Kosova feston 7-vjetorin e Pavarësisë me 108 njohje

Kosova javën e ardhshme, më 17 shkurt, ka 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, të njohur deri sot nga 108 shtete anëtarë të OKB-së dhe drejt njohjeve të reja.

Kosova ka nisur festimet e 7-vjetorit të Pavarësisë, sipas agjendës së Këshillit Organizativ të themeluar nga qeveria, me ekspozitën me artefaktet e trashëgimisë nga lashtësia, Arkeologjia 2014, të hapur mbrëmjen e 13 shkurtit. Në ceremoninë festive morën pjesë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi e përfaqësues të tjerë vendorë e të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Në Ditën e Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë solemne, në orën 15:00, kohë kur para shtatë vitesh u mblodh për shpalljen e shtetit të ri evropian.

Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës organizojnë pritje për trupin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Fillimisht u bëhen homazhe Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Festimet vazhdojnë me ndezjen e fishekzjarrëve duke nisur gjysmë orë para mesnatës…

Do organizohen edhe veprimtari të tjera në Prishtinë dhe në qytete tjera kosovare edhe me axhenda festimesh të komunave, përfshirë seancat solemne të tyre, e nga vetë njerëzit-qytetarët në festë që tradicionalisht mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë. Aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë organizohen edhe në të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka deklaruar për median se deri në jubileun e 10 vjetorit, vitin 2018, shënimi i përvjetorëve të Pavarësisë do të festohet në mënyrë modeste. “Vlerësojmë se viti 2018 do të jetë një vit i duhur për shënimin e 10 vjetorit, si vit jubilar. Ky do te ishte edhe momenti që përmes një ceremonie a ngjarje festive më madhështore të ftojmë personalitete të vendeve euroatlantike, që në zemër të Ballkanit të festojmë bashkë modelin e një vendi të lirë, të pavarur dhe suksesshëm si shprehje e frymës dhe idealeve evropiane”, ka thënë Abrashi.

“Ndërsa këtë vit dhe deri në 2018 vlerësojmë se duhet festuar me modesti dhe me përkushtim, sepse kemi sfida në forcimin e shtetit tonë. Sidoqoftë, ne gjithmonë festojmë me miq të shumtë të prezencës ndërkombëtare në Kosovë, sikurse edhe ata festojnë me ne për Pavarësi. Kështu do te jetë gjithmonë”, është shprehur zëdhënësi i qeverisë kosovare.

Një nga veprimtaritë e 17 Shkurtit do jetë edhe kjo: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me rastin e Pavarësisë së Kosovës, do të bëjë ndarjen ceremoniale të Çmimit Letrar Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimeve tjera Vjetore për Letërsi. Kosova në ditën e sotme ka dy njohje më shumë se para një viti, pasi u njoh edhe nga Togo në 2 korrik dhe nga Ishujt Solomon në 13 gusht 2014.

Artikulli paraprakAnkaraja reagon ndaj vendimit të PE për “Personat e humbur në Qipro”
Artikulli vijuesAkademikët turq gjejnë shkakun e zhurmës që bën frigoriferi