Për 9 muaj, 28 raste të krimeve kibernetike në Kosovë

Që nga janari e deri në muajin shtator në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës janë hapur 28 raste të ndryshme të krimeve kibernetike, ndërsa janë kryer 138 asistenca në të gjitha regjionet policore të Kosovës, si dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, 22 raste ndërlidhen me nenin 339 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ‘Hyrje në sistemet kompjuterike’, e të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mashtrime të kompanive duke bërë ndërhyrje në e-mail adresat e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

“Përmes veprimeve të caktuara është bërë ndërrimi i xhirollogarisë bankare të bizneseve nga ajo reale në atë të falsifikuar, dhe për pasojë disa biznese janë dëmtuar në shuma të mëdha të parave, 4 raste ndërlidhen me nenin 238 ‘Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi’, 2 raste ndërlidhen me nenin 307 ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit (vendosja e pajisjeve të modifikuara në bankomatët (ATM) e bankave në Republikën e Kosovës për klonimin-kopjimin e kredit-kartave bankare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas koordinatorit nacional për Strategjinë Shtetërore për Siguri Kibernetike, zv.ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, sulmet kibernetike do të jenë një prej sfidave për institucionet e Republikës së Kosovës edhe në të ardhmen.

Artikulli paraprakArrestimi i 48 studentëve në Bangkok shqetëson muslimanët në Tajlandë
Artikulli vijuesA ju kujtohet siriani që preku zemrat e të gjithëve? I ka ndodhur diçka e tmerrshme në Spanjë