PASTËRTIA, GJYSMA E BESIMIT

Epidemi të llojeve të ndryshme po e përmbysin botën. Krahas epidemive të degjenerimit moral dhe shpirtëror, që mbesin pa jehonë mediale, ne sot jemi dëshmitarë edhe të pandemisë së gripit të shkaktuar nga virusi A (H1 N1) i njohur ndryshe si gripi i derrave (fillimisht i etiketuar si “gripi i derrit”, por që shumë shpejt me ndikimin e industrive ushqimore u etiketua me emrin shkencor “A (H1 N1)“ nga studiuesit). E tërë makineria informative është angazhuar në ballafaqimin me këtë grip. Higjiena personale, pastërtia dhe shmangia e tubimeve masive janë këshillat, të cilat dëgjohen e lexohen më shpesh…

Dilemat e ndryshme rreth këtij gripi, rreth vaksinave, të dëmshme apo jo të dëmshme, rreth përfitimit, rreth laboratorëve që kanë ringjallur virusin të zhdukur qysh në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar nuk janë tema e këtij shkrimi. Megjithatë vlen të përmendet, se sipas statistikave botërore pandemitë “e reja” si zakonisht “paraqiten” në kohë të recesionit. Pandemia e parë e gripit spanjoll (të cilin e shkaktoi virusi i tipit H1 N1) u paraqit në vitin 1918. SIDA u paraqit në vitin 1982, kur në SHBA kishte recesion, edhe tani pandemia e gripit të derrave e arriti kulmin në kohën kur e tërë ekonomia botërore vuan nga kriza financiare. Rastësisht ose jo sëmundje të përmasave të këtilla nuk paraqiten në gjendje mirëqenieje. Nga ana tjetër vendet e varfra me vite të tëra nuk kanë qasje tek ilaçe për sëmundjet e varfërisë, si tuberkulozi, malaria etj. Si duket myshterinjtë e synuar janë vendet e pasura, të cilët e blejnë ilaçin e jo ato vende, të cilët duhen t’i marrin këto ilaçe si dhurata. Profiti prej 8-18 miliardë dollarë për kompanitë farmaceutike në kohë krize nuk është aspak i “vogël”. Sidoqoftë pastërtia dhe higjiena që trumbetohen, si mënyrat më efikase për parandalim janë pjesë e pandarë e modelit Islam të jetesës.

Pastërtia si normë Islame

Koncepti islam për pastërtinë paraqet një sistem mahnitës rregullash që inkorporohet në të gjitha aspektet e jetës, është emergjencë e jetës islame në nivelin individual dhe atë shoqëror. Në shumë nga tekstet e Shpalljes Hyjnore pastërtia trupore dhe shpirtërore vihet në spikamë. Islami është një shembull unik për theksimin e pastërtisë dhe për mënyrën e trajtimit të saj. Përderisa tek të tjerët pastërtia është vetëm një prej atributeve të preferuara, Islami këmbëngul në domosdoshmërinë e saj dhe lidhshmërinë me besimin/imanin. Pastërtia është pjesë esenciale e jetës islame dhe kuptimi i saj shkon përtej limiteve të koncepteve sipërfaqësore të pastërtisë konvencionale.

Nuk ka dyshim se parimet islame të pastërtisë janë në korrelacion të plotë me normat më precize të mjekësisë preventive dhe asaj terapeutike. Sheriati islam me rregullat e pastërtisë është shumë para sistemeve të ndryshme të shëndetësisë në të kaluarën dhe në të tashmen. Allahu, subhanehu ue te’ala, në Kuran thotë:

“Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222). Kurtubiu në komentin e këtij ajeti thotë: Të penduarit në këtë ajet janë ata që pendohen prej mëkateve dhe shirkut, ndërsa “…ata që pastrohen” janë ata që pastronin me ujë trupin e tyre (gusli dhe abdesi) dhe që largohen nga mëkatet, siç janë edhe marrëdhëniet me gratë gjatë ciklit menstrual.

Në një ajet tjetër Allahu thotë: “Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh.” (Teube, 108)

Kurtubiu thotë: Allahu i lavdëron ata që e duan pastërtinë dhe që i japin rëndësinë e duhur asaj. Pastërtia është shenjë fisnikërie dhe detyrë fetare. Për rëndësinë e pastërtisë në Islam argument i mjaftueshëm është edhe ajeti me të cilin abdesi ligjësohet, si parakusht i namazit: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje.” (Maide, 6) Për pastërtinë fizike madje edhe të asaj më intime flasin edhe shumë hadithe të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam. Kur një provokues iu drejtua sahabiut të ndershëm Selmanit me këto fjalë provokuese: “A edhe mënyrën se si kryhet nevoja ua ka mësuar i Dërguari juaj, ai pa ngurruar i tha: Po, ai na ndaloi të drejtohemi kah Kibleja gjatë kryerjes së nevojës së madhe dhe asaj të vogël, na ndaloi të pastrohemi me dorën e djathtë dhe të pastrohemi me më pak se tre gurë…” (Muslimi).

