Sot dua që ne të zhytemi në ajetin vijues. Allahu thotë në Kuran:
“Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (Surja Fet‟h, Kaptina 48, Ajeti 29)
Allahu (Subhanehu we te‟ala) i jep 2 përshkrime të shoqëruesve të profetit Muhamed (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
Përshkrimi i parë gjendet në Tevrat (Torah – Libri i jehudëve) ku përshkruhet besnikëria e Sahabëve (shoqëruesve) të Pejgamberit a.s. në namazet (adhurimet) e tyre: “i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat”.
Përshkrimi i dytë gjendet në Inxhilë (Ungjilli – libri i të krishterëve) ku ata përshkruhen si fara që rriten në rrënjë të forta dhe që qëndrojnë vetvetiu: “dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin.”
Pyetja e parë që do ta bënim është pse Allahu (Subhanehu we te‟ala) i ka përshkruar shoqëruesit ndryshe në libra të ndryshëm! Dijetarët të cilët kanë gjurmuar në këtë ajet kanë thënë se për shkak se populli Jehud nuk e kanë zbatuar ligjin i cili qe caktuar për ta dhe nuk e kanë pasuar siç duhet (edhe pse ata kishin dijeni për të por nuk e zbatonin), Allahu (Subhanehu we te‟ala) dëshiroj tu tregoj atyre shembullin e një populli të ardhshëm të cilët do ti nënshtrohen Ligjit dhe do ta adhurojnë Allahun, e duke përshkruar bukur këta shoqërues dhe namazin e tyre.
Në anën tjetër, krishterët ishin në mënyrë ekstreme të përkushtuar ndaj religjionit; duke bërë gjëra për të cilat as që kërkoheshin prej tyre të bëheshin, sikur që është shndërrimi në murgj e murgjëresha, dhe duke shmangur jetën e kësaj bote. Kështu, Allahu (Subhanehu we te‟ala) dëshiroi që tu japë atyre një shembull të një populli të ardhshëm të cilët do të ishin religjioz mirëpo gjithashtu produktiv dhe aktiv. Ngjashëm me një bimë e cila qëndron vetvetiu në këmbë, Sahabët nuk mbështeteshin tek të tjerët për sigurimin e mirëqenies së tyre, dhe sollën qejf dhe mrekulli për ata që ishin rreth tyre.
Këto dy përshkrime të kombinuara japin një formulë të saktë se si duhet të jetë një musliman produktiv: një njeri që është shumë i lidhur me religjionin, i kryen detyrat e tij/saj me kohë, dhe nëse i sheh ata të duken sikur janë murgjër. POR në të njëjtën kohë, ky individ vazhdon të jetojë, kërkon dhuratat e Zotit të tij, është produktiv dhe aktiv, përveç kësaj e shpërndan mirësinë e tij dhe përfitimin nga puna e tij tek të tjerët rreth tij sikurse një bimë e fortë dhe e bukur.
Më lejo ta topis edhe më; sot kemi disa muslimanë (mashAllah) shumë të përkushtuar fetarisht. Ata qëndrojnë në xhami tërë ditën e gjatë, falen natën, agjërojnë e kështu me radhë. Megjithatë, përfitimi i kësaj është për veten e tyre dhe ata nuk janë në gjendje të tejkalojnë nga kjo dhe të jenë produktiv dhe aktiv për ata që janë rreth tyre. Ajo çfarë bëjnë ata nuk është e keqe ose pa meritë, megjithatë njeriu duhet ta balancojë jetën e tij dhe të jetë aktiv në komunitetin e tij, aktiv në punë, të kërkojë bekimet e Allahut dhe të jetë i përkushtuar në një stil të balancuar të jetës së tij.
Në të njëjtën kohë, kemi musliman të cilët fatkeqësisht nuk i kryejnë detyrat e tyre të Islamit, edhe pse janë ekstremisht produktiv në botën e tyre të jashtme. Ata kanë karriera të vyera, janë individë shumë të përkushtuar në punë, janë të kyçur në shumë projekte të komunitetit, prodhojnë mjaft punë të mira…, por kur gërmon pak më shumë në jetën e tyre vëren lënie të namazeve, mungesë mbulese tek femrat, lënie të agjërimit, e kështu me radhë.
Ndoshta do të pyesësh, pse s‟mund ti kemi të dyjat? Pse s‟mund të kemi muslimanë me të vërtetë produktiv të cilët janë të përkushtuar fetarisht DHE shumë të dalluar me sukses dhe produktivitet në botën që na rrethon? Pse nuk mund t‟ia shfaqim botës këtë shembull unik të muslimanëve, të këtyre “murgjve produktiv” në të njëjtën mënyrë sikur që Allahu (Subhanehu we teala) i ka përshkruar Sahabët në Librin e Tij?
Ajeti i përmendur më parë i përshkruan Sahabët e Profetit Muhamed (Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi të) në mënyrë të veçantë sepse ata ishin shembull i vërtetë i gjeneratës para tyre dhe i gjeneratave që do të vinin. Me ndjekjen e shembullit të tyre në jetën tonë sot edhe ne mund të bëhemi muslimanë produktiv inshAllah. Si trashëgimtarë të këtij religjioni madhështor prej Profetit e pastaj Sahabëve, ne duhet të synojmë ti mishërojmë kuptimet e lartpërmendura në jetët tona aq mirë sa që të mos luhatemi aspak në njërën apo anën tjetër.
Dhe Allahu e di më së miri!
marrë nga productivemuslim.com/përkthehu Hekuran Helshani/kohaislame