Përkundër "marrëveshjes" për paqe, Gaza bombardohet 127 të vrarë mbi 1100 të plagosur

Të paktën 20 palestinezë janë vrarë gjatë të martës, sipas raportimeve. Dy izraelitë, një ushtar dhe një civil, kanë ndërruar jetë gjithashtu nga sulmet me raketa.
Më herët, zyrtarë egjiptianë dhe palestinezë thanë se armëpushimi mund të njoftohej së shpejti, teksa vazhdojnë bisedimet në Cairo. Por, zëdhënësi izraelit, Mark Regev, ka thënë për BBC se asnjë marrëveshje nuk është arritur ende.

“Nuk kam aspak dyshime se Hamas do të ndihet mëse i lumtur, nëse do të gjejë paksa kohë për frymëmarrje. Kështu, ata do të mund të pushojnë, do të riarmatosen dhe do të kemi sërish sulme me raketa ndaj Izraelit javën e ardhshme, apo muajin tjetër. Nuk jemi të interesuar për këtë zgjidhje”, tha ai.

Gjatë së martës, një zyrtar i lartë i Hamas, Izzat Risheq, tha se marrëveshja nuk do të mund të arrihej përpara mëngjesit të së mërkurës. Ushtria izraelite bëri të ditur se sulmet e reja të saj kanë vënë nën shënjestër “dy operativë të gabuar” në qendër të Rripit të Gazës, transmeton TCH.

Pasditen e së martës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, mbërriti në Izrael, në përpjekje për të siguruar armëpushimin. Ajo tha se do të punonte së bashku me Izraelin dhe Egjiptin për të vendosur paqen në Gaza “në ditët në vazhdim”.

Ajo shtoi gjithashtu se “është esenciale të ulej tensioni midis palëve” në Gaza dhe mirëpriti përpjekjet ndërmjetësuese të egjiptianëve. Netanyahu tha se Izraeli do të mirëpriste çdo lloj zgjidhjeje diplomatike, por paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë “çdo veprim” të nevojshëm.

Pas bisedimeve të orëve të natës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, zonja Clinton pritet të udhëtojë në Ramallah dhe Kajro, gjatë së mërkurës.

Ushtria izraelite bëri të ditur se rreth 150 raketa ishin lëshuar nga Gaza në drejtim të Izraelit gjatë ditës së martë, shumica e të cilave u kapën nga sistemi i mbrojtjes “Iron Dome” të Izraelit.

U bë gjithashtu e ditur se një prej ushtarëve të këtij shteti u vra në zonën Eshkol nga një raketë, si dhe një punëtor civil, i cili punonte për Ministrinë e Mbrojtjes, në zonën Negev.

Luftuesit e ndarë të Hamas kanë ekzekutuar 6 njerëz, pasditen e së martës, pasi i akuzonin ata si “spiunë” të Izraelit. Një dëshmitar tha për agjencinë e lajmeve AFP: “Persona të armatosur në një automjet i tërhoqën ata deri në lagje, i nxorën jashtë dhe i qëlluan menjëherë”. Një prej viktimave u tërhoq më pas nga luftëtarët e Hamas i lidhur pas një motori.

Në përditësimin e fundit të bilancit të viktimave nga sulmet izraelite raportohet për të paktën 127 palestinezë të vrarë dhe mbi 1.100 të plagosur në territoret e Rripit të Gazës, sipas shifrave të bëra publike nga presidenti i Komunitetit të Botës Arabe në Itali, Foad Aodi.
Të njëjtin raport dhe shifrat e bëra publike i konfirmoi edhe drejtori i përgjithshëm i organizatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, Kalad Giwda.

Sipas organizatës, ”gratë, fëmijët dhe të moshuarit përbëjnë pjesën më të madhe të viktimave” të shkaktuara nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës.

Artikulli paraprakRamiqi, thirrje për Gazën!
Artikulli vijuesJeremiq shtyn sërish Serbinë në konfrontim me Perëndimin