Për magjinë dhe historikun e saj

Përkufizimi i sihrit

Magjia apo sihri nga njerëzit konsiderohet si një dukuri mjaft e rrezikshme, e cila e tejkalon horizontin e dijenisë së njerëzve.
Lejthi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Magjia është vepër që e afron njeriun te shejtani me ndihmën e këtij të fundit”.
El-Ez’heri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Magjia është transformimi i diçkaje nga thelbi origjinal në diçka tjetër.”
Shemri transmeton se arabët e quajnë sihrin sihër sepse transformon shëndetin në sëmundje.
Ndërsa Ibni Kudameja sihrin e përkufizon në këtë mënyrë: “Sihër është lidhja e nyejve, talismanët, nuskat, hajmalitë; kjo është e folme me të cilën flitet ose e cila shkruhet ose me të përgatitet diçka që vepron, pa prekje fizike, në trupin e të magjepsurit, ndodh me të vërtetë, realisht, në zemrën dhe në mendjen e tij. Sihri mund të shkaktojë vdekjen ose sëmundjen, mund të shkaktojë impotencën, të ndajë gruan dhe burrin, të fusë urrejtjen e dashurinë ose neverinë e pakontrolluar në mes dy personave e të ngjashme.”

Nuk diskutohet nga aspekti i sheriatit ekzistimi dhe veprimi (ndikimi) i sihrit. Këtë e vërtetojnë shumë ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit alejhi selam. Buhariu dhe Muslimi shënojnë transmetimin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku thuhet se Lebid bin El-E’asami, sihirbërësi më i njohur hebre, i kishte përgatitur sihër Pejgamberit tonë me qëllim që ta vriste. Sihrin e kishte përgatitur në krehër dhe kishte vënë qime në lëvoren e palmës, duke e vënë atë në gurin e pusit Zervan. Allahu i Madhërishëm, siç kuptohet nga komentimi i këtij hadithi, e shndërroi këtë magji të fortë të zezë, e cila mund të shkaktojë vdekjen, në llojin më të butë të sihrit (impotencë e përkohshme) dhe i dërgoi melekët të lajmërojnë se ku gjendet sihri. Kur u zhduk sihri, Pejgamberi alejhi selam u shërua.

Historiku i magjisë

Historiku i magjisë është shumë i vjetër. Në shumicën e kulturave antike, besimet dhe praktikat magjike kane ekzistuar që në lindjen e qytetërimeve. Karakteristikat janë të ngjashme, ndërsa mënyra e zbatimit ndryshon. Magjia njihej në Babiloninë e lashtë, tek egjiptianët e vjetër, Indi, Persi, te grekët e vjetër, Tibet, Kinë, etj. Në Francë janë gjetur disa piktura të periudhës së paleolitit të cilat provojnë përdorimin e magjisë për ndihmë në aktivitete të ndryshme si gjuetia ose për mënjanimin e reshjeve. Në librin “Historia e civilizimeve” të Will Durantit thuhet: “Në mendjet e njerëzve në kohët e hershme mbretëronte ideja se nëpër male dhe xhungla jetojnë xhinët, shejtanët, magjistarët, lugetërit, kukudhët, bëhen dasmat e xhinëve…” (1/101).

Në shkrimet e muslimanëve vërtetohet se historia e magjisë kthehet në kohën para ardhjes së Nuhit alejhi selam. Kjo për faktin se ndodhia e Harutit dhe Marutit e përmendur në Kuran ka ngjarë para Nuhit alejhi selam. Këtë e përmendin historianët islamtë njohur si Ibën Ishaku dhe të tjerët. Tregohet se si populli i Nuhut e akuzoi Nuhun se ishte magjistar, nga kjo nënkuptohet se ata dinin për magjinë.

Gjithashtu në kohën e Ibrahimit alejhi selam ishte e njohur magjia. Babilonasit adhuronin yjet dhe feja e tyre ishte e përzier me idhujtari dhe magji. Ndërsa në kohën e faraonëve të Egjiptit magjia ishte shumë e përhapur dhe ata garonin në magji. Për këtë Allahu i Lartësuar e dërgoi Musain alejhi selam me nëntë mrekulli, me të cilat i sfidoi banorët e Egjiptit dhe magjistarët e kuptuan se këto nuk ishin magji sikurse të tyret, por ishin mrekulli (muxhize) nga Allahu i Plotfuqishëm.

