-së.
Parlamenti i Republikës së Maqedonisë ka vazhduar në mesditë debatin për Propozimin për ngritjen e procedurës me të cilën do të konfirmohej përgjegjësia e presidentit Gjorge Ivanov te vendimi i tij për falje, të parashtruar nga deputetët e partisë opozitare Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) ndërkohë që e njëjta përkrahet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e pestë të debatit, deputët e opozitës maqedonase nuk hezituan të quajnë vendimin e presidentit Ivanovit të motivuar politikisht në shërbim të partisë në pushtet VMRO-DMPNE-së.
Deputeti i LSDM-së, Alen Georgiev, nga foltorja e Parlamentit tha se presidenti Ivanov asnjëherë nuk ka vepruar në cilësi të burrështetasit i cili përfaqëson interesat e të gjithë qytetarëve në vend duke u shndërruar në marionetë të pushtetit, ndërsa akuzoi Ivanovin se në axhendën e tij mungojnë takime me autoritete relevante botërore.
Georgiev i quajti qesharake pretendimet e pushtetit se presidenti Ivanov ka luajtur rol kyç në zgjidhjen e krizës me refugjatët.
“Zotërinj nga VMRO-DPMNE-ja, krizën me refugjatët në rrafsh global e ka zgjidhur marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë me të cilën Turqisë i mundësohet përafrimi drejt BE-së, regjim pa viza dhe miliarda euro ndihmë për të ndalur rrugëtimin e rrefugjatëve nga Turqia në Greqi. Në mikro nivelin tonë, barrën e mori përsipër ushtria dhe policia”, deklaroi Georgiev nga LSDM-ja.
Dimitar Stevanangjia nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE akuzoi në fjalimin e tij opozitën për të cilën siç tha, gjatë tërë debatit përdor shpifje dhe ofendime në adresë të presidentit të shtetit.
“Kemi të bëjmë më njeri të zgjedhur nga 560 mijë qytetarë të rinj dhe të moshuar, muslimanë dhe të krishterë. Ju manipuloni opinionin me fotografi të protestave në të cilat shfaqen pak njerëz, paramendoni tash një fotografi me 560 mijë njerëz të cilët kanë votuar për te”, tha ai.
Deputetja e BDI-së Vjollca Nuredini tha se vendimi i presidentit nga 12 prilli për të falur politikanët nga ndjekja penale ishte kulmi i përkeqësimit të situatës edhe ashtu të tensionuar politike.
Sipas Nuredinit ky vendim ka qenë një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në gjyqësor.
“Ky vendim paraqet pengesë për punën e Prokurorisë Speciale dhe ky vendim paraqet rrënim dhge mosrespektim të marrëveshjes së Përzhinës e cila njëherit është garanci për tejkalimin e situatës së tensionuar në Maqedoni” deklaroi Nuredini e cila nga këto arsye kërkoi dorëheqjen e presidentit Ivanov.
Debati do të vazhdojë pas pushimit të zakonshëm të pasdites ndërsa numri i madh i deputetëve të paraqitur për fjalë bënë që debati të zgjasë me ditë të tëra.
Në ditët e kaluara deputetët e VMRO-DPMNE-së insistonin se nisma e opozitës është e paargumentuar ndërkohë që ata të LSDM-së dhe BDI-së thonë se argumentet të cilat i parashtrojnë flasin mjaftueshëm se presidenti duhet të bartë përgjegjësi për faljen që ua bëri politikanëve të cilën më vonë e tërhoqi pas presionit të madh vendor dhe ndërkombëtar.