PISHMAN PËR LIGJIN E PUNËS

Pushimi njëvjeçar për lehonat mund të bëhet shkas për ndryshime të reja të Ligjit të Punës. Kjo ide ka zënë vend edhe në Ministrinë e Punës, pas analizave të cilat kanë treguar se vullneti për punësimin e femrave në sektorin privat ka ndryshuar.

Një nen i Ligjit të punës mund të pësojë ndryshime. E me këtë mund të dëmtohen lehonat kosovare. Pushimi i lehonisë që sipas këtij ligji tash për tash është njëvjeçar, mund të bëhet nëntë ose gjashtë muaj. Ky pritet të ndodhë për shkak të problemeve që femrat kosovare po kanë që të punësohen nëpër ndërmarrjet private.

Analizat e bëra për zbatimin e këtij ligji gjatë vitit të kaluar, kanë treguar se pushimi i lehonisë është një ndër shkaqet që punëdhënësit privatë nuk po e kanë vullnetin të punësojnë femrat nëpër kompanitë e tyre.

Ministri i Punës, Nenad Rashiq tregon për Express që pas analizës njëvjeçare për ndikimet pozitive apo negative të Ligjit të punës në shoqërinë kosovare, kishte menduar edhe për veprime të mëtutjeshme me të cilat do ta përmirësojnë këtë ligj.

“Dhe një prej ideve është që eventualisht shkurtimin e pushimit të lehonisë, i cili tash për tash është njëvjeçar, por për këtë do të vendoset pas analizës së fundit dhe asaj të grupit parlamentar për këtë çështje”, thotë ministri.

Rashiq tregon se ka pasur edhe një takim iniciues me Komisionin parlamentar për këtë punë, dhe tash edhe ky komision thotë se po investigon një analizë se sa ka ndikuar Ligji i punës, dhe në veçanti efektet negative apo pozitive në punësimin e grave.

“Sa e dimë ne, në këtë moment analizat që i përmenda po na tregojnë se kanë ndryshuar gjendja apo vullneti i punëdhënësve në kompanitë private për punësimin e grave, e kjo po na tregon se pushimi i lehonisë ndoshta ka ndikuar në këtë mosvullnet të tyre”, thotë Rashiq për gazetën, duke shtuar se tash po presin edhe analizat e grupit parlamentar.

Pas diskutimeve, ai tregon se mund të bëjnë një konkludim dhe sugjerimet të cilat do të propozojnë për amandamentimet apo propozimet për një korrigjim të këtij ligji.

Edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se ka dëgjuar se po flitet për shkurtimin e pushimit të lehonisë.

“Ne kemi dëgjuar se po duan të ndryshojnë dhe të shohim tash, pasi unë do të takohem edhe bizneset private për këtë çështje”, thotë Arifi për gazetën.

Për këtë çështje, ai thotë se duhet të bisedohet edhe me këtë sindikatë, por thotë se ligji amandamentohet përmes organeve kompetente, por paraprakisht thotë se duhet të diskutohet edhe me punëndhësnit. Njëherë ai tregon se nuk kanë marrë ndonjë sinjal në këtë drejtim, por presin takime për këtë që ka dëgjuar se pushimi mund të ndryshohet.

Kryetari Arifi pranon për Express se punësimi nëpër kompanitë private ka qenë më i vështirë, pas miratimit të Ligjit të punës, edhe pse ai thotë se shumica e lehonave janë kthyer pa e kryer krejt pushimin që u ka takuar. Kjo thotë se ka ndodhur për shkak të frikës së dikush mund t’ua zërë vendin e punës.

Ndërkaq, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tashmë i kanë në dispozicion edhe mjetet për pushimin e lehonisë. Për këtë pushim për vitin 2012 janë paraparë rreth 600 mijë euro.

Neni 49 i Ligjit të punës, thotë se femra e punësuar gëzon të drejtën prej dymbëdhjetë muajve të pushimit të lehonisë./expres/kohaislame

Artikulli paraprakShqipëria dërgon kontigjentin e 20 paqeruajtës në Afganistan
Artikulli vijuesPYJET RRAFSH