Gjithashtu edhe në kohën e të Dërguarit Sulejman magjia ishte i përhapur, madje çifutët e akuzojnë atë se ishte magjistar. Për këtë kur në Kuran zbritën emrat e disa të Dërguarve, ndër ta edhe emri i Sulejmanit alejhi selam, çifutët refuzuan që Sulejmani të ketë qenë i Dërguar por thanë se ai ka qenë magjistar. Prandaj zbriti ajeti:

“…E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues, që u mësonin njerëzve magjinë” (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fe!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejen e Allahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për ç’ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.” (Bekare, 102)

Në lidhje me komentimin e këtij ajeti, Es-Sedijj ka thënë: “Shejtanët janë ngjitur në qiej duke zënë pritat për të përgjuar. Kanë dëgjuar bisedat e melekëve për atë që do të ndodhë në tokë në mesin e të vdekurve ose për disa fshehtësi që do të ndodhin në të ardhmen. Këto lajme pastaj ua përcillnin falltarëve e magjistarëve. E ata lajmet e tilla ua përcillnin njerëzve, të cilët i përjetonin si të vërteta.
Kur e panë se falltarët magjistarë u besojnë xhinëve, ata filluan t’i gënjejnë ata dhe të vërtetave u shtojnë edhe të pavërteta. Çdo fjale të vërtetë i kanë shtuar shtatëdhjetë fjalë të rrejshme. Njerëzit këto i kanë shkruar nëpër libra dhe janë bindur se xhinët i dinë fshehtësitë e gjësendeve. Në atë periudhë, Allahu i Madhërishëm e dërgoi Sulejmanin alejhi selam dhe i mblodhi të gjitha ato shkrime që kanë shkruar njerëzit në lidhje me sihrin. I Dërguari Sulejman i ka vënë në një kuti këto shkrime dhe i ka groposur nën fronin e tij. Shejtanët nuk kanë mundur t’i afrohen fronit, se përndryshe do të digjeshin. Ai ka thënë: “Nuk dua të dëgjoj askënd të thotë se shejtanët i dinë fshehtësitë, se përndryshe do t’ia këpus kokën.”
Pas vdekjes së Sulejmanit alejhi selam dhe të dijetarëve që i kanë ditur fshehtësitë e Sulejmanit dhe pas gjeneratës pas tyre, u paraqit shejtani në pamje njeriut, erdhi te disa izraelitë e u tha atyre:
-A dëshironi t’ju udhëzoj në thesarin të cilin kurrë nuk do të mund ta harxhoni?
-Po, dëshirojmë!
-Gërmoni nën fron.
Ai shkoi me ta dhe ua tregoi vendin, e pastaj qëndroi me një anë. Ata i thanë: -Afrohu!
-Jo! Unë do të pres këtu afër jush dhe nëse nuk e gjeni, vritmëni mua.
Duke gërmuar gjetën libra. Kur i nxorën, shejtani iu drejtua atyre me këto fjalë:
“Sulejmani me këtë magji (sihër) i ka sunduar njerëzit, shejtanët dhe shpezët”. Pas kësaj fluturoi e u zhduk.

Në këtë mënyrë, në mesin e njerëzve u përhap mendimi se Sulejmani alejhi selam ka qenë falltar, magjistar. Izraelitët i morën librat e gjetur dhe me ta iu kundërvunë Muhamedit salallahu alejhi ue selem kur ai erdhi si pejgamber. Ky ajet iu përgjigjet duke sjellë të vërtetën mbi Sulejmanin alejhi selam, i cili “nuk ishte i pafe, por djajtë ishin të pafe, sepse u mësonin njerëzve magjinë”.

Ndërsa Ibën Kethiri shkruan: “Jehuditë kanë konsideruar se melekët, Xhibrili dhe Mikaili ia kanë sjellë sihrin Sulejmanit alejhi selam, andaj Allahu i Madhërishëm ua zbuloi rrenën atyre duke e lajmëruar Pejgamberin e Vet, Muhamedin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se ajo s’është e vërtetë dhe se Sulejmani alejhi selam është i pafajshëm sa u përket akuzave të tyre, pastaj konstaton se sihri është punë e shejtanëve, të cilën e ushtronin në Babilon duke ua mësuar njerëzve. Mësues kanë qenë dy njerëz që quheshin Harut e Marut.”

