Edlira Dyrmishaj, një aktiviste sociale e njëherësh psikologe, nuk e ka përjetuar mirë dhe jo vetëm në emër të personales, një deklaratë të ministrit të Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, sipas së cilit femrat që mbulohen paguhen me para për ta bërë këtë gjë. Qoftë për t’a sqaruar sado pak diplomatin në fjalë, kështu, nga distanca, por dhe të gjithë atë masë njerëzish që çdo gjë e mat me kutin e parasë, madje edhe besimin, ndenjën më të lartë që mund të posedojë njeriu sipas znj. Dyrmishaj, kjo e fundit rreket edhe njëherë të sqarojë se ç’fshihet pas mbulesës, meqë më mirë se ajo që e mban askush nuk mund ta dijë…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Jeni një ndër miliona femrat e mbulura në këtë botë. Shkurt: sa para keni marrë për ta vënë shaminë e për t’u veshur me të gjata?
Ka qenë një diskutim tejet i vështirë. Një kontratë që duhej të merrte parasysh një jetë pagesë. Shumat arrinin në miliona euro, ju nuk mund t’a imagjinoni. Hëm…qesharake deri në kufijtë e djallëzores!
Ajo që kam marrë ka qenë vetëm sfida pa fund, ama e vendosur me shpirt për t’u përballur me çdo sprovë. Kjo mbulesë është adhurim. Është një sipërmarrje dhe vendosje tejet personale dhe ndjenjë intime, që vetëm një e mbuluar di ta kuptojë se çdo të thotë të reflektosh në të jashtmen tënde, atë që mban në zemër, bindjen dhe dashurinë për Zotin. Është e gjitha dashuri…Një vendim që të mundëson të shijosh kufijtë e të gjithë potencialit tënd si qenie humane, si grua. Ti zgjedh të bashkëpunosh thelbësisht për atë çfarë ke në mendje e në zemër…për çfarë mund të bësh në ketë jetë, pa asnjë motiv tjetër. Me dy fjalë: të ndihesh e lirë!
Shiko, ai që ka thënë se ju merrni para për t’u mbuluar nuk është një njeri dosido, por vetë kreu i diplomacisë austriake…
Për mua është shumë e qartë situata. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të flitet me gjuhë provokuese e tendencioze për një praktikë fetare islame veçse nga liderë e diplomatë orientuar nga kultura dhe qytetërimi perëndimor, e në mënyrë specifike nga laicizmi dhe sekularizmi. Dhe çështja nuk ka të bëjë me ne si individë, është më tepër konceptuale: përplasje pytetërimesh, bindjesh, referencë e sistemit të vlerave ku aderojmë pala “ai” dhe pala “ne”.
Ju nuk mundeni ta takoni atë nomnialisht e t’ja sqaroni që veç me paranë nuk ka lidhje kjo puna e veshjes, por ama mundet t’ja përcillni një mesazh në distancë të gjithë atyre që mendojnë si ai…
Teodor Rusvelt ka një thënie gjeniale për diplomacinë. “Asnjëherë mos godit nëse është ndershmërisht e mundur t’a evitosh, por nëse e bën, asnjëherë mos godit butë ”
Kjo shprehje na tregon qartë se një diplomat nuk shprehet asnjëherë rastësisht, e aq më pak të merret me çështje dytësore të situatës. Kthyer në diskutimin tonë, ajo që kreu i diplomacisë austriake tenton të godasë përmes këtij qëndrimi të cilin do t’a quaja qesharak dhe banal, nuk është asgjë tjetër por thelbi i së tërës. Ai tenton të godasë pikërisht sistemin e vlerave në të cilën ngrihet ky besim. Automatikisht në këtë formë ke goditur në mënyrë të qenësishmë dhe tronditur nga themelet besimin dhe bindjet e secilit që ka krijuar një fije respekti dhe ka në mendje një panoramë pozitive për Islamin dhe besimtarët e kësaj feje. Kjo është dhe arsyeja që reagimi nga ana e besimtarëve është pothuaj i paevitueshëmsa sa herë që vihen ne diskutim tema të tilla, pasi në vetvete nuk flitet për çështje të tipit “ngjyra apo gjatësia e fustanit”, por diskutimi i maskuar synon sulmin e sistemit të vlerave për të cilat pjesa dërrmuese e besimtarëve vazhdimisht sakrifikojnë për t’i përthyer në realitetin e përditshëm.
