Nga aksidentet në komunikacion, në pesë muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën 39 persona. Këto janë të dhënat e fundit që posedojnë autoritetet e rendit.
Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nëse krahasohet ky vit me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vërehet një rënie e lehtë e aksidenteve me pasoja fatale prej 2.7 për qind. Por, njëkohësisht ka ngritje prej 13.42 për qind të aksidenteve me dëme materiale dhe persona të lënduar.
“Policia e Kosovës, referuar numrit të aksidenteve të trafikut si dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, me njësitet e saj policore ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore”.
“Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës në mënyrë që të kemi një siguri më të madhe në trafik”, ka thënë Kelani.
Ngritja e numrit të aksidenteve në komunikacion, sipas Muhamet Krasniqit, ekspert, vjen si pasojë e disa faktorëve. Ky është një problem global, thotë ai, por tek vendet më pak të zhvilluara si Kosova, paraqitet si dukuri edhe më e shpeshtë.
“Aksidentet në trafik janë shqetësim global, por për dallim nga vendet e zhvilluara që kjo çështje ka arritur të menaxhohet, në Kosovë ende mbetet problem shqetësues për shkak se mungojnë masat konkrete për rritjen e sigurisë në rrugë”.
“Shkaktar kryesor i aksidenteve është vetë faktori njeri. Fajtor janë gjithashtu edhe të gjithë pjesëmarrësit në rrugë dhe në momentin që nuk respektohen shenjat e komunikacionit, ndikojnë direkt në rrezikshmërinë në rrugë. Përpos Policisë së Kosovës, mungon angazhimi i duhur i institucioneve relevante për sigurinë në rrugë”, ka deklaruar Krasniqi.
Në anën tjetër, Baki Kelani flet edhe për atë se çfarë kanë ndërmarrë autoritetet e rendit në parandalimin e aksidenteve.
“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të trafikut, t’ju përshtaten kushteve të rrugës, pasi që këto norma ligjore janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”.
“Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thotë Kelani.
Edhe qytetarët e Kosovës theksojnë se gjendja në komunikacion është tejet e ngarkuar dhe se vozitësit nuk respektojnë shenjat e trafikut.
Mirlinda Abdullahu, një qytetare nga Prishtina, gjendjen në komunikacion e vlerëson si kaotike.
“Mendoj se në momentin kur nuk respektohen shenjat e komunikacionit, ndodhin edhe aksidentet. E tek ne mendoj se shumë nga vozitësit nuk i respektojnë këto shenja, por edhe këmbësorët janë ata që shpeshherë janë të pakujdesshëm, duke e kaluar rrugën në vende jo të përshtatshme. Si pasojë po ka edhe humbje jete në komunikacion”, ka theksuar Mirlinda.
Ndryshe, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe rregullat në komunikacion, në mënyrë që të krijojnë kushte më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit.