Për akomodim të burrit të presidentes shkelet Statuti i UP-së

Astrit Kuçi, tani bashkëshort nën kurorë i presidentes Atifete Jahjaga, ka bërë një mësymje të re për të marrë statusin e asistentit në Universitetin e Prishtinës. Në procedurë rrugëton me Shefqet Mrasorin, vëlla i ish-prorektorit Naser Mrasori.

Asnjëri nuk i plotëson kriteret për të marrë këtë thirrje akademike në Degën e Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë, por hallkën e parë të dy e kanë kaluar. Një komision recensues i ngritur nga Fakulteti iu ka dhënë vlerësim pozitiv të dyve, madje duke fabrikuar të dhëna dhe duke shkelur konkursin. Komisioni, që ka shpërfillur dispozitat statutare në këto raste, nuk iu ka dhënë recension pozitiv disa kandidatëve që plotësonin në përpikëri kriteret.

Janë dy thirrje të asistentit që jep UP-ja, bazuar në Statutin që ishte në fuqi muajin e shkuar kur është firmosur recensioni – “asistent i ri” dhe “asistent”. Kuçi dhe Mrasori nuk i plotësojnë asnjë nga dy dispozitat statutare që listojnë kriteret për të marrë ndonjërën nga këto dy thirrje. Të parit problem i del mosha, e të dytit pos moshës, edhe nota mesatare e studimeve themelore.

Astrit Kuçi, bashkëshort i presidentes Jahjaga, është 37-vjeçar dhe nuk ka një emërim paraprak si asistent. Nota mesatare i figuron të jetë 8.78, që është më e ulët se e 5 nga gjithsej 11 kandidatët që kishin konkurruar në lëndën – sëmundjet e dhëmbit me endodoncion.

Mrasori është 47-vjeçar, që po kështu nuk ka pasur ndonjë emërim paraprak si asistent. Në raportin e komisionit recensues figuron të ketë notë mesatare 8.00. Por, gazeta ka siguruar edhe certifikatën e studimeve themelore të kryera në Mjekësi, ku saktësohet që Mrasori ka notë mesatare 6.41. Qoftë me të parën, qoftë me të dytën, ai është i fundit në mesin e 11 kandidatëve për nga lartësia e notës mesatare.

Neni 186 i Statutit të UP-së përcakton që për titullin “asistent i ri” kandidati duhet të ketë notën mesatare gjatë studimeve jo më pak se 8 dhe të jetë nën moshën 28-vjeçare (respektivisht 30 në Fakultetin e Mjekësisë duke i dhënë prioritet specialistit) kur emërohet për herë të parë. E neni 185 kërkon që për titullin “asistent”, kandidati duhet të jetë i regjistruar në studimet e doktoratës në Universitet dhe të jetë nën moshën 35-vjeçare kur emërohet për herë të parë.

Statuti është ndryshuar në fund të javës së shkuar, në një seancë të Kuvendit të Kosovës. Ndryshimet kanë përfshirë edhe kriteret për zgjedhje të kuadrit akademik. Tani ka vetëm një kategori asistentësh, dhe kur emërohen për herë të parë, për ata të Mjekësisë kërkohet të jenë jo më të vjetër se 35-vjeç, përjashtuar ata që kanë të përfunduar doktoratën, e që mund të emërohen për herë të parë deri në moshën 40-vjeçare.kohaislame

Artikulli paraprakSekiraqa: Policia dhe SHIK-u donin likuidimin tim
Artikulli vijuesDeputetë të VV-së nuk lejohen të hyjnë në Qeveri