Kosova emëron tetë konsuj nderi

Tetë personalitete të huaja, që janë vlerësuar se kanë kontribuar në sensibilizimin dhe njohjen e shtetit të Kosovës, janë emëruar konsuj nderi të Kosovës në 5 vende të ndryshme të botës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se janë edhe tre persona në proces të shqyrtimit dhe aprovimit. Nuk tregohet për konsujt e refuzuar të nderit dhe as për mënyrën e përzgjedhjes.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka gjetur shumë personalitete në shtet e Evropës për të emëruar konsuj nderi. Në mesin e tetë personave të emëruar konsuj nderi të Kosovës deri më tani nga vendet evropiane është vetëm profesori Markus Paulmichl nga Salzburgu i Austrisë.

Gjysma e konsujve të nderit janë emëruar në Turqi. Ndërsa nga një është emëruar në Haiti, Maldive dhe Republikën Dominikane. Drilon Zogaj nga Ministria e Jashtme thotë se lista e konsujve të nderit do të pasurohet shpejt edhe me emra të tjerë .

“Mund të ju informojmë se përveç konsujve tashmë të emëruar, MPJ në koordinimin me institucione e tjera kompetente për t’u marrë me politikë të jashtme do të emërojnë edhe një numër të konsujve të nderit dhe se ata do të kenë rol të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në të gjitha aspektet”, ka thënë Zogaj për Radio Kosovën.

Megjithatë, Zogaj nuk ka dhënë shumë detaje rreth përzgjedhjes së personaliteteve që janë emëruar ose janë propozuar aktualisht për konsuj nderi.

”Konsujt e nderit të Kosovës në botë emërohen nga MPJ e Kosovës në bazë të propozimit dhe konsultave me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës kompetente për t’u marr me politikë të Jashtme. Konsujt e deritashëm por edhe ata që do të emërohen ndërkohë do të jenë të propozuar nga Presidentja, Qeveria, Zv.kryeministri Pacolli apo edhe institucionet e tjera të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Në fillim të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme u kishte kërkuar ambasadave të Kosovës nëpër botë që të propozojnë personalitete të ndryshme nga vendet ku ata shërbejnë, për konsuj nderi të Kosovës.

Deri në këtë periudhë mësohet se mbi 40 propozime janë dërguar për personalitete të ndryshme që janë vlerësuar se mund të emërohen konsuj nderi. Ndërkohë që shumica e emrave janë në proces të pritjes së konfirmimit nga Ministritë e Punëve të Jashtme të Shteteve përkatëse.

Aktualisht konsujt e nderit të Republikës së Kosovës në botë janë: Markus Paulmichl në Austri, Kaan Kasif Kavaloglu, Emin Hisarcikliogolu, Muharrem Toprak dhe Fahrettin Gulener në Turqi. Samuel Peralta Sosa në Republikën Dominikane, Ahmed Shaheed në Republikën e Maldiveve dhe Patrick Rouzier në Haiti.kohaislame

Artikulli paraprakXhelili: Bllaca nuk ishte anëtar i SHIK-ut
Artikulli vijuesBELGJIKA DREJT NDARJES?