Mesazhi im për kreun e diplomacisë austriake por jo vetëm, është se do të duhej të kërkohej falje publike për fyrjen e mijëra grave dhe vajzave ballkanase të cilat do të duhej të shiheshin dhe trajtoheshin me respekt dhe vlerësim për faktin se janë dominancë muslimane, e cila, pikërisht falë këtij sistemi vlerash që ju tentoni të sulmoni (dhe këtu po kaloj në vetën e dytë shumës), gjithnjë ka qenë model për tolerancën fetare. Dhe më lejoni t’u risjell në vëmendje se tolerancën e mbajnë në ekuilibra dominancat, jo pakicat. Ndërkohë, diskutimi juaj karrierist dhe provokativ mbi këtë kategori të popullsisë duket sikur do të hedhë benzinë mbi zjarr. Çdo femër do të ndihej e lënduar nëse do të vihej në pikëpyetja për liria dhe dinjiteti i saj duke e vënë në peshoren e parasë. E nëse rastësisht keni sulmuar parimet dhe vlerat e besimit islam, po aq rastësisht keni sulmuar ndjenjat dhe emocionet e mijëra grave muslimane por jo vetëm. Ato janë nëna, motra, bija, e bashkëshorte të dikujt. Përafërsisht e keni katërfishuar numrin e personave të prekur nga kjo fyerje “rastësore dhe aksidentale”. Unë besoj se një lider i demokracisë perëndimore nuk mund t’ja falë vetes të mos e shpjegojë këtë moment delikat në të cilin ka krijuar një konflikt konceptual dhe irritim të një mase popullsie që veç për dele – siç i quan ambasadori Lu- nuk shquhen. Dëmin potencial mund t’a përllogarisni vetë. Churchill shprehet mbi diplomacinë se ajo është, t’i tregosh njerëzve se mund të shkojnë prapa diellit, dhe ndërkohë ata të të pyesin se si të arrijnë deri atje.
A është veshja juaj arabe, turke, a çfarë…?
Të gjithë e dinë se kjo veshje është praktikë fetare islame.
Si e tillë do të doja të theksoj se islami nuk i përket asnjë kombësie të caktuar. Nuk i përket asaj arabe prej nga ku ka burimin si kumt, e aq më pak asaj turke. Si fe monoteiste dhe si fe ku aderojnë rreth 1.7 miliardë banorë të tokës, padiskutim mund të shprehemi se besimi islam është besim universal për të gjithë popujt pa dallim gjuhe dhe race. Islami është multikultural, i tillë që doket dhe traditat e vyera dhe të shëndosha për rregullimin e jetesës i ka aprovuar dhe përforcuar, ndërkohë paralelisht ka abroguar doket dhe traditat të cilat dëmtonin cilësinë e jetesës dhe shkonin përkundër natyrshmërisë njerëzore. Me këtë dimension tejet fleksibël dhe të larmishëm të elementeve socialë dhe kulturorë që servir, pasi i ka selektuar mirë nga çdo traditë e mykur dhe prapanike, Islami mbetet gjithnjë aktual, pse jo dhe shumë bashkëkohor. Për këtë arsye mund t’i them vetes lirshëm se jam aq shqiptare sa gjithë shqiptarët e tjerë, dhe se besimi im nuk më çbën nga të qenit shqiptare. Në këtë kontekst, veshja ime nuk është kulturë arabe e as turke, por adhurim ndaj Zotit tim.
Pse ndodh që, edhe pse ca gjëra tashmë janë të qarta, kjo falë edhe aksesit tuaj në media, sërish një pjesë e opinionit “i bie fyellit me një vrimë”, siç do thoshte populli në këtë rast, lidhur me arsyet financiare të mbulesës apo statusin e saj arab e turk?
Është e vërtetë se para dhjetë apo 15 vitesh njohuritë e njerëzve rreth Islamit në përgjithësi dhe mbulesës në veçanti ishin tejet të kufizuara, çka të lejonte të mirëkuptoje reagimet, sjelljet dhe skepticizmin e pjesës masive të njerëzve që nuk kishin kontakt as me literaturën islame, as me besimtarët praktikantë, e as me mjete alternative informacioni siç është sot interneti. Sot, situata është 99% ndryshe. Mundësitë e informimit janë të larmishme dhe mbi të gjitha kontaktet sociale që qytetarët kanë me vetë besimtarët dhe në mënyrë specifike gratë dhe vajzat e mbuluara, ka bërë që të afrohet konsiderueshëm botëkuptimi dhe pranimi i qytetarëve me realitetin e konceptit të mbulesës. Veçanërisht duke e personifikuar nga një mori vajzash dhe grash të suksesshme në sektorët që përfaqësojnë si akademikisht, por edhe në të tjera drejtime.