Trajtimi i magjisë (sihrit) te njerëzit

Në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet, si në perëndim ashtu edhe në lindje, magjia është trajtuar si e keqe dhe jo e mirë. Shumë shoqëri dhe shtete në të kaluarën kanë paraparë dënime nga më të rëndat për ata që merren me magji. Dënimi më i lehtë për magjistarët ishte varja, ndërsa ata që akuzoheshin se merren me magji i kaplonte tortura, poshtërimi, nënçmimi, mallkimi, konfiskimi i pasurisë, internimi i familjes dhe shumë dënime të tjera. Franca, Gjermania dhe Italia i gjykonte magjistarët me ekzekutim duke i djegur për së gjalli. Kurse në Skoci i ekzekutonin duke i hedhur në enë të madhe të mbushur me ujë të vluar. Në Angli i ekzekutonin me varje nëpër vende publike. Më të ashprit në dënimin dhe gjykimin e magjistarëve ishin inkuizitorët e krishterë në Spanjë. Kjo ishte për shkak se magjia ishte shumë e përhapur në atë kohë dhe shkaktonte probleme dhe rreziqe për njerëzit, prandaj ata përdornin forma nga më të rëndat që të parandalojnë përhapjen e këtyre punëve të këqija. Në anën tjetër, në kohërat e lashta kishte edhe perandorë që i mbanin afër magjistarët për të realizuar qëllimet e tyre të ulëta nëpërmjet tyre gjatë sundimit.

Nga fundi i shek. 18 u hoq dënimi i magjistarëve me ekzekutim dhe u zëvendësua me burgosje. Pas kësaj kohe prapë u ngjall interesimi i njerëzve për magjinë. Kështu u hapën disa vende, klube, që mblidhnin njerëzit e taborëve të ndryshme te cilët mësonin dhe praktikonin magjinë (sihrin). Karakteristika e kësaj kohe ishte se te njerëzit u fillua të shikohet magjia me një sy pak më të mirë dhe jo me rrezikshmërinë që ishte e njohur në kohërat e mëhershme. Nëse dikush akuzohej për magji, atëherë ai e mbulonte veten me pretendimin se është njohës i shkencës së kimisë dhe veprimet që bënte kishin të bënin me eksperimente kimike. Kështu filloi të përhapet sihri te njerëzit në një formë tjetër dhe pranimi i njerëzve ishte më i lehtë.

Në kohën tonë sihri është gjithashtu i përhapur në forma të ndryshme dhe perceptimet e njerëzve ndaj tij janë të ndryshme. Disa e mohojnë tërësisht, disa ndiejnë frikë dhe nga dobësia e besimit që kanë pothuajse plotësisht i janë nënshtruar asaj, nuk bëjnë asnjë lëvizje në jetë dhe për çdo vështirësi e problem shkojnë te magjistarët dhe kërkojnë nga ata që t`i ndihmojnë me magji që të realizojnë apo tejkalojnë problemet me të cilat ballafaqohen. Ndërsa kemi edhe disa të tjerë që sihrin e gjykojnë si formë e marifeteve që përdorin disa të ashtuquajtur “iluzionistë”, të cilët me anë të performancave nëpër shfaqje dhe cirqe i joshin dhe i mashtrojnë njerëzit.

Sido që të jetë, bota e sihrit është botë e çudirave ku gërshetohen të vërtetat e fesë dhe besëtytnitë, dituria dhe shkathtësia me iluzionin, kurse shtytjet dhe stimulimet harmonizohen me qëllimet dhe tendencat. Prandaj në të nuk ka asnjë element të pozitivitetit dhe të mirësisë, pasi forma e arritjes te magjia është kryerja e shërbimeve ndaj shejtanëve dhe xhinëve. Me fjalë të tjera, magjia është forma më e zezë e më e ndyrë e shërbimit fizik e shpirtëror ndaj shejtanit të pandershëm, gjë që e urren çdo natyrë e shëndoshë njerëzore.

Realiteti i magjisë dhe i magjistarëve

Sihri është një lloj shkathtësie dhe njohurie që fitohet me mësime e ushtrime, pas bërjes së punëve të ndaluara të cilat arrijnë shkallën e kufrit dhe shirkut, krejt kjo si kusht për të hyrë në fshehtësitë e magjisë, e cila ndalohet rreptësisht me sheriat. Kjo është një kontratë e magjistarit me xhinin (shejtanin), që në një mënyrë të caktuar t`i bëjë sihër ndonjë personi. Me sihër shkaktohen shumë gjëra; impotenca, ndarja mes burrit dhe gruas, probleme të natyrave të ndryshme, futje e frikës në njerëz, dhembja e kokës, migrena, marrja e të folurit, paralizimi i pjesshëm apo total etj. Krejt kjo bën pjesë në sihër, gjatë së cilës magjistari e përdor xhinin ose shejtanin si shërbëtor për realizimin e këtyre të këqijave dhe e drejton atë me sihër te personi i caktuar me të cilin ai lidhet, hyn në trupin e tij dhe shkakton simptomat e sëmundjeve të përmendura. Magjistari në këtë rast është projektues i gjendjes së sëmundjes, kurse xhini realizues praktik i projektit të tij. Në përgatitjen e sihrit shfrytëzohen gjëra të ndryshme që i përkasin të sëmurit (sulmuarit), siç janë: rrobat, flokët, thonjtë e të ngjashme. Pastaj, sihri i përgatitur futet në gropë apo fshihet, pasi këndohen apo bëhen ritualet e caktuara magjike që përmbajnë elemente të kufrit. Pas kësaj xhini zbaton pjesën e vet të punës, që e ka pranuar ta bëjë me kryerjen e ritualit të caktuar dhe këndimit të magjistarit.

