Përsëri Ramazani!

Të gjithë ne, e përjetojmë se koha kalon shumë shpejtë, sidomos duke parë që na vijnë Ramazanet një pas tjetrit. Ramazani është një shancë e mirë për të analizuar zhvillimet brenda nesh, të shohim të arriturat personale, të shohim mangësitë që i kemi dhe të plotësohemi me ato që nuk i kemi.
Dikush Ramazanin e kupton si ngarkesë, ditë të nxehta, të gjata, lodhje pa bukë e ujë, angazhime, andaj edhe i duket i rëndë, dikush si moment i vërtetimit të besimit dhe dashurisë, moment i flijimit dhe sakrificës, për të fitua kënaqësinë e Allahut, por edhe për tu ngritur mbi nevojat fizike tonat, duke ushqyer shpirtin bëhemi të fuqishëm në përballimin e urisë.
Tjerët e kuptojnë si obligim klasik, vetëm agjëro dhe vazhdo me avazin e vjetër mos ndrysho asgjë në botën e mendimit, në botën e sjelljes, në botën e humanizmit, në botën e adhurimeve dhe në botën e shërbimit të shoqërisë.
Ramazani është një shkollë multidimensionale. Ajo na mëson devotshmërinë, qëllim prej qëllimeve të mëdha të njeriut në jetë. Njeriu i devotshëm mes tij dhe gabimit bën perde dhe pastaj të ketë këtë perde me vete mes tij dhe zjarrit. Njeriu i devotshëm kujdeset ndaj obligimeve që ka ndaj Allahut, shoqërisë dhe vetvetes. Njeriu i devotshëm është më fisniku te Zoti, sepse me devocionin e tij ka fisnikërua shpirtin, mendjen dhe jetën e tij.
Ramazani na mëson rëndësinë e adhurimeve, si shenjë mirënjohje ndaj Allahut dhe forma të manifestimit të përuljes tonë ndaj Tij. Adhurimet të cilat shërbejnë si filtra nga helmet e shumta me të cilat kontaminohet shpirti jonë vazhdimisht. Adhurimet të cilat duhet i perceptojmë si mundësi e edukimit të shpitit rebel dhe urtësim i veprimeve të egra tona. Këtu mblidhen namazi, agjërimi, lutja, leximi i Kuranit, përmendja e shpeshtë e Zotit, vizita e farefisit, kujdesi për prindërit, afrimi i familjes, kujdesi për skamnorët, etj. Secili adhurim le gjurmët e veta në forma të ndryshme në ndërtimin e karakterit të një individi, andaj njeriu që ndërton karakterin e tij me këto adhurime i ngjan atij ë ndërton shtëpinë me material të fuqishëm, të cilën shtëpi nuk mund ta rrënon as fortuna më e madhe.
Ramazani na mëson humanizëm dhe kujdes ndaj tjetrit duke shtruar sofrat e iftarit, duke i ndihmuar familjarët e ngratë dhe duke ndarë sadaka fitrin në fund të Ramazanit. Na bën të socializohemi dhe të largojmë ndasitë e ndryshme që na lëndojnë shpirtin. Na bën njerëz që nuk i japin përparësi materiales dhe kalimtares po asaj shpirtërores dhe asaj që u bon dobi njerëzve. Njerëzit janë shndërruar në skllevër të pasurisë që e fitojnë me djersën dhe lodhjen e tyre, skllevër të pushteteve që i fitojnë me marifetet e tyre, skllevër të famës të cilën e fitojnë me disa dhunti që ua ka dhënë Allahu, e në Ramazan tregojnë se ata çlirohen tërësisht nga kjo skllavëri dhe se bëhen njerëz tërësisht të lirë dhe i nënshtrohen Madhërisë Absolute të Allahut, Fuqiplotë, në Dorë të të cilit është qielli dhe toka.
Ramazani na mëson renditjen e prioriteteve në jetë. Çështje e cila shumë njerëzve u kushton shumë, sepse në mungesë të renditjes së qartë ata humbin edhe këtë jetë por edhe jetën pas vdekjes, jetë e cila është e pafundme. Cilës duhet ti kushtojmë rëndësi më të madhe? Asaj materiale fizike apo asaj shpirtërore dhe morale? Cila është me rëndësi të jesh faqebardhë e i varfër apo i pasur e faqezi?! Shumë njerëz sot kanë humbur busullën. Ata janë të gatshëm të djegin faqebardhësinë e tyre për një përfitim të vogël material apo për një avancim në karrierë.
