Përfundon punimet “KISCOMS 5”, shpallen fituesit

Të shtunën, në praninë e rreth 500 studentëve e profesionistëve të shkencave mjekësore të universiteteve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe universitetet tjera evropiane, përfundoi punimet Kongresi i 5-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, “KISCOMS 5”.

Me këtë rast, Komitetit Shkencor, në krye me mësimdhënësin Lul Raka, me anëtarë Ramadan Sopi, Petrit Beqiri, Merita Berisha, Vjollca Qerimi, Lulzim Vokrri, Fisnik Kurshumliu, Ilir Kurtishi, shpalli edhe punimet më të mira të Kongresi i 5-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore “KISCOMS 5”.
 
Ҫmimi kryesor iu nda :
 
Shefqet Hajdarit, student i doktoratës nga Universiteti Montpellier në Francë me temë: “Roli i proteinës kromatinike HP1 (Heterochromatin Protein 1) në homeostazën e mëlçisë”.
 
Vendin e dytë e ndajnë :
 
Qëndresa Beqiraj nga Universiteti i Prishtinës me temën “PGE2 rikthen përgjigjet e dobësuara relaksuese të muskujve të lëmuar të rrugëve të ajrit të indukuara nga hiperoksia te të vegjlit e minjve nëpërmjet rrugës sinjalizuese EP-AMPc/PKA” dhe Genc Rexhepi nga Qendra Evropiane për Arsim të Lartë “Qeap Heimerer”, me temën “Inteligjenca përtej pritjeve: A është faktor mbrojtës kundër depresionit?”
 
Vendin e tretë e ndajnë : Eva Troja nga Universiteti i Tiranës, me temën “Zhvillimi i metodës RP-HPLC për përcaktimin e metforminës në plazmën humane” dhe Selima Shaqiri nga Universiteti Shtetëror i Tetovës me temën “Rreziku dhe numri i madh i intereaksioneve midis barnave: Të dhëna nga barnatore lokale në Maqedoni”!
 
Ndërsa posteri më i mirë: Arton Baftiu nga Universiteti i Olsos në Norvegji: “Disponueshmeria e barnave Antiepileptike ne vendet nordike dhe Ballkanit perëndimor”
 
“KISCOMS 5” u mbajt nën kujdesin e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrën Evropiane për Arsim të Lartë “Qeap Heimerer”.
 
Qëllimi i themelimit të projektit të Kongresit Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, ka qenë stimulimi dhe ngritja e vetëdijes dhe interesimit të studentëve dhe profesionistëve të rinj të shkencave mjekësore, për rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore. Kujtojmë se në katër kongreset e mbajtura deri me tani, numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve ishte mbi 2000, ndërsa janë prezantuar mbi 250 punime shkencore. Në kongresin e 5-të u prezantuan mbi 45 punime shkencore, ndërsa pjesëmarrës janë rreth 600 studentë dhe profesionistë të shkencave mjekësore. /Telegrafi/
Artikulli paraprakSeancë e jashtëzakonshme e Byrosë për koordinim të shërbimeve të sigurisë të Serbisë
Artikulli vijuesDisa të vrarë në Zvicër