Në të tilla rrethana ku kemi një raport informal pothuaj të shkëlqyer të qytetarëve më njëri-tjetrin pa marrë parasyh se a kanë përballë një të mbuluar apo jo, natyrshëm lind një retorikë konfuze e cila krijon përplasje dhe orientim gjithnjë te e njëjta pikë diskutimi. Diskutim ky i cili në thelb ka synimin të mbajë të gjallë frikën, skepticizmin islamofobinë, qoftë dhe duke i vënë në lojë, e duke i etiketuar gjithnjë si të paafta gratë e mbuluara; duke i vendosur çdo herë që jepet mundësia përballë presionit të të ndjerit të përjashtuara nga administratat publike shtetërore apo shkollat publike. Askush nuk hedh dritë mbi faktin se rrethi vicioz në të cilin qëllimisht ëshët lënë kjo kategori e shoqërisë, buron, ushqehet dhe promovohet nga vetë krerët e udhëheqjeve.
Në fakt, e vërtetë është se përplasja ndodh midis dy qasjeve diametrikisht të ndryshme. Në njërin krah kemi qasjen sekulariste, e cila këmbëkryq qëndron në themel të këtij diskursi episodik të fyerjeve ndaj grave muslimane, dhe qasjes islame nga ana tjetër.
Kemi një disbalancë të ligjores me normën shoqërore. Për pasojë do të duhej të ndodhnin ndryshime në sferën ligjore, ose të paktën në mënyrën e interpretimit të kësaj sfere, në mënyrë që harmonia e cila ekziston në terrenin social e në marrëdhëniet ndërpersonale të reflektohej po ashtu edhe në pranimin e këtyre femrave në shkolla dhe vende pune të administratave të shtetit të cilit i përgjigjen me taksa.
Mendoj se këtu qëndron kleçka e gjithë meselesë. Potencialet intelektuale ekzistojnë në mesin e këtyre vajzave. Deri kur do t’i mbajmë larg hapësirës publike?
Përderisa koha nuk është në favorin tonë pasi çdo ditë numri i të mbuluarve rritet, dhe do të vijë një kohë që statistika do të na verë me shpatulla pas murit. Atëherë ajo që ne duhet të bëjmë është që të mbajmë në psiqikën e masave të instaluar të njëjtën ide, mendim, dhe bindje ndaj kësaj kategorie. Njësoj si para 15 viteve në fillesat e saj. Në mënyrë që diskutimi dhe debati konstruktiv të mos përparojë në faza më konkrete të zgjidhjes së problemit, dhe që askush të mos guxojë të pretendojë për të dalë nga ky rreth vicioz i injorancës, prapambetjes e papunësisë së gruas muslimane për të kërkuar pozicionimin e saj si të barabartë me gjithë pjesën tjetër të grave të përfshira në jetën publike, e banalizojmë diskutimin, e injorojmë gjithë shtresën në fjalë dhe për më tepër duke e mbajtur te karikuar këtë gjendje: sharje, ofendime, kërcënime, injorime, agresivitet verbal etj. Ajo që ndodh në psikologjinë e masave, shkurt dhe qartë është desensibilizimi i ndjeshmërisë dhe i përgjegjsmërisë sociale. E thënë në mënyrë popullore dhe pse tingëllon dhimbshëm: “Mirë ua bëjnë”, e aq me tepër që këto mesazhe negative na serviren përmes ekranit, gazetave, lajmeve, dhe si për t’i vënë vulën ato artikulohen nga personazhe publike, nga krerë shtetesh etj. Ajo që psikologjikisht ndodh në mënyrë të pavetëdijshme është pikërisht legjitimimi i këtyre qëndrimeve dhe tendenca për t’i përqafuar dhe pasuar ato, pasi thjesht na janë servirur nga ajo që ka pushtet mbi mendjet tona: media.
Dhe për t’u kthyer sërish tek paraja, sa do donit që ta hiqnit? Jeni e lirë të ironizoni sa të doni…
Ironia është e vetëkuptueshme dhe e pafundme në forma në një rast të tillë. Por po zgjedh të jem tejet serioze, për veten sigurisht dhe për ato mijra e miliona si unë që janë mbuluar me të njëjtën referencë hyjnore: askush dhe asgjë, nuk mund ta peshojë premtimin e Zotit tim! Askush, nuk mund të guxojë të vendosi në ankand bindjet, liritë dhe zgjedhjet e mia! /tesheshi.com/