Ramazani i mëson se jeta shpirtërore dhe ajo e nderit dhe faqebardhësisë është më e madhe se sa ajo materialja, andaj njerëzit agjërojnë edhe 18 ore, madje në disa vende edhe më shumë, askush nuk i kontrollon, askush nuk i detyron, por frika nga Allahu dhe shpresa në shpërblimet e Tija është ajo që i mban besnik këtij adhurimi dhe kësaj detyre. Poqë se myslimanët do të ishin të këtillë në të gjitha obligimet e tyre atëherë nxënësit nuk do të vidhnin në provime, studenti nuk do të mashtronte gjatë shkollimit, mjeshtri nuk do të bënte hile në punë, pushtetari nuk do të korruptohej, intelektuali nuk do të bëhej vasal, akademiku frikacak, tregtari nuk do të mashtronte në tregtinë e tij, mjeku do të shfaqte kujdesin e tij maksimal ndaj pacientit dhe nuk do ta kushtëzonte me ryshfet shërbimin e tij.
Ramazani na mëson se ushqimi cilësor, me masë dhe në kohë të caktuara është veprimi më i mirë për tu kujdesur për shëndetin dhe për të luftuar mbipeshën. Iftari i cili fillon me hurme dhe ujë sipas sqarimeve të nutricionistëve është forma më e mirë e ushqimit të trupit me ushqime të shëndetshme dhe pa pasoja për shëndetin, lëre që e pengojnë edhe teprimin në ushqim, si shkak i urisë në ditë të gjata të Ramazanit.
Ramazani na mëson se pasuria është mjet në dorën e njeriut dhe jo qëllim final i tij, andaj jep zeqatën si obligim dhe lëmoshën (sadakanë) si vepër vullnetare dhe me te përveç që e gëzon një të ngratë apo një familjar, ai fillimisht e gëzon veten. Edhe dhënia e fitrave është një vepër sado e vogël në këtë drejtim.
Ramazani na mëson se njeriu kur ka telashe dhe problem i mjafton ndeja me mikun që e do edhe ti lehtësohen ato, së paku për ato pak paste që kalon me te, se namazi i teravisë, namazi i natës, është momenti kur rrimë me të Dashurinë Tonë, Allahun, dhe Atij ia paraqesim hallin tonë, atij ja tregojmë problemet tona, Atij i kërkojmë ndihmën dhe prej tij e shpresojmë zgjidhjen. Momente shumë të larta emocionale, çaste të paharrueshme, kalon gjysmë ore a një orë, më shumë a ma pak, duke biseduar me Allahun, duke e lavdëruar Atë, duke e falënderuar Atë, duke e madhëruar Atë, duke shfaq nevojën e madhe që ke për Te dhe mirësitë e Tija, dhe pastaj e përfundon me lutjen e kunutit ku krejt çka ke nevojë i nxjerr para Tij, andaj përloten sytë e besimtarëve dhe përulen zemrat e tyre.
Krejt këto të mira përfundojnë me përfundimin e Ramazanit. Na kaplon mërzia, mallëngjimi, frika, dëshira për tu pranuar i tërë ai mund, shpresa në Mëshirën e Madhe të Allahut. Allahu na jep ditën e Gëzimit, që praktikisht të na shpërblen mundin dhe lodhjen, angazhimin dhe përkushtimin, të mos na bëhet vonesë në pagesë, por menjëherë, me përfundimit e muajit na e sjell bajramin, fitër Bajamin, ku e shfaqim gëzimin e triumfit ndaj egos, të ligës, vesit, djallit dhe të keqes. Triumf i cili fillon revolucionin në jetën tonë. Revolucionin e përsosjes dhe dëlirësisë. Pa të cilin revolucion nuk filtrohet as jeta shoqërore.
Allahu na i pranoftë këto adhurime dhe Allahu na i shtoftë gëzimet dhe lumturinë në jetë!
Bekir Halimi
Artikulli paraprakVizioni M në Kumanovë shpërndau fletushka e hurma për Ramazan
Artikulli vijues“Masakra” në një kishë në SHBA: Pesëvjeçari shpëton duke u bërë si i vdekur