Komuna e Novacit të Manastirit, po zbaton apelin e ish kryeministrit Nikola Gruveski, që gratë maqedonase të lindin më shumë fëmijë me qëllim të rritjes së natalitetit. Me para nga buxheti i Komunës, kryetari Kotevski inkurajon beqarët e kësaj komune të martohet sa ma shpejtë.
Megjithatë, apeli i tij, siç kanë raportuar mediat lokale në Manastir, ka një kusht: vajzat të jenë nga Shqipëria dhe jo nga Maqedonia! Me qëllim që ta rrisë numrin e fëmijëve, Kotevski madje me financa të komunës i dërgon beqarët drejt Shqipërisë që të gjejnë nuse, shkruan mediat lokale në Maqedoni.
Përveç që komuna u mbulon të gjitha shpenzimet e martesës, gjithashtu në grupe ai organizon takimin e nuseve të reja të sapo martuara nga Shqipëria në Maqedoni, duke u shtruar dreka solemne dhe vizita falas të muzeve dhe lokacionin arkeologjik Heraklea në afërsi të Manastirit, njofton gazeta “Koha”.
“Nëse arrijnë të gjejnë nuse në Shqipëri, atëherë komuna jo vetëm që heq harxhimet e rrugës, por do t’i mbulojë edhe harxhimet e kurorëzimit, harxhimet e priftit për ceremoninë kishtare dhe në fund – harxhimet e dasmës”, thotë kreu i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.
Ai ka treguar se martesa e beqarëve maqedonase me vajza nga Shqipëria është edhe strategjia e Komunës së Novacit, e cila siç ka thënë Kotevski, dukshëm do të ndikojë në rritjen e natalitetit në këtë komunë, e cila ka 44 vendbanime me 3500 banorë, ndërsa brenda një viti lindin jo më shumë se 30 fëmijë.
“Kemi të përgatitur një listë me 100 beqarë. Vajza kemi shumë pak për shkak se një numër i madh familjeve, në mënyrë masovike po shpërngulen dhe vendosen nëpër qytete. Numri i beqarëve do të ishte shumë më i madh, por falë Shqipërisë, vetëm këtë vit kemi 30 martesa të beqarëve tanë me nuse shqiptare”, thotë krenar Kotevski.
“Ashtu siç këtu ka beqarë, tek ne ka shumë vajza të pamartuara, sepse meshkujt tanë nga fshatrat ikin për punë në Itali. Në vendbanimet e varfra rurale nuk është i vogël numri i femrave të pamartuara që kanë kaluar moshën 35-vjeç. Me të vërtetë jemi larg nga vendlindja, megjithatë kemi familje dhe fëmijë tanë”, thotë Shpresa Mitrevska nga fshati Aglarcë, e cila vendlindje ka një fshat malor të Shkodrës.
Nga këto martesa të përziera, në Komunën e Novacit është rritur edhe numri i fëmijëve të lindur, prandaj siç ka informuar Kotevski, Novaci me ndihmën e Ministrisë së Arsimit ka filluar me vendosjen e shkollave montazh nëpër shumë fshatra të kësaj komune.