Prapaskenat: si është rrëzuar Demarkacioni brenda vetë LDK-së në një votim partiak

Kryeministri, njëherit kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas premtimit se këtë muaj do rikthehet në Kuvend marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, të mërkurën pasdite mblodhi Këshillin e Përgjithshëm të partisë për të bërë llogaritë se mos deputetët kundërshtues kanë ndryshuar mendim.

Por ky debat nuk eci ashtu siç mund ta ketë menduar Mustafa, pasi dhjetë deputetë dolën kundër tij për marrëveshjen e lartcekur.

Burime të portalit tesheshi.com brenda takimit kanë bërë të ditur se debati për Demarkacionin është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, dhe kjo ka ndodhur sidomos në momentin kur një numri të deputetëve që janë kundër marrëveshjes nuk iu është dhënë fjala.

“Nuk janë lejuar një numër i madh i deputetëve të flasin. Pas disa deputetëve që shprehën kundërshtinë apo pakënaqësinë për Demarkacionin, më nuk është lejuar debati”.

Pas mbylljes së debatit, tregon burimi, është kërkuar që të ketë një votim formal se kush është “pro” e kush “kundër” Demarkacionit, çka edhe ka ngjallur reagimin e deputetit Sabri Hamiti.

“Kjo punë duhet të kryhet në Kuvend jo këtu”, citohet të ketë thënë Hamiti, i cili ka ftuar bashkëpartiakët e tij të abstenojnë.

Pavarësisht kundërshtimeve, ka ndodhur votimi formal ku Mustafa ka marrë një goditje të madhe pasi afër dhjetë deputetë kanë abstenuar.

“Deputetët që kanë absteuar, pra nuk kanë dashur të votojnë në takimin e djeshëm pasi kanë vlerësuar se vendi për të votuar për Demarkacionin është në Kuvend janë: Vjosa Osmani, Sabri Hamiti, Shpejtim Bulliqi, Hatim Baxhaku, Armend Zemaj, Anton Quni, Fatmir Rexhepi, Arben Gashi, Adem Salihaj dhe Besa Gaxherri”, tregon burimi ynë.

Siç dihet, disa prej tyre haptaz janë shprehur se nuk e votojnë Demarkacionin, andaj Mustafës i mbetet të shpresojë në votat e disa të tjerëve që ndonëse kanë shprehur shqetësimet e tyre nuk parapëlqejnë të deklarojnë votën.

“Përplasja” mes Mustafës dhe Osmanit pas takimit

Se takimi nuk ka shkuar si duhet e konfirmuan edhe deklarimet e ndryshme të dhënë pas takimit nga Mustafa dhe deputetja Osmani.

“Këshilli i Përgjithshëm me shumicën absolute të votave ka votuar për qëndrimin politik për liberalizim të vizave dhe për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi. Ne sigurisht nuk i detyrojmë deputetët si të votojnë, mirëpo të gjithë ata deputet që e respeketojnë LDK-në dhe qëndrimet politike të LDK-së duhet t’i përmbahen këtij qëndrimi dhe asnjë nuk ka drejtë që për arsye të qëndrimeve të veta personale ta mbaj peng tërë popullin e Kosovës”.

Kurse deputetja Osmani shprehu pakënaqësinë për mënyrën se si ka shkuar mbledhja.

“Fatkeqësisht edhe pse kishte një numër prej nesh që e kërkuam fjalën nuk na u dha fjala sepse diskutimet u ndërprenë në gjysmë për tu bërë një votim nga anëtarët e Këshillit të Përgjitshëm. Megjiathë çështja se si do të duhej të procedohej me demarkacionin, nuk është çështje e Këshillit të përgjithshëm, por e Kuvendit të Kosovës. Dhe ajo që duhet ta ketë parasysh secili anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, sepse aty ka shumë pak deputetë në fakt do të duhej dhe unë besoj që deputetët do votojnë vetëm në përputhje me vullnetin e tyre të lirë dhe nuk do duhet të përdorej asnjë gjuhë, as kërcënuese as shantazhuese ndaj askujt”, informon kështu burimi i brendshëm nga LDK në lidhje me zhvillimet e brendshme dje në gjirin e kësaj partie. /tesheshi.

Artikulli paraprakVdekje misterioze e gjyqtares së parë muslimane në Nju Jork, pse Sheila Abdus-Salaam ishte emër i madh në drejtësinë amerikane
Artikulli vijuesBeteja e Koshares më e madhja e luftës së UÇK-së