Vetëm për një javë kanë humbur jetën nëntë persona në aksidente trafiku që kanë ndodhur në rrugët e Kosovës.
Policia e Kosovës gjatë sezonës verore ka ndërmarr masa aktive dhe proaktive për të parandaluar aksidentet rrugore, mirëpo një gjë e tillë nuk ka funksionuar, pasi që nga fillimi i muajit qershor e deri në fund të muajit gusht numri i aksidenteve me lëndime dhe me dëme materiale ka shënuar rritje.
Megjithatë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tregon se në periudhën qershor-gusht të vitit 2015 ka pasur ulje të numrit të aksidenteve me fatalitet për 18 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Faktori njeri, gjendja e rrugëve dhe gjendja teknike e automjeteve mbetën shkaktarët kryesor të aksidenteve në komunikacion.
Ndërsa muaji shtator nuk ka sjell lajme të mira nga rrugët kryesore të vendit. Në javën e parë të këtij muaji, në komunikacion rrugor, kanë humbur jetën 9 persona.
“Sa i përket periudhës që nga fillimi i muajit qershor deri në fund të gushtit ky numër i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar një rritje, por duke përfshirë të gjitha aksidentet si ato me lëndime edhe ato me dëme materiale. Ndërsa në aspektin e aksidenteve fatale, kemi një rënie sa i përket kësaj periudhe do me thënë prej një qershorit deri në 27 gusht 2014, krahasuar me një qershor 27 gusht 2015 kemi një rënie prej minus 18 për qind. Vlen të potencohet se javën që lamë pas do me thënë fillimin e muajit shtator numri i aksidente fatale ka qenë mjaftë shqetësuese, brenda një jave kemi 8 aksidente fatale me 9 persona të vdekur”, tha Hoxha.
Mos respektimi i shpejtësisë së paraparë dhe mos respektimi i rregullave të komunikacionit, sipas Hoxhës, janë faktorët kryesorë të aksidenteve.
“Shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë tre faktorë. Faktori njeri, faktori rrugë si dhe gjendja teknike e automjeteve. Kryesisht aksidentet të cilat kanë ndodhur janë mospërshtatje e distancës mes automjeteve pastaj mos respektimi i rregullave dhe shenjave të komunikacionit, mos respektimi i shpejtësisë së paraparë sipas dispozitave të ligjit mbi komunikacionin rrugor si dhe normalisht gjendja teknike e automjeteve”, tregon Hoxha për KosovaPress.
Policia e Kosovës u bënë thirrje të qytetarëve për respektim të rregullave në atë mënyrë që të i shmangen aksidenteve.
Numri përgjithshëm i aksidenteve në komunikacion gjatë vitit 2013 në Kosovë ishte 19 mijë 954 prej tyre me fatalitet 104 aksidente, me 119 të vdekur dhe të lënduar 9817 persona.
Në 2014 numri i përgjithshëm ishte 16 mijë e 300 me fatalitet, 111 aksidentet të vdekur, të lënduar 9713 . Krahasuar me dy vitet parapraken vitin 2015 janë 7376, me fatalitet 41, të vdekur 46 , të lënduar 4207. Nga këto shifra, mësojmë se për tre vite, në Kosovë, kanë humbur jetën 276 qytetarë. /Telegrafi/