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithin që e përcjell Muslimi thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit…” Fjalët e këtij hadithi të cilat, sipas një dijetari, hyjnë në zemrën e njeriut pa kërkuar leje dhe janë nxitëse për vepra të mira, në vetvete përmbajnë disa dispozita për të cilat ka nevojë çdo besimtar.

Pastërtia e përmendur në këtë hadith në të vërtetë është angazhimi i vazhdueshëm për ta ruajtur pastërtinë trupore dhe shpirtërore. Për pastërtinë e përmendur në këtë hadith ka dy mendime. Sipas të parit, bëhet fjalë për pastrimin e papastërtive jo të dukshme, që njollosin shpirtin dhe gjymtyrët, si shirku dhe shtirja (rijaja), veprimi i ndalesave dhe moszbatimi i urdhëresave fetare. Këtë kuptim dijetarët e mbështesin në njërin nga dy komentet e ajetit: “…petkat e tua pastroji”, sipas të cilit në ajet bëhet fjalë për pastrimin prej shirkut dhe papastërtive jo të dukshme. Komentuesit e Kuranit ajetin: “Dëbojeni familjen e Lutit prej qytetit tuaj, sepse ata janë njerëz që pastrohen” (Nemël, 56) për pastërtinë e përmendur në ajet thonë se këtu flitet për largimin nga veprat e shëmtuara, siç janë edhe marrëdhëniet homoseksuale, që ishin shumë të përhapura tek populli i Lutit, alejhi selam. Duke u mbështetur në këtë koment dijetarët thonë, se pastërtia e përmendur në hadithin e sipërpërmendur është pastërtia e zemrës, gjymtyrëve dhe gjuhës nga haramet në mesin e të cilëve pjesë bën edhe moskryerja e obligimeve. Sipas mendimit të dytë pastërtia e përmendur në hadith është pastërtia trupore me anë të abdesit dhe guslit.

Koncepti Islam i pastërtisë dhe të vërtetat shkencore

Sipas studimeve mjekësore avdesi ndikon në relaksimin e nervave dhe muskujve, ul shtypjen e gjakut, ndikon në largimin e stresit dhe të dhimbjeve të ndryshme. Këtë e vërteton studimi i mjekut Ahmed Sheuki Ibrahim, specialisti i mjekësisë interne dhe anëtar i Shoqatës Mbretërore të Mjekëve në Londër.

Në një testim mikrobiologjik është vërtetuar ulja e përqindjes së baktereve në hundën e atyre që përsërisin shpesh ritin e marrjes së avdesit. Pastrimi i gojës me anë të gargarës parandalon infektimin e gojës dhe është e dobishme për parandalimin e kariesit. Larja e duarve, fytyrës dhe këmbëve largon prej lëkurës pluhurin dhe yndyrat, që janë mjedis ideal për shumëfishimin e baktereve. Avdesi është i dobishëm për stimulimin e qarkullimit të gjakut në pjesët periferike të trupit në të cilat qarkullimi është paksa i ngadalshëm. Një qarkullim i rregullt i gjakut i jep gjallëri trupit dhe e rrit efektivitetin në punë. Gjitha lëngjet dhe sekrecionet (urina, gjaku menstrual, fecesi, sekrecioni i hundës etj.), të cilat Islami ka urdhëruar të pastrohen janë strofull i mundshëm i zhvillimit dhe riprodhimit të baktereve dhe viruseve.

Pastrimi i dhëmbëve me misvak, si sunet i vërtetuar, prej më tepër se katërmbëdhjetë shekujsh, tregon se sa përparimtar ka qenë/është Islami në aspektin e higjienës orale. Me prerjen e thonj
ve, higjienën e organeve gjenitale dhe me rruajtjen e qimeve gjenitale dhe të nënsqetullave parandalohen sëmundjet e shumta të lëkurës.

