Predhat në Turqi: Assadi provokon luftë botëre

Forcat turke edhe ditën e katërt iu përgjigjën zjarrit, pasi mortajat siriane kanë goditur fshatin kufitar Guvecci në rajonin Hatay, raporton BBC.

Fshati u godit gjatë luftimeve intensive të forcavet siriane dhe kryengritësve në provincën Idlib. Sot erdhi lajmi se anëtarët e ushtrisë siriane kanë vrarë në Aleppo katër shtetas turq të cilët ishin duke luftuar në radhët e kryengritësve. Mortajat siriane kanë shkatërruar shtatë makina të udhëtarëve, në të cilat kishte edhe luftëtarë, në mesin e të cilëve ishin edhe këta shtetas turq.
Parlamenti turk ka miratuar aksionin ushtarak në territorin e Sirisë, ndërsa kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Sirinë se këto dy shtete nuk janë larg luftës. Megjithatë, ai ka pohuar se dëshira e Parlamentit është që lufta të mos ndodhë. Sidoqoftë, mbrëmë në Akcakale janë rreshtuar tanket turke dhe raketat kundërajrore.

Fakti se Erdogani paralajmëroi dje se vendi i tij është “jo shumë larg” nga lufta me Sirinë, dëshmon se kryengritja kundër presidentit sirian Bashar al-Assad mund të fus në luftë edhe shtetet fqinje. Në një fjalim tek një turmë e mbledhur në Stamboll, Erdogan paralajmëroi se qeveria Assadit ka bërë një gabim fatal nëse dëshiron një luftë me Turqinë.

Mbrëmë më në fund foli edhe Rusia, e cila i bëri thirrje Turqisë të qëndrojnë e qetë dhe të shmangë çdo veprim që do të rriste tensionet me Sirinë. Deklarata ruse ishte kundërpërgjigje ndaj vendimit të Parlamentit turk të së enjtes, që miraton sulmet në rast të goditjeve të reja në territorin turk.

“Ne shprehim shpresën se pala turke do të demonstrojë vetëpërmbajtje dhe se nuk do të ndërmarrë hapa që do të çojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në rajon”, thanë nga ministria e Jashtme ruse.

“Në konflikt me Sirinë, Turqia duhet të mbetet e arsyeshme dhe të mos ndërmarrë asnjë solo-aksion, meqë kjo do të shkaktonte zjarr në shkallë të gjerë, gjë e cila askujt, pos Assadit, nuk i konvenon”, ka thënë një analist turk për DW, Bahaeddin Gungor.

“Kreu i regjimit sirian të Bashar al-Asad nuk sillet ndryshe nga tiranët arabë të shkatërruar së fundmi. Agonia e tij në luftën vdekjeprurëse po bëhet çdo herë e më ekstreme. Granata që ka eksploduar në territorin turk e që ka vrarë njerëz të pafajshëm, nuk është asgjë tjetër pos tentim i Assadit që ta nxisë një fqinj të fuqishëm në rajon, që pas vetës të lë tokë të djegur, e që të mos ngelet gjë kur ai nuk do të jetë më president”, shton Gungor. /Telegrafi/

Artikulli paraprakHoxhaj: Njohja nga Vatikani do të ishte inspirim për shtetet tjera
Artikulli vijuesMrekulli dhe fshehtësi në vendosmërinë e një gruaje