Përkrahni fëmijët dhe nënat!

0
183

Përfundoi konferenca dy ditore, e organizuar nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, në të cilën u debatua për çështjet e të drejtave të fëmijëve, zhvillimin e fëmijërisë së hershme, politikat sociale ndaj tyre.

Ulrike Lunacek, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, pasi iu referua disa neneve të traktatit të Lisbonës, foli edhe për rolin e gruas si nënë dhe nevojën për fuqizimin e saj.

“Nëse ne si parlamentarë – përfaqësues të shoqërive ku jetojmë, nuk i përkrahim fëmijët dhe gratë nëna dhe nuk lobojmë në respektimin e të drejtave të tyre, atëherë kush do të mund ta bënte këtë”, tha Lunacek, duke e përfunduar me porosinë që të kujdesemi mirë për fëmijët tanë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Lutfi Haziri të ardhmen e fëmijëve të Kosovës e konsideroi të zymtë. “Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë, sidomos në largimin e fëmijëve nga rruga (kërkim-lëmosha) dhe puna në rrugë”.

Haziri përmendi edhe një sërë ligjesh që pritet të miratohen, e të cilat do të përmirësojnë jetën e fëmijëve, ndërkohë që theksoi se Kosova po vuan nga moszbatimi i ligjeve dhe strategjive të miratuara.

Qëllimi i kësaj konference ishte që të ofrojë informata dhe të ndajë përvoja që do të ndihmojnë parlamentarët dhe do t’iu ofrojnë njohuritë e nevojshme për çështjet rreth të drejtave të fëmijëve, që janë të domosdoshme për të realizuar përgjegjësitë e tyre si parlamentarë dhe t’i përfaqësojnë interesat e tyre. Konferenca është organizuar në pajtim me planin e punës për 2012 -2013 të miratuar në mes të Kuvendit të Kosovës dhe UNICEF-it, transmeton Koha.net.

Verena Knaus, këshilltare e lartë për politika dhe marrëdhënie me institucionet e BE-së nga zyra e UNICEF-it në Bruksel, foli për sfidat që e presin Kosovën në rrugën e integrimit evropian, duke përsëritur disa herë se lista e Kosovës për të punuar dhe zhvilluar është shumë e gjatë dhe se studimi i fizibilitetit është vetëm nisma e gjithë këtij procesi.

“I gjithë procesi i integrimit të Kosovës, bazuar në vendet tuaja fqinje do të marrë 12 deri 13 vjet. Ajo çfarë BE do të kërkojë nga ju gjatë gjithë këtij procesi të gjatë është se çfarë jete bëjnë fëmijët tuaj dhe sa respektohen të drejtat e tyre”, tha Knaus. Objektiva e përgjithshme e kësaj konference ishte kontribuimi në rolin përmbajtësor të Kuvendit të Kosovës në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve gjatë analizës dhe shqyrtimit të projektligjeve, monitorimit dhe zbatimit të politikave dhe strategjive, si dhe miratimit dhe monitorimit të buxhetit.kohaislame