Krahas pastërtisë individuale nuk mundet e të mos përmendet pastërtia e mjedisit. Në disa hadithe ndalohet ndotja e mjedisit. Shembull janë hadithet që ndalon urinimin në ujin që nuk rrjedh, kryerjen e nevojës në vendet ku kalojnë njerëzit, ose i marrin si vendpushim dhe hadithi i cili largimin e asaj që i pengon njerëzve nga rruga e ka quajtur lëmoshë. Në librat e historisë islame gjendet shembulli i parë i mbikëqyrjes ekologjike, siç ishte posti i mbikëqyrësit të furrave dhe rregullorja e rreptë, që kishte të bëjë me pastërtinë gjatë përgatitjes së bukës, si dhe gjatë pjekjes. Për shembull ishte kusht, që çdo furrë të ketë oxhaqe të gjëra për nxjerrjen e tymit, si dhe ndalohej brumi të zihet me këmbë ose gjunjë… e gjithë kjo vinte si pasojë e vetëdijes së lartë për rëndësinë e pastërtisë kolektive dhe mjedisore.

Disa rregulla fetare lidhur me epidemitë

– Sëmundjet, fatkeqësitë natyrore, aksidentet janë caktim i Allahut prandaj besimtari i vërtetë pajtohet me caktimin e Allahut dhe me durim shpreson të arrijë në shpërblimin e pakufizuar, të cilin Allahu e ka përgatitur për durimtarët. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Për t’u habitur është çështja e besimtarit, çdo gjë që i ndodh është hair për të. Nëse i ndodh ndonjë e mirë e falënderon Allahun dhe bëhet mirë për të dhe nëse e godet ndonjë vështirësi duron dhe bëhet mirë për të. Këtë nuk e ka askush pos besimtarit.”

– Sëmundjet me të cilat ballafaqohemi dhe me të cilat sprovohen njerëzit janë raste që besimtarëve duhet t’ua kujtojnë begatitë e shumta të Allahut dhe domosdoshmërinë e shprehjes së falënderimit ndaj Allahut. Këto raste na kujtojnë edhe nevojën e mbështetjes së plotë tek Allahu.

– Për të sëmurin parapëlqehet mjekimi me ilaçet, që nuk janë të ndaluara fetarisht dhe kjo assesi nuk është në kundërshtim me tevekulin.

– Vaksinimi si metodë parandaluese është i lejuar, por me kusht që vaksina të jetë efikase, të jetë me përbërje të lejuar fetarisht (hallall) dhe jo e dëmshme për shëndetin e njeriut. Për rrethanat tona (kur muslimanët janë pakicë dhe kur mundësia për keqpërdorime është e madhe) konsultimi me mjekun që është ekspert në këtë lëmi, e që në të njëjtën kohë është musliman dhe besnik është i domosdoshëm.

– Islami nuk e mohon mundësinë e infektimit pas kontaktit me të sëmurin. Ajo që Islami e mohon është bindja se vetëm kontakti me të infektuarin me ndonjë sëmundje ngjitëse mjafton për infektim të sigurt. Besimtari është i bindur, se asgjë nuk ndodh pa caktimin e Allahut. Megjithatë është parim fetar t’i shmangësh kontaktet me ndonjë të infektuar me sëmundje ngjitëse. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ik prej të gërbulëtit si prej luanit.”

– Parimet e higjienës në Islam përpos shpërblimeve të Allahut janë edhe veprime, që parandalojnë shumë sëmundje të llojeve të ndryshme.

– Nëse në ndonjë vend paraqitet ndonjë epidemi besimtarit i ndalohet të shkojë në atë vend. Nëse epidemia përhapet kur ai është brenda atij vendi atij i ndalohet të largohet nga vendi i goditur nga epidemia. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nëse dëgjoni se në një vend është përhapur murtaja mos hyni në të, nëse ajo përhapet kur ju jeni atje mos dilni prej atij (vendi).”

– Forcimi i lidhjeve ndër-njerëzore shfaqet në situata të këtilla. Besimtarët duhet që këto raste t’i shfrytëzojnë duke u ofruar ndihmë dhe informacione të sakta fetare për kësi situatash.

Allahun e lus t’i mbrojë muslimanët nga sprovat e rënda, t’i mëshirojë dhe t’i udhëzojë në rrugën e drejtë islame, që u garanton atyre jetë të lumtur në dynja dhe lumturi të përhershme në ahiret. Amin./albislam

SHKRUAN: TALHA KURTISHI

Artikulli paraprakMODERNIZMI DHE PREJARDHJA E KËSAJ RRYME
Artikulli vijuesKëshilli i Sigurimit nuk përfaqëson ndërgjegjen njerëzore