Mijëra refugjatë nga kampi në Idomeni tashmë kanë filluar të zhvendosen në kampet e tjera të ndërtuara në afërsi të vendkalimit kufitar greko-maqedonas, për shkak të kushteve të mjerueshme për jetesën në kamp dhe humbjes së shpresës për hapjen e kufijve të “rrugës ballkanike”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke filluar nga vendkalimi kufitar “Evzoni” deri në qytetin grek Selanik, në pikat e karburantit që ndodhen në autostradën kryesore që lidh Maqedoninë dhe Greqinë, vërehen mijëra refugjatë të vendosur nëpër tenda.
Në Polikastro, qytet rreth 20 kilometra larg Idomenit, momentalisht janë të vendosur rreth 3.500 refugjatë, të cilët edhe pse janë zhvendosur në këtë kamp, ende shpresojnë se një ditë do t’u jepet mundësia të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Ata thonë se për shkak të numrit të madh të refugjatëve në Idomeni nuk mund të mbijetohet, ndërsa në kampet ku janë zhvendosur organizatat humanitare u mundësojnë të gjitha nevojat për jetesë.
Siriani Latif Kayyum, i cili që mbi një muaj është zhvendosur nga Idomeni, tha se nuk ka mundur të plotësojë kushtet për jetesën atje për shkak të numrit të madh të refugjatëve. Ai theksoi se edhe fëmijët e tij nuk ishin të sigurtë në Idomeni, ndërsa këtu janë më të sigurtë.
“Këtu kemi tenda të mëdha, atje nuk kishim. Kur binte shi, aty bëhej si deti, ndërsa këtu nuk shikon asnjë person në baltë. Në Idomeni ushqimi ishte jo i mjaftueshëm, ndërsa këtu na japin bukë tre herë në ditë. Këtu na mundësojnë edhe ngrohje”, u shpreh Latif Kayyum.
Nga ana tjetër, brenda dhe jashtë kampit të refugjatëve në Idomeni mbi 10 mijë refugjatë vazhdojnë të jetojnë nëpër tenda të vogla dhe në kushte të mjerueshme. Autoritet greke dhe organizatat humanitare vazhdimisht apelojnë që refugjatët të largohen nga ky kamp, për shkak se nuk kanë kapacitete për t’u siguruar nevojat themelore, por vetëm një numër i vogël i refugjatëve pranojnë të zhvendosen.
Sirianët Xhelil Akran-i dhe Hanif Erkam-i, janë ndër ata të cilët kanë pranuar të transferohen në një kamp në Selanik, me shpresë se atje do t’iu mundësojnë kushte më të mira për jetesë.
“Tre muaj qëndruam këtu. Kufiri është i mbyllur dhe nuk është duke u hapur. Këtu kushtet janë të mjerueshme, kështu që me shpresë për kushte më të mira pranuam këtë ofertë”, u shpreh Xhelil Akran.
“Nuk jemi të sigurtë në këtë kamp. Në kampe të tjera ka më pak njerëz dhe vendosëm të zhvendosemi. Nëna ime është me aftësi të kufizuara. Ajo është sëmurë këtu në Idomeni dhe nuk u kujdesën si duhet për të”, tha Hanif Erkam-i.
Shumica e refugjatëve vazhdojnë të qëndrojnë sa më afër kufirit me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë. Njëri nga ato është edhe irakiani Idixhanan Menfagi, i cili theksoi se nëse nuk hapen kufijtë do të gjejë një mënyrë tjetër për të arritur tek familjarët e tij të cilët ndodhen në Evropë.
“Andej nga vijmë ne vazhdimisht ka luftë, 24 orë binin bomba dhe unë nuk u frikësova. Edhe këtu nuk frikësohem nga asgjë. Unë nuk do të shkoj në ndonjë kamp tjetër dhe të pres të hapen kufijtë, por do të gjej një mënyrë për të kaluar sa më shpejt këtë kufij”, tha Idixhanan Menfagi.
Disa prej refugjatëve që ndodhen në Idomeni pretendojnë të kalojnë kufirin ilegalisht, mirëpo refuzojnë të flasin para kamerave për shkaqe të sigurisë së tyre. Njëri prej tyre është edhe një refugjat sirian, i cili refuzoi të tregoj identitetin e tij, por njoftoi se ka paguar 400 euro për të kaluar në territorin e Maqedonisë dhe më pas do të paguaj edhe 1.500 të tjera për të arritur në Serbi.