Pas gjashtëdhjetë vitesh martesë, ia zbuloi fshehtësinë në shtratin e vdekjes
Një çift bashkëshortor për gjashtëdhjetë vite me radhë i tregonte njëri-tjetrit çdo gjë dhe ishin të lumtur me kalimin e kohës duke biseduar dhe duke i shërbyer njëri-tjetrit. Ndërmjet tyre nuk ekzistonte asgjë e fshehtë, mirëpo gruaja e moshuar kishte fshehur një sënduk mbi një raft. Ajo e këshillonte bashkëshortin e saj gjithnjë që mos ta hapte atë dhe mos ta pyeste rreth atij sënduku. Bashkëshorti i respektonte dëshirat e saj dhe asnjëherë nuk u interesua për çështjen e kutisë, deri në momentin kur sëmundja e rraskapiti bashkëshorten dhe mjeku i tha se ditët e saj ishin të numëruara.
Bashkëshorti i pikëlluar filloi të bëhej gati që të jetonte i ve (vejan) dhe filloi t’i vendoste gjërat e saj në çanta, që t’i ruante si kujtime. Syri i tij u drejtua nga sënduku, e mori atë dhe shkoi te shtrati ku ishte e shtrirë bashkëshortja e tij e sëmurë. Sapo e pa sëndukun, ajo nisi të buzëqeshte me dhembshuri dhe i tha atij: “Në rregull, mund ta hapësh sëndukun.” Burri e hapi sëndukun dhe brenda tij vërejti dy lodra (kukulla) pëlhure dhe gjilpërën e thurjes dhe nën to një shumë të hollash prej 25 mijë dollarësh. Burri e pyeti për ato gjëra, kurse ajo me një pëshpëritje tha: “Kur u martova, gjyshja ime më tregoi se fshehtësia e martesës së suksesshme fshihet në evitimin e polemikës dhe grindjes. Gjithashtu më këshilloi që sa herë që të hidhërohem me ty, ta fsheh hidhërimin dhe të ngrihem të bëj një lodër pëlhure duke përdorur gjilpërën.”
Në këto çaste burri duke i rrjedhur lotët, e pyeti: “Vetëm dy lodra? Nuk je hidhëruar me mua gjatë gjashtëdhjetë viteve? Vetëm dy herë?!”
Me gjithë pikëllimin për faktin se bashkëshortja e tij ishte e shtrirë në shtratin e vdekjes, ai ndjeu lumturinë për shkak se e kishte hidhëruar atë vetëm dy herë.
Pastaj e pyeti: “Po mirë, mësova fshehtësinë e dy lodrave, po si është puna e njëzet e pesë mijë dollarëve?” Ajo iu përgjigj: “Kjo është shuma që kam mbledhur nga shitja e lodrave.”
Përktheu: Almedin Ejupi