Thirrja e xhinit dhe kontrata në mes magjistarit dhe xhinit bazohet pikërisht në fjalë e vepra kufri dhe shirku. Me fjalë të tjera, sihri përgatitet në bazë të dëgjueshmërisë dhe adhurimit të shejtanit. Dëshira më e madhe e shejtanit është që t’i kthejë njerëzit nga adhurimi i drejtë i Allahut të Madhërishëm dhe t’i shtijë në ujërat e mosbesimit. Në këtë drejtim ai ka paramenduar forma, rrugë e programe të mrekullueshme veprimi që shpijnë në konsekuencën e fundit, në kufër.

Magjia e bardhë dhe e zezë

Dy termat e lartpërmendur rreth magjive janë të njohur nga kohërat e hershme dhe janë mjaft të përhapura, posaçërisht në kohën bashkëkohore. Nocionet magji e bardhë dhe magji e zezë interpretohen në mënyra nga më të ndryshmet, por esenca e tyre mund të përmblidhet në atë se magjia e zezë merret si sinonim i së keqes (magjisë së rrezikshme dhe të dëmshme), ndërsa magjia e bardhë është sinonim i së mirës (magjisë së dobishme dhe të mirë).

Në shekullin e 18-të, pas lehtësimit të dënimit të magjistarëve, u shfaqën disa magjistarë që ia mbanin vetes se janë të dijshëm dhe merren me shkencë, të cilët filluan të pretendojnë se jo të gjitha veprimet e sihrit janë të dëmshme. Këta argumentonin me disa veprime sihri të cilat i kryenin në disa punë të nevojshme për njerëzit, si shërimi nga sëmundjet, rregullimi i raporteve familjare (mes burrit dhe gruas), ndihmesa në tejkalimin e problemeve, etj. Kështu ata filluan t`i arsyetojnë magjitë e tyre dhe t’i konsiderojnë si të dobishme dhe të nevojshme këto veprime të tyre dhe i quajtën magji e bardhë. Mirëpo fakti që duhet ta kuptojë secili në lidhje me sihrin është se për t`u realizuar magjia, pa marrë parasysh për çfarë qëllimi, nevojitet bashkëpunimi me shejtanët dhe xhinët. Ne duhet ta dimë se Islami ka zbritur që t`i mbrojë njerëzit nga të gjitha rreziqet dhe dëmet, kështu shohim se çdo dispozitë, ndalesë qoftë apo urdhëresë synon ruajtjen e interesit të njeriut e cila përmblidhet në pesë gjëra: feja, jeta, mendja, pasuria dhe nderi i njeriut. Këto pesë domosdoshmëri i bëri baza në përligjjen e dispozitave, prandaj ndalohet vrasja pa të drejtë, ndalohet zinaja, ndalohet alkooli, urdhërohemi për xhihad, etj.

Në Islam sihri nuk është përligjur të jetë njëri nga mekanizmat me të cilat arrihet ruajtja e njërit nga këta pesë objektiva të përmendur më lart. Sihri dhe kufri shumë pak kanë dallim në mes vete; magjia është formë me të cilën njerëzit humbin pasuri, magjia është rrugë e përhapjes së amoralitetit, historia e sihrit është vetëm terr dhe errësirë. Ajo është ana e zezë e “përparimit” njerëzor nëpër historinë e intrigave, tradhtive e iluzioneve të shejtanit si mjete për mashtrimin e robërve të Allahut, që për pasojë të fundit të shkrihen në llojet më të rënda të gjynaheve të pafalshme të mosbesimit (kufrit, shirkut dhe devijimit), prej nga nuk ka më kthim në rrugët e shpëtimit.

