Pas burkinit, tjetër polemikë në Francë: kritikohet një ish-ministre për emrin “jopatriotik” të vajzës!

Me mbarimin e verës, është krejt e natyrshme të mos diskutohet më për burkinin, një çështje e cila shkoi në Francë gjer në dyert e gjykatave.

Në vend të burkinit, janë dhënë shenjat e para për nisjen e një polemike tjetër, të emrave që u vihen fëmijëve në Francë.

Gazetari e komentatori politik francez Eric Zemmour ka kritikuar një politikane, ish-ministre e Drejtësisë në periudhën e qeverisjes së presidentit Nicolas Sarkozy, për emrin e vënë vajzës së saj.

Zemmour e ka kritikuar ish-ministren Rachida Dati për emrin e zgjedhur për të bijën shtatëvjeçare, Zohra. Sipas tij, ky emër është jopatriotik, sepse nuk vjen nga një listë zyrtare e emrave kristianë francezë.

Emrat që nuk janë kristianë, si Zohra, pretendon Zemmour-i, e po ashtu si i ish-futbollistit të mirënjohur francez, Zinedine Zidane, i bëjnë mbajtësit e tyre më pak francezë nga ç’është ai.

I shfaqur në një televizion francez në fillim të javës, Eric Zemmour ka kërkuar kthimin e ligjit që i kufizon emrat që u jepen fëmijëve. Një ligj ky i shfuqizuar në vitin 1993, 200 vite pas shpalljes së tij nga Napoleon Bonaparte.

Ish-ministrja e Drejtësisë ka reaguar ndaj komenteve të Zemmour-it, duke i quajtur ato “patologjike”.

“E quani skandaloze t’u jepni fëmijëve emrin e nënës suaj? E doja nënën time. Kam një vajzë të vogël, dhe i vura asaj emrin e nënës sime. Ashtu siç bëjnë miliona francezë çdo ditë,” mësohet të ketë thënë ajo.

Eric Zemmour qe sërish në qendër të vëmendjes ditë më parë, kur deklaroi se ushtria franceze kishte përgatitur një plan për spastrimin e muslimanëve në vend. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakIsh-kryeministri libanez e akuzon Iranin për një operacion për shkatërrimin e shoqërive arabe
Artikulli vijuesA JANË MEDIAT NË ANGLI DUKE E NXITUR ISLAMOFOBINË