Pence: Ka përfunduar periudha e durimit strategjik me Korenë e Veriut

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, tha se ka përfunduar “durimi strategjik” i tyre të cilin janë duke e treguar ndaj armëve bërthamore të Koresë së Veriut

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, tha se ka përfunduar “durimi strategjik” i tyre të cilin janë duke e treguar ndaj armëve bërthamore të Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Mike i cili në kuadër të turneut të tij në Azi, vizitoi Zonën e Demilitarizuar (DMZ) e cila e ndan Korenë e Jugut dhe atë të Veriut, në deklaratën për gazetarët tërhoqi vëmendjen se regjimi i Koresë së Veriut refuzon të heqë dorë nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

“Ka përfunduar periudha e durimit strategjik të SHBA-ve”, tha Pence.

Ai më tej duke kujtuar se që nga testimi i parë i armës bërthamore të Koresë së Veriut ka kaluar gjysëm shekulli dhe se SHBA-të në këtë periudhë kanë treguar durim strategjik, tha se “Dëshirojmë të shohim që Koreja e Veriut të largohet nga rruga e pamatur të cilën e ndjek për zhvillimin e armëve bërthamore. Gjithashtu është e papranueshme të përdorë dhe të testojë raketë balistike”.

Zv/presidenti amerikan duke e cilësuar si “provokim” së fundmi hedhjen e raketës nga Koreja e Veriut, tha: “SHBA-të dhe aleatët e saj, për të mbrojtur Korenë e Jugut dhe për të siguruar stabilitet në rajon, do të arrijnë tek qëllimet e saj ose në mënyrë paqësore ose duke e bërë atë çfarë është e nevojshme”.

Pence në kuadër të turneut dhjetë ditor të tij në Azi, pritet të takohet me liderët e vendeve të Koresë së Jugut, Japonisë, Indonezisë dhe Australisë.

Pentagoni në një deklaratë me shkrim ditë më parë theksoi se “Komanda e Forcave Paqësore të SHBA-ve njoftoi se Koreja e Veriut e ka hedhur raketën më 15 prill në ora 11:21 me kohën e Hawaiit”.

Në deklaratë thuhet se hedhja e raketës është bërë në afërsi të qytetit Sinpo, ndërsa ka shpërthyer brenda një kohe të shkurtër pas lëshimit.

Artikulli paraprakSpinaqi, ushqimi me super-fuqi shëruese
Artikulli vijuesRrjedhje e gazit dhe naftës në Alaska