Kur kemi folur për realitetin e sihrit kemi sqaruar se për të realizuar sihrin duhet të shkelen shumë ndalesa, pasi shërbimi të cilin ia kryejnë xhinët magjistarit bëhet duke e rikthyer magjistari këtë shërbim me ndonjë vepër tjetër që arrin shkallën e kufrit, sikurse therja kurban për xhinët, lutja e tyre, kryerja e disa veprimeve të këqija dhe të ulët. Prandaj pretendimi se ekziston magji e bardhë e cila është e dobishme dhe e lejuar është një mashtrim e magjistarëve për të legalizuar veprimet e tyre dhe për të përfituar nga njerëzit të cilët u besojnë atyre.

Dispozita sheriatike rreth magjisë dhe fallit

Magjia dhe falli janë vepra të ndaluara dhe të rrezikshme në Islam, në këtë ka unanimitet mes ulemave në përgjithësi. Ibën Kudame thotë: “Mësimi i magjisë dhe mësimi i të tjerëve është haram dhe nuk dimë se dikush nga ulematë e ka kundërshtuar këtë dispozitë.” Njëjtë shprehet edhe Neveviu në komentimin e sahihut të Muslimit dhe shumë dijetarë të tjerë në libra të ndryshëm theksojnë dhe tërheqin vërejtjen për këtë vepër të rrezikshme. Madje shumica e dijetarëve, si Ebu Hanifja, Maliku, Ahmedi dhe të tjerë janë të mendimit se marrja me magji është kufër (mosbesim).

Allahu i Lartësuar thotë: “E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues, që u mësonin njerëzve magjinë” (Bekare, 102), gjithashtu thotë: “…e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.” (Ta Ha, 69)
Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Largohuni prej shtatë (mëkateve) shkatërruese!” Thanë: “Cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut?”
Ai salallahu alejhi ue selem menjëherë pas shirkut përmendi magjinë” Buhariu dhe Muslimi.
Gjithashtu edhe parashikimi dhe falli është i ndaluar me Islam. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili shkon te një falltar dhe i beson atij, ai vetëm se ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).” Shënon Ahmedi, hadithi është sahih.

Shërimi i magjisë

Ndër specifikat me të cilat karakterizohet Kurani është edhe ajo se është shërues për njerëzit, gjegjësisht për besimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Isra, 72)
Prandaj leximi i Kuranit me qëllim të mbrojtjes nga magjia, mësyshi, cytjet e shejtanit dhe të xhinëve është forma më e mirë për besimtarin. Nuk do të zgjerohem shumë në çështjen e shërimit nga sihri, pasi në disa raste të tjera kemi folur për këtë, por dëshiroj t`i bëj me dije lexuesit se kur Muhamedit salallahu alejhi ue selem i kishin bërë magji, ai është shëruar me Kuran. Tregohet se ky ishte edhe shkaku i zbritjes së dy sureve të fundit të Kuranit, kapitujt “Felek” dhe “Nas”.

Udhëzimi të cilin duhet ta pasojë muslimani në të gjitha gjërat duhet të jetë ai i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Sot ekzistojnë njerëz të dijshëm të cilët bëjnë shërimin e sihrit me anë të “rukjes” , prandaj nga ne kërkohet të shkojmë tek ata, nëse ndiejmë nevojë. Këta njerëz më së pari janë hoxhallarë të vërtetë, pastaj njihen te njerëzit për mirësi dhe praktikim të denjë të Islamit. Gjithashtu këta njerëz nuk përdorin metoda të ndaluara për shërim, por bëjnë shërimin duke lexuar Kuran dhe duke i lexuar lutjet e Muhamedit salallahu alejhi ue selem.
Në anën tjetër, duhet të kemi kujdes nga shkuarja te njerëzit të cilët pretendojnë se shërojnë nga magjia. Fatkeqësisht shumë nga ata që pretendojnë se shërojnë njerëzit nga magjia janë njerëz mashtrues që punojnë me xhinë. Ata vetëquhen “hoxhallarë” dhe muslimanë, por me praktikat të cilat i përdorin dhe me realitetin e tyre në raport me praktikën islame shohim se janë njerëz mashtrues. Qëllimi i tyre është përfitimi material dhe më së lehti arrihet kjo nga njerëzit që kanë nevojë, janë në vështirësi dhe janë të sëmurë.
Alaudin Abazi
12.7.2008

Artikulli paraprakSIHRI DHE SHËRIMI I TIJ ME KUR’AN
Artikulli vijues3 Mënyrat se si të mbrohesh nga magjia dhe syri i keq