Polakët bëhen gati për luftë!

Me kërcënimin e luftës në horizont, ligjvënësit polakë janë duke u përgatitur për të lënë sallat e pushtetit për fushat e betejës.
“Ka ardhur koha që mund të kërkojë gatishmëri për të mbrojtur vendin”, ka thënë së voni kryetari i Parlamentit, Radek Sikorski, duke u bërë thirrje ligjvënësve që të bëhen shembull për polakët e rinj.
 
Pesëdhjetë ligjvënës i janë përgjigjur thirrjes, duke u rreshtuar në stërvitje në një bazë ushtarake jashtë Varshavës, më 12 maj.
 
Vendimi i tyre për të praktikuar qitjen me pushkë dhe arte të tjera ushtarake tregon se sa të nevrikosur janë polakët e zakonshëm në lidhje me konfliktin në Ukrainën fqinje dhe përfshirjen e Rusisë në të.
 
Shumë polakë, me sa duket, janë të përgatitur për të mbrojtur vendin. Gjithnjë e më shumë janë duke iu bashkuar jo vetëm ushtrisë konvencionale, por edhe dhjetëra grupeve paraushtarake që operojnë në Poloni, thotë analisti Gustav Gressel për Radion Evropa e Lirë.
 
Gressel, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se aneksimi i Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014 ka shërbyer si thirrje zgjimi për politikanët dhe civilët.
 
Deputeti John Godson ka qenë në mesin e ligjvënësve që kanë marrë pjesë në trajnimin e kësaj jave dhe ka postuar në Twitter fotografi të manovrave dhe të vetes së tij. Pas kthimit në Varshavë, Godson u ka thënë gazetarëve se është i gatshëm për më shumë.
 
“Është një mënyrë shumë e mirë për rritjen e moralit të ushtrisë sonë dhe të popullatës”, ka thënë ai.
 
Në stërvitje, ligjvënësit kanë shtënë me armë, kanë hedhur granata të rreme dhe kanë mësuar ndihmën e parë.
 
Një tjetër deputet pjesëmarrës, Maciej Morczek, ka thënë se dyshon se do të ketë luftë, porse është e rëndësishme që të dërgohet mesazh i mbështetjes për ushtrinë e Polonisë.
 
“Duam t’iu dërgojmë mesazh të rinjve se forcat e armatosura na mbrojnë dhe janë të dobishme”, ka thënë ai për agjencinë Associated Press.
 
Ushtria e Polonisë numëron rreth 100,000 trupa, me rreth 20,000 rezervistë.
 
Pavarësisht shifrave të fuqishme, ministri i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, u ka bërë thirrje burrave dhe grave në moshën midis 18 dhe 50 vjeç dhe pa përvojë ushtarake, që të regjistrohen për stërvitje.
 
Sipas AP-së, më shumë se 2,000 njerëz janë përgjigjur deri më tani.
 
Analisti Gressel thotë se ushtria polake është zgjeruar me rreth 120 grupe paraushtarake, të cilat bëjnë stërvitje të ndara, në përpjekje për t’i harmonizuar ato me ushtrinë.
 
“Ata ushtrojnë me ta, i këshillojnë, u japin pak ndihmë, por ata nuk janë pjesë e ushtrisë polake. Ata nuk përdorin armët e ushtrisë. Ushtria punon me ta me shpresën se disa prej tyre mund t’i bashkohen një ditë”, thotë Gressel.
 
Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka njohur zyrtarisht grupet paraushtarake pasi ka ftuar disa përfaqësues të tyre në një konferencë në Varshavë, më 20 dhe 21 mars.
 
Gressels thotë se numri i polakëve të përfshirë në grupe paraushtarake sillet midis 10,000 deri në 30,000.
 
“Ata janë kryesisht të rinj meshkuj dhe studentë. Nuk janë huliganë të futbollit, por njerëz të shkolluar”, thotë Gressels.
 
Këto lloje luftëtarësh janë në rritje edhe në vendet baltike, ku frika nga Rusia është e dukshme.
 
Në Lituani, Unioni i Pushkatarëve numëron 8,000 anëtarë të përgatitur për luftë të mundshme me Rusinë.
 
Ky Union është krijuar në vitin 1919 si forcë civile mbrojtëse, por ka qenë i jashtëligjshëm në epokën sovjetike. Ai është ringjallur në vitin 1989, kur Lituania ka nisur betejën e saj për pavarësi.
 
Tani është pjesë e strategjisë së dukshme të qeverisë për të përgatitur vendin e vogël baltik, prej rreth tre milionë banorësh, për një kërcënim të mundshëm nga Rusia. /koha/REL/
Artikulli paraprakArrestohet hajduti i Teqesë së Bulqizës
Artikulli vijues600 vjet vëllezër, 1 miliard USD investime, 100 biznesmenë…