Njëri nga frytet e shoqërimit të shpeshtë me Kuranin është edhe kapja e detajeve dhe bukurive të cilat nuk i vëren personi i cili aspak nuk shoqërohet me Librin e Allahut.
Dijetarët muslimanë shumë herët kanë treguar urtësitë e lidhjes së ajeteve dhe sureve njëra me tjetrën. Kjo në gjuhën arabe njihet me termin El-Munasabe. Në aspektin gjuhësorë komentohet si ngjashmëri, ndërsa në aspektin terminologjik i referohet lidhjes ndërmjet disa pjesëve të Kuranit dhe disa ajeteve kuranore, si dhe ndërmjet lidhjes së ajeteve dhe sureve. Tregimet kuranore, ajetet dhe suret e plotësojnë njëra tjetrën, janë të harmonizuara në mënyrën më të bukur dhe në secilin rilexim të tekstit arrijmë të përfitojmë porosi të reja.
Në këtë tekst do të tregojmë disa mesazhe të fshehura që ndërlidhen ndërmjet sures së fundit el-Felek dhe en-Nas.
A keni menduar ndonjëherë se çfarë urtësie fshihet në faktin që Kurani përfundon pikërisht me këto dy sure?
Dijetarët muslimanë në këtë pyetje janë përgjigjur duke përmendur disa urtësi:
Urtësia e parë:
Imam Ibn Xhuzej El-Kilbi në Teshilin e tij përmend se Ebu Xhafer ibn Zubejr r.h ka thënë: “Pasi që Kurani është mirësia më e madhe, dhe kjo është një arsyeje që pasuesit e tij të xhelozohen nga të tjerët, përfundon me atë që shuan këtë xhelozi (zili) duke kërkuar strehim tek Allahu!” Pikërisht, nga ky shkak, strehimi tek Allahu, nga e keqja e njerëzve dhe xhinëve, suret el-Felek dhe en-Nas emërtohen me një emër të përbashkët “El-Mu’avvidhetani” – dy suret mbrojtëse.
Kështu që, lexuesit të Kuranit i është urdhëruar që në fillim të leximit të kërkojë strehim tek Allahu nga djalli i mallkuar, andaj edhe Kurani përfundon me dy suret mbrojtëse që të përfshihet nga strehimi tek Allahu edhe në fillim edhe në fund. Në këtë mënyrë lexuesi i Kuranit është i mbrojtur edhe në fillim edhe në fund të leximit.
Pra, në suren El – Felek kërkohet mbrojtja e Allahut të Madhërishëm nga: sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar: nga sherri i njerëzve, xhinëve, shtazëve, pastaj nga sherri i natës kur e kaplon terri, nga sherri i falltarëve që fryjnë nyje dhe nga sherri i ziliqarit kur vepron me zili. Në këtë sure Allahu i Madhërishëm i përshkruan tre sherret (të këqijat), me çka na tregon rrezikun e madh që del nga to: Sherri i parë është ai i territ të natës, sherri i dytë që përmendet është ai falltarit , respektivisht sherri i sihrit, i cili është i pranishëm në çdo moment. Dhe sherri i tretë është ai ziliqarit kur vepron me zilinë e tij.
Duke marrë parasysh se sureja Felek ka pesë ajete, me këtë jetet shenjë se ai i cili e lexon me sinqeritet këtë sure do të jetë i mbrojtur nga pesë sherre. “Sherri i njerëzve, i xhinëve, i egos, i shejtanit dhe sherri i sëmundjes, ndërsa në suren En-Nas kërkohet mbrojtja nga shejtani dhe nga vesveset e tij, pra nga pëshpëritjet e tij.
Urtësia e dytë:
Dijetarët muslimanë përmendin se Kurani mbaron me suren El-Felek dhe En-Nas, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka theksuar rëndësinë e këtyre në shumë hadithe, ashtu siç ka thënë edhe për suren El-Fatiha: Pasha Allahun nuk është shpallur në Tevrat, as në Inxhil, as në Zebur dhe as në Furkan, e ngjashme me të, ajo është shtatë ajete që përsëriten dhe Kurani madhështorë.” (Tirmidhiu).
Me këtë dëshirohet të tregohet se Kurani fillon dhe mbaron me suret të cilat nuk kanë të ngjashme për nga vlerat dhe mesazhet e bukura, andaj Kurani fillon dhe mbaron me mesazhe të bukura dhe mëshirë. Kurani është mëshirë dhe ilaç për besimtarët nga sureja e parë deri tek e fundit.
Burimi: Saff.ba
Përshtati: Arsim Dauti