PDK e AAK bashkë kundër idesë së Isës

Ideja e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa që qytetarët e Kosovës nëpërmjet referendumit të vendosin nëse duhet të shkohet në bisedime politike me Serbinë, nuk pritet të gjejë përkrahje tek subjektet politike të cilat janë pjesë e Kuvendit të Kosovës. PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur kundër idesë që përmes referendumit të vendoset për bisedimet me Serbinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje konsideron së referendumi të organizohet së pari për Kushtetutën e Kosovës e pastaj të organizohet për çështje tjera.
Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i quan lojë fjalësh deklaratat e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Grabovci thotë se Kosova tash i ka institucionet e veta, andaj PDK-ja sipas tij, përmes Kuvendit është e gatshme që t’i diskutojnë dhe trajtojë të gjitha problemet dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës.

“Aty ne i mirëpresim çdo ide dhe iniciativë e cila është në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës e të cilat duhet të shndërrohen në vendime dhe kemi Ekzekutivin, i cili pastaj duhet të veprojë në përputhje me ato vendime që nxjerrë Kuvendi. Ndërsa loja e fjalëve, manipulimin me deklarata, PDK nuk e preferon shumë”, ka thënë Adem Grabovci, shkruan “Tribuna Shqiptare”,.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk pritet të mbështesë idenë e kreut të LDK-së për referendum për bisedime me Serbinë. Deputetja e kësaj partie, Donika Kadaj-Bujuip ka deklaruar se kjo parti qëndrimin e saj do ta jap në Kuvendin e Kosovës.

“Ne parimisht jemi shprehur të gatshëm që t’i marrim përgjegjësit që na takojnë karshi interesave të shteti të Kosovës dhe kontributin tonë do ta japim edhe në Kuvend”, ka thënë ajo, duke shtuar se nuk ka nevojë që të organizohet ndonjë referendum për të vendosur rreth bisedimeve me Serbinë.

Nga ana tjetër, Lëvizje Vetëvendosje, vlerëson se para se te mbahet referendum për bisedimet me Serbinë, Kosova duhet të mbajë referendum për Kushtetutën e saj.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcka ka thënë se kjo lëvizje nuk është kundër mbajtjet se një referendumi të tillë, mirëpo sipas tij, kjo lëvizje ka kërkuar që jo vetëm çështja e negociatave të nxirrej në referendum, por edhe kushtetuta të nxirrej në referendum, pastaj çështja e bashkimit kombëtar dhe ajo e pasurisë publike. /Telegrafi/

Artikulli paraprakNYT: Çmenduria shtrënguese e Evropës
Artikulli vijuesPasaporta e Sanxhakut?