Kosova nuk ka arritur të përfitojë mjaftueshëm mbështetjen financiare nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve.
Sipas tyre, përfitimet e Kosovës kanë munguar, pavarësisht anëtarësimit të saj në disa prej institucioneve të rëndësishme financiare që nga vitit 2009 e këndej.
Me një popullsi prej afër 2 milionë banorë dhe me nivel të lartë të papunësisë në rreth 28 për qind, Kosova deri më tani ka arritur të marrë kredi nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në vlerë prej afër vetëm 1 miliard euro.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim , Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Agjencia Gjermane për Rindërtim, janë disa nga kreditorët.
Shprehur në përqindje, borxhi publik ka arritur në rreth 15 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Kjo vlerë e borxhit të përgjithshëm publik nga ekspertë për çështje ekonomike, konsiderohet i pamjaftueshëm për zbutjen e problemeve ekonomik dhe sociale që ka vendi.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, ka krijuar një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik, por që kjo nuk po shfrytëzohet si duhet nga institucionet e vendit.
Ai vlerëson se Kosova nuk ka arritur të absorbojë mjaftueshëm kredi të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare, pasi që sipas tij, nuk arriti të krijojë projekte të duhura zhvillimore të cilat do të merrni përkrahjen e këtyre institucioneve.
“Është fat i mirë që Kosova është brenda këtyre institucioneve ndërkombëtare, por do të ishte më mirë që vendi t’i ngritë kapacitet e veta në ministritë përkatëse, në mënyrë që të dinë t’i arsyetojë kërkesat e veta nëpërmes projekteve dhe të dinë që t’i zbatojë këto mjete në mënyrë që Kosova të bëhet përfituese e njëmend në këtë fazë të zhvillimeve, ku bruto produktit vendor është 3 mijë euro për kokë banori, e që është më i ulëti në Evropë”, thotë Sadiku.
Përgjatë viteve, Kosova nuk ka arritur të shënojë rritje ekonomike mbi katër për qind, si një përqindje e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare, ka qenë 7.539 euro, kurse për kokë banori 1460 euro.
Rritja ekonomike, sipas kryetari të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini do të mund të shënonte shkallë më të lartë, po që se Kosova do të dinte të absorbonte më shumë mbështetje financiare nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Megjithatë, ai thotë se së fundi ka pasur një tendencë për rritje të kapaciteteve të ekspertëve të fushës në bërjen e projekteve që marrin mbështetje nga këto institucione.
“Kosova ka shënuar progres në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, por shfrytëzimi nga këto anëtarësime, përkthyer në fonde të ndryshme financiare, nuk ka qenë në nivelin e duhur, pasi që na ka munguar përvoja për të absorbuar më shumë fonde dhe mbështetje. Pra, nuk mund të themi se kemi pasur përftime të mëdha, ashtu siç kanë pasur vendet tjera”, shton Shahini.
Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku vlerëson se ekziston mundësia që Kosova të tregojë mençuri qeverisëse dhe të bëjë përgatitjen e projekteve të shumta në mënyrë që këto institucione të tregojnë mbështetjen dhe vendi të lirohet nga investimi i mjeteve të buxhetit në projekte, siç janë autostradat e projekte të tjera.
“Kosova ka nevojë të marrë sa më shumë kredi ndërkombëtare për projekte me qëllim të zbutjes së varfërisë. Kosova duhet të përshpejtojë hapat e vet, të bëjë projektet e infrastrukturës në mënyrë që të tejkalohet situata e tanishme. Vetëm mjete buxhetore dhe kredit janë burim më i sigurt i zhvillimit”, thotë Sadiku.
Ministri i Financave Bedri Hamza ka paralajmëruar se nëse ka projekte të cilat kanë kthim dhe arsyeshmëri do të negociohet me këto institucione. Ai ka thënë së është për rritje të borxhit publik, por më kujdes të shtuar.
Kosova vazhdon të ketë borxhin publik më të ulët krahasuar me vendet e rajonit.