Merren vesh: Thaçi – kryetar, Haradinaj – kryeministër

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë pajtuar përfundimisht për hyrjen në bashkëqeverisje. Qeverinë e re PDK- AAK do ta drejtoj Ramush Haradinaj, derisa kryeministri aktual, Hashim Thaçi do të kaloj në postin e presidentit, në vend të Atifete Jahjagës, e cila është pajtuar që të jap dorëheqje, për t’u “shpërblyer” me postin e ministres së Brendshme. Kështu ka thënë një burim i besueshëm i “Infokusit” brenda Qeverisë së Kosovës.
Partia e kryeministrit Hashim Thaçi dhe ajo e Ramush Haradinajt janë pajtuar edhe për mënyrën se si do të ndahen postet qeveritare. Burime të besueshme të “Infokusit” brenda Qeverisë së Kosovës kanë thënë se PDK-ja dhe AAK-ja janë pajtuar që posti i kryeministrit t’i takoj liderit të Aleancës, Ramush Haradinajt, derisa kryeministri Thaçi do të kaloj në postin e të parit të shtetit- atë të presidentit.

Sipas këtij burimi, dy partitë janë dakorduar edhe me presidenten aktuale, Atifete Jahjaga, që ajo të jap dorëheqje nga posti i të parës së vendit. Por, as Jahjaga nuk do të mbesë me “gishta në gojë”. Ajo do të shpërblehet me postin e ministres së Punëve të Brendshme, në vend të Bajram Rexhepit.

“Presidentja Atifete Jahjaga është pajtuar që të jap dorëheqje nga posti i të parës së vendit, dhe në vend të saj të vijë kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Ndërkaq, Jahjaga për këtë kompromis të dhimbshëm, do të shpëblehet me postin e kryepolicës, në vend të ministrit Rexhepi”, ka thënë ky burim qeveritar.

Burimi i “Infokusit” ka bërë të ditur edhe strukturën e re qeverisëse. Sipas këtij burimi, AAK-ja, pos postit të kryeministrit, që vazhdimisht ka qenë kërkesa kryesore e partisë së Haradinajt, do të marrë edhe ministrinë e Finincave, atë të Tregtisë dhe Industrisë, ministrinë e Integrimeve Evropiane, ministrinë e Shëndetësisë, si dhe ministrinë e Punëve të Jashtme, ndonëse sipas këtij burimi kërkesë e AAK-së ka qenë MPB-ja, por kjo nuk mund t’i jepet, sepse këtë do ta marr presidentja Jahjaga.

Ky burim ka saktësuar se me largimin e Aleancës Kosova e Re, të Behgjet Pacollit nga qeverisja, AAK-së do t’i takojë të paktën edhe një zëvendëskryeministër.

Burimi në fjalë ka sqaruar edhe mënyrën se si do të vij deri te realizimi i këtij skenari.
“Së pari, PDK-ja dhe AAK do të arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës. Menjëherë pas këtij hapi, presidentja Jahjaga do të jap dorëheqje, duke i hapur kështu rrugë koalicionit qeverisës që të propozoj kandidatin për president, në këtë rast kryeministrin Thaçi. Pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit, atëherë ai do ta nominoj Ramush Haradinajn për kryeministër, i cili pastaj së bashku me kabinetin e tij do të marrë besimin e deputetëve shumicë në Kuvend”, ka sqaruar burimi mënyrën se si do të zgjidhet qeveria e re.

I pyetur se afrimi i kryeministrit Thaçi me zyrtarët e partisë së Ramush Haradinajt, më saktësisht pas një takimi të zhvilluar në Pejë, mes katër zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe AAK-së: Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Blerim Shala dhe Daut Haradinaj a nënkupton edhe hyrjen në koalicion të PDK-së me AAK-në, ëvendëskryeministri Kuçi është përgjigjur duke thënë se, “ne nuk jemi në hasmëri me askënd. Kontaktet fizike nuk na e ndërrojnë mendjen. Por, është simbolik e mirë që të shihen njerëzit e pozitës dhe opozitës bashkë”. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakBanania, 18 arsye per ta perdorur
Artikulli vijuesPDK-ja dhe AAK-ja në një